Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në  Shëndet Publik 

 

Më datë 2 Mars 2016, Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Shqipërisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Republikës së Kosovës lidhën një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetit publik.

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Arjan Bregu dhe Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Naser Ramadani.

Kjo është hera e parë që dy institucionet më të larta të shëndetit publik të Shqipërisë dhe Kosovës angazhohen zyrtarisht në një bashkëpunim të tillë dypalësh në funksion të monitorimit më të mirë të gjendjes shëndetësore të popullatës dhe përmirësimit të performancës së sistemeve shëndetësore përkatëse.

Marrëveshja synon harmonizimin e strategjive të shëndetit publik në të dy vendet dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe efektiv për një sërë çështjesh të tilla si: hartimi dhe përdorimi i një liste të njëjtë indikatorësh shëndetësorë, hartimi i raporteve shëndetësore të përbashkëta, realizimi i studimeve shkencore me metodologji të unifikuar, realizimi i konferencave shkencore të përbashkëta dhe trajnimi i profesionistëve të shëndetit publik.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon shkëmbimin e informacioneve në fushën e shëndetit publik, shkëmbimin e stafit mjekësor dhe kontakte të ngushta midis dy institucioneve lidhur me çështje me interes të përbashkët, në përputhje me legjislacionet përkatëse.

Kjo marrëveshje shënon një hap shumë të rëndësishëm në fushën e shëndetit publik të Shqipërisë dhe Kosovës, duke synuar rritjen e efiçiencës së shërbimeve të shëndetit publik, përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullatave përkatëse dhe forcimin e kërkimit shkencor në shëndet publik.