Informacion
Më datë 6 Korrik 2016, Sektori i Shëndetit Mendor pranë Departamentit të Promocionit Shëndetësor në Institutin e Shëndetit Publik, organizoi një takim informues, në formë seminari me pjesëmarrjen e punonjësve të promocionit dhe shëndetit mendor nga Drejtoritë Shëndetësore Rajonale dhe Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Ky takim, e cila zhvillohej në kuadër të Ditës Botërore të Luftës ndaj Abuzimit me Drogat dhe Tregtimit të Tyre të Paligjshëm, kishte për qëllim rritjen e njohurive dhe praktikave shkencore dhe gjithëpërfshirëse të punonjësve të promocionit dhe të shëndetit mendor në kapjen e hershme, trajtimin dhe parandalimin e përdorimit dhe abuzimit të drogave. Rritja e njohurive të personelit shëndetësor të DSHR-ve dhe DSHP-ve në lidhje me drogat krijon mundësinë e zhvillimit të aktiviteteve të ngjashme nga ana e tyre në institucione të ndryshme shëndetësore dhe arsimore, si dhe në komunitet për të rritur ndërgjegjësimin e profesionistëve shëndetësor, mësuesve, prindërve, nxënësve, të rinjve dhe në mënyrë specifike grupeve të margjinalizuara, siç janë ROM-ët, gratë, të burgosurit, të pastrehët, të papunët dhe të rinj që kanë braktisur shkollën dhe janë kontingjent për veprime kriminale, në lidhje me drogat, efektet që ato kanë në organizëm dhe këshilla për një jetë të shëndetshme pa droga.
Gjithashtu, ky seminar kishte për qëllim që të informonte pjesëmarrësit në lidhje me metodat bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse të trajtimit të personave që abuzojnë dhe kanë varësi nga drogat, në mënyrë që ata të jenë në gjendje që të identifikojnë dhe të referojnë rastet për trajtim të specializuar në qendrat shëndetësore.
Në këtë seminar u dha informacion I detajuar në lidhje me gjendjen aktuale të përdoruesve në vend, cilat janë karakteristikat e individëve apo grupeve sociale në risk, faktorët rrezikues dhe përforcues të përdorimit dhe abuzimit, nivelet e parandalimit dhe ku konsistojnë ato, drogat psikoaktive, ndërveprimi i tyre në tru dhe efektet psikofiziologjike që ato kanë gjatë dhe pas marrjes së tyre, efektet e abstinencës/tërheqjes, varësia psikologjike dhe principet e trajtimit gjithëpërfshirës të varësisë nga drogat, gjithashtu në këtë seminar u referua dhe në lidhje me Hepatitet B dhe C, shenjat, testimi, gjendja në Shqipëri dhe trajtimi. Këto tema u shtjelluan nga specialistët e ISHP-së. Pjesëmarrësit bënë pyetje në lidhje me temat që u prezantuan dhe shprehën dëshirën për të marrë pjesë në aktivitet të tilla të ngjashme, si dhe në mundësinë e bashkëpunimeve të mëtejshme, për zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësimi, ne rrethe të ndryshme, në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me shëndetin mendor dhe abuzimit ndaj substancave psikoaktive.