Udhëtimi në kushtet e dëborës, akullit e ngricës

Në kushtet e vështirësimit të motit, dëborës, ngricave e akullit duhet të bëjmë më shumë kujdes, pasi vetëm kështu parandalohen ngjarje e trauma që mund të kushtojnë shumë shtrenjtë.

Gjatë stinës së ftohtë, kushtet atmosferike si mjegulla, shiu, dëbora dhe akulli e vështirësojnë drejtimin e automjetit. Për këto arsye, është mirë që gjatë lëvizjes me makinë të respektohen sidomos kufijtë e shpejtësisë, për të shmangur rreziqet e mundshme që mund të përballen gjatë udhëtimit. Ka disa tregues specifikë të rëndësishëm për drejtimin e mjetit që duhet të njihni gjatë lëvizjeve në kushtet e përkeqësimit të motit, në borë, akull e ngricë.

Ngricat dhe dëbora vështirësojnë shumë lëvizjen me makinë, ndaj kini kujdes:

  • kontrollin fizik të mjetit,
  • sigurimin e zinxhirëve për gomat,
  • gomat të jenë dimërore,
  • furnizimin mjaftueshëm me karburant,
  • përdorimin e solucionit kundër ngrirës për motorin e makinës,
  • merrjen e veshje të ngrohta,
  • ushqim të mjaftueshëm.

Në këto kushte nuk rekomandohet lëvizja pa zinxhirë. Duhet të informoheni për motin përpara lëvizjeve për të mos u përballur me situata të papritura. Duhet të evitoni në maksimum lëvizjet në orët e vona e sidomos natën.

Mjegulla e bën rrugën më të padukshme, ul shikueshmërinë dhe zvogëlon mundësinë e frenimit në asfalt. Në këto raste duhet të ulni shpejtësinë, të ruani distancën dhe të mbani dritat gjithnjë ndezur.

Siguria gjatë udhëtimit duhet të jetë pjesë e kulturës sonë ndaj, veçanërisht në këto ditë me mot të keq e në kushte të vështira, u rekomandojmë drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit, duke u kujtuar sërish respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor si e vetmja mundësi që shmang e parandalon aksidentet dhe jep më shumë siguri për jetën në rrugë.

Mos harroni të përgatisni makinën tuaj

Përgatisni makinën tuaj për mot të ftohtë para se të mbërrijë dimri.

    • Kontrolloni radiatorin dhe nivelin e antifrizës.
    • Kontrolloni gomat; nëse është e nevojshme, ndërrojini ato me goma dimërore.
    • Mbajeni serbatorin plot me karburant.
    • Përdorni solucion të veçantë për larjen e xhamave.
    • Përgatisni një kuti emergjence dhe mbajeni në makinën tuaj për çdo rast bllokimi.

Kjo kuti duhet të ketë:
 – telefon celular, karikues portativ dhe bateri shtesë

– batanije
– ushqim dhe ujë
– fishekzjarre, pompë të gomave dhe një qese me rërë
– kavo për tërheqje
– busull dhe hartë
– elektrik dore dhe bateri të veçantë
– çantë të ndihmës së shpejtë

Kini parasysh këto sugjerime kur jeni duke udhëtuar:

Nëse planifikoni të udhëtoni diku, informohuni për kushtet klimatike aktuale të vendit ku do
të udhëtoni.

  • Shmangni vendet ku shërbimet meteorologjike ju këshillojnë të mos udhëtoni.
  • Nëse ju duhet të udhëtoni, informoni një mik ose të afërm për itinerarin dhe orën e
    mbërritjes.

Ndiqni këto rregulla sigurie nëse makina juaj pëson defekt dhe nuk mund të vazhdoni
udhëtimin:

  • Sigurohuni që makina juaj të jetë e dukshme ndaj shërbimit të emergjencës. Lidhni
    një copë me ngjyrë të dukshme në antenën e makinës, ndizni dritat e makinës nëse
    është duke rënë dëborë, si dhe dritën e brendshme kur makina është e ndezur.
  • Qëndroni brenda në makinë derisa shërbimet e emergjencës të jenë pranë jush.
  • Përpiquni të mbani ngrohtë trupin. Mbulohuni mirë me rroba dhe qëndroni pranë
    njeri-tjetrit.
  • Qëndroni zgjuar dhe në lëvizje sepse do të jeni më pak të rrezikuar ndaj të ftohtit. Kur
    qëndroni ulur, lëvizni krahët dhe këmbët për të mundësuar qarkullimin e gjakut dhe
    për të ruajtur temperaturën e trupit.
  • Mbajeni makinën të ndezur për 10 minuta çdo orë, hapni pak njërën nga dritaret e saj
    për të qarkulluar ajrin.
  • Sigurohuni që marmita e makinës nuk është e bllokuar nga dëbora në mënyrë që të shmangni rrezikun e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Mbi të gjitha, kujdesuni për anëtarët e familjes ose bashkudhëtarët që rrezikohen nga problemet që lidhen me të ftohtin si: fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Nëse keni kafshë shtëpiake, mbajini në ambiente të brendshme. Nëse nuk i mbani dot në ambiente të brendshme, siguroni që të mbrohen nga i ftohti dhe të kenë ujë (jo të ngrirë) për të pirë.

Askush nuk mund t’i shmanget temperaturave të ulëta në dimër. Gjithsesi, nëse ndiqni sugjerimet e mësipërme, do të jeni gati që të përballeni me pasojat e dimrit të acartë.