Seminar ndërkombëtar për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve

dhe

 Takimi i anëtarëve të rrjetit ndërkombëtar të anëtarëve të studimit të HBSC-së, (Health Behaviour in School Age Children)

Tiranë, 12-14 Nëntor 2014

Në datën 12 Nëntor 2014, Instituti i Shëndetit Publik së bashku me Fakultetin e Shëndetit Publik organizuan Seminarin Ndërkombëtar për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve. Seminari adresoi çështjet kryesore të lidhura me kërkimin shkencor, politikat dhe shërbimet lidhur me shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve duke përfshirë sjelljet e shëndetshme dhe mirëqenien, kontekstin social dhe sjelljet e rrezikshme.

Ky aktivitet  u organizua së bashku me Takimin e anëtarëve të rrjetit ndërkombëtar të anëtarëve të studimit të HBSC-së, (Health Behaviour in School Age Children) i cili u zhvillua në datat 12-14  Nëntor 2014. Aktivitetet u ndoqën nga 65 anëtarë të rrjetit ndërkombëtar të HBSC-së që përfaqësonin 32 vende evropiane si dhe nga profesionistë të shëndetit nga Instituti i Shëndetit Publik, Fakulteti i Shëndetit Publik, Fakulteti i Mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë.

Seminari ndërkombëtar për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve u përshëndet nga Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj, si dhe nga Zv. Ministri i Arsimit dhe Sportit, Z. Rauf Dimraj. Në fjalën e tij, Z. Beqaj  e vuri theksin tek vëmendja që shoqëria dhe politikëbërësit duhet t’i kushtojnë shëndetit të 10-19-vjeçarëve, teksa hartojnë dhe zbatojnë politikat e shëndetit publik në vend, prandaj, edhe e vlerësoi këtë seminar ndërkombëtar për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, si një nismë të qënësishme në përpjekjet institucionale globale të shëndetit publik që synojnë ta ndryshojnë këtë situatë.

“Ky është një apel drejtuar të gjithë shoqërisë sonë dhe politikëbërësve,” – tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj, “për ta dëgjuar më shumë zërin e fëmijëve tanë që vjen përmes të dhënave të studimit të HSBC-së dhe për t’i siguruar se këto zëra do të shërbejnë si bazë e mirëinformuar të dhënash për hartimin e nismave e projekteve për përballimin dhe trajtimin e problemet e shëndetit në të gjithë gjerësinë e vet, sot dhe në të ardhmen”.

Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Z. Dimraj, në fjalën e tij theksoi rolin e madh që kanë sjelljet e shëndetshme në mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. Ai përcolli informacionin lidhur me masat konkrete që ka ndërmarrë  MAS për përmirësimin e mjediseve shkollore, të stafit edukativ dhe të kurrikulës shkollore në mënyrë që fëmijët tanë të angazhohen më shumë në sjellje të shëndetshme. Gjithashtu Z. Dimraj prezantoi Platformën e edukimit fiziko-sportiv që po aplikon MAS, si një masë që i largon fëmijët dhe të rinjtë nga veset dhe sjelljet e rrezikshme.

Në seminar u paraqitën prezantime nga anëtarë të rrjetit të HBSC-së, respektivisht nga Franca, Çekia, Polonia, OBSH dhe Shqipëria. Çështjet kryesore të trajtuara lidheshin me vështirësitë gjatë hapave të kryerjes së studimit të HBSC-së, vështirësitë në përshtatjen e pyetësorit për grupet vulnerabël, pikat e forta dhe sfidat që përballen vendet në realizimin e HBSC-së si dhe në mbështetjen që i ka bërë OBSH rrjetit ndërkombëtar të HBSC-së.

Nga ana tjetër, diskutimet  synuan shkëmbimin e eksperiencave pozitive lidhur me punën kërkimore, implikimet në politika dhe përkthimin efektiv të rezultateve të studimit në shërbime konkrete. Në fund të aktivitetit,  u shpreh besimi se diskutimet ishin shumë të vlefshme dhe do ti shërbejnë të gjithë rrjetit për të rritur bashkëpunimin midis vendeve anëtarë, sidomos me vendet që janë bërë anëtarë kohët e fundit të rrjetin ndërkombëtar të HBSC-së, siç është Shqipëria.