Takim sensibilizues me studentë dhe pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në kuadër të Ditës Botërore pa Duhan

 

Në kuadër të Ditës Botërore Pa Duhan, e cila organizohet çdo 31 Maj në të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, organizuan një takim sensibilizues me pedagogë dhe studentë.

Takimi u hap nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Arjan Bregu i cili theksoi  rëndësinë që ka kjo ditë e shëndetit në parandalimin dhe kontrollin e duhanit në Shqipëri. Ai theksoi se duhani vazhdon te mbetet një nga shkaktaret kryesore te vdekjeve, te cilat mund te parandalohen. Sipas Raportit të Gjendjes Shëndetësore të Popullatës shqiptare,  në Shqipëri, tre faktorët e rrezikut përgjegjës për pjesën dërrmuese të barrës së sëmundshmërisë në vitin 2010 ishin rreziqet e lidhura me dietën ushqimore (i pari), hipertensioni arterial (i dyti) dhe duhanpirja (i treti).  Grupet më të rrezikuara nga përdorimi i duhanit në Shqipëri janë adultët e rinj, 25-34 vjeç, të cilët përbëjnë grupin me prevalencën më të lartë të duhanpirjes. Gjithashtu, në dekadën e fundit, konstatohet një rritje e numrit të femrave si konsumatore të duhanit.

Dr. Gentiana Qirjako, shefe e departamentit të Promocionit të Shëndetit prezantoi mesazhin e ditës botërore pa duhan 2016, i cili ishte:

Bëhu gati për paketim të thjeshtë të produkteve të duhanit

 

Ky mesazh përbën një thirrje që OBSH i bën të gjitha vendeve për të t’u bërë gati për “paketimin e thjeshtë” (standard) të produkteve të duhanit.

 

“Paketimi i thjeshtë” (i quajtur ndryshe paketim standard) i referohet masave që kufizojnë apo ndalojnë vendosjen e logove, ngjyrave, imazheve të markave ose të informacioneve promovuese në paketim, përveç emrit të markës dhe emrit të produkteve të  vendosura në një ngjyrë dhe stil shkrimi standard.

 

Qëllimi i “paketimit të thjeshtë” është:

 

  • Të reduktojë atraksionin nga produktet e duhanit
  • Të eliminojë efektet e paketimit të duhanit si një formë reklame dhe promovimi
  • Të adresojë teknikat e dizenjimit të paketimit të cilat mund të sugjerojnë që disa produkte janë më pak të dëmshme se sa të tjerat
  • Të rrisë  qartësinë dhe efektivitetin e paralajmërimeve shëndetësore

 

Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Dr. Eltar Dede prezantoi punën e bërë nga institucioni që ai drejton në zbatimin e ligjit antiduhan. Ai paraqiti jo vetëm arritjet, por edhe sfidat që po hasen në zbatimin e ligjit. Gjithashtu Dr. Dede prezantoi edhe  nismën e Ministrisë së Shëndetësisë për fillimin e punës për “paketimin e thjeshtë”, me synim që në 1 Janar 2018, edhe Shqipëria të jetë një nga vendet që do të përdorë paketat standarde të duhanit.

Prof. Enver Roshi, shefi i  departamentit të Shëndetit Publik në Fakultetin e Mjekësisë, theksoi rëndësinë e edukimit dhe promocionit shëndetësor ndaj përdorimit të duhanit dhe i ftoi studentët të bëhen pjesë më aktive në zhvillimin e fushatës antiduhan.

Gjatë diskutimeve, Prof. Zihni Sulaj theksoi mungesën e një strategjie për trajtimin e personave që kanë varësi ndaj duhanit si dhe kërkoi që në listën e medikamenteve të rimbursueshme të futen edhe disa nga medikamentet që përdoren për të lënë duhanin.

Së fundi, Dr. Eliverta Kanina, mjeke në shkollën e mesme të përgjithshme “Çajupi” bëri një përmbledhje të të gjithë aktiviteteve që janë zhvilluar  në këtë shkollë në kuadër të ditës botërore Pa Duhan si dhe paraqiti para të ftuarve punimet e nxënësve në formën e posterave. Ajo theksoi gjithashtu nevojën e bashkëpunimit me të gjithë aktorët kyç në luftën kundër duhanit.

Mesazhet e takimit iu përcollën publikut edhe nga disa media kombëtare.

31 Maj 2016, Dita Botërore Pa Duhan