Në datën 1 gusht 2016, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në bashkëpunim me Autoritetin Shëndetësor Rajonal (ASHR) Tiranë, si dhe stafin mjekësor të Konsultorit të fëmijës në Poliklinikën Nr 2 organizuan “Takim me nënat e reja mbi rëndësinë dhe përfitimet e ushqyerjes me gji të fëmijës”. Ky takim u realizua në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me gji, dhe synonte të promovonte rëndësinë e Ushqyerjes me Gji në parandalimin e sëmundjeve dhe në mirërritjen e fëmijëve. Takimi u realizua në mjediset e Qendrës Shëndetësore Nr 2 në Tiranë. Në të morën pjesë stafi mjekësor i konsultorit të fëmijës, nëna të reja me foshnjat e tyre, specialistë të promocionit shëndetësor nga ISHP dhe ASHR.
Gjatë aktivitetit, personeli shëndetësor i konsultorit të fëmijës këshillonte nënat dhe familjarët e tyre në lidhje me ushqyerjen e fëmijës, duke i instruktuar ato për teknikat e suksesshme të ushqyerjes së fëmijës me gji, sasitë, oraret, kohën kur duhet të fillohen shtesat ushqimore etj.
Gjithashtu specialistët e Promocionit Shëndetësor nga ISHP dhe ASHR përcollën tek pjesëmarrësit mesazhin kryesor të Javës së Ushqyerjes me Gji, i cili ishte: “Ushqyerja me gji – një çelёs pёr zhvillimin e qёndrueshёm”. Ata informuan pjesëmarrësit rreth rëndësisë që ka ushqyerja me gji dhe veçanërisht fillimi i hershëm i gjirit brenda orës së parë të jetës së fëmijës. Specialistët shpjeguan rolin që ka ushqyerja me gji në parandalimin e vdekjeve të fëmijëve si rrjedhojë e infeksioneve gastro-intestinale si dhe në parandalimin e kequshqyerjes së fëmijëve.
Gjatë aktivitetit, nënave iu shpërndanë edhe materiale informative (fletëpalosje) për ushqyerjen me gji dhe u ftuan që takime të tilla të realizohen në mënyrë periodike në mjediset shëndetësore.
Java e Ushqyerjes me gji