Prezantimi i udhëzuesit “Pilotimi i disa indikatorëve kyç shëndetësorë”
24 Tetor 2016
Me datë 24 Tetor 2016, në Tiranë u organizua prezantimi i udhëzuesit “Pilotimi i disa indikatorëve kyç shëndetësorë”. Ky dokument reflekton përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik për përmirësimin e sistemit të informacionit shëndetësor në Shqipëri. Hartimi i tij kaloi një proces të gjatë konsultimesh me ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik, INSTAT, Fondin e Sigurimeve të Detyruara të Kujdesit Shëndetësor, QSUT, Drejtoritë Rajonale të Shëndetësisë, dhe u mbështet teknikisht nga UNFPA (zyra në Shqipëri).
Udhëzuesi “Pilotimi i disa indikatorëve kyç shëndetësorë” është hartuar për të udhëhequr praktikën e testimit të mbledhjes dhe raportimit të të dhënave për një grup indikatorësh shëndetësorë nga lista ECHI e përshtatur për Shqipërinë.
Takimi u hap nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Arjan Bregu dhe u përshëndet nga drejtori i Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor në MSH, Dr. Erol Çomo, përfaqësuesja e UNFPA, Dr. Dorina Toçaj dhe shefi i Departamentit të Shëndetit Publik, Prof. Enver Roshi. Më pas, Prof. Genc Burazeri shpjegoi kontributin e “udhëzuesit” në përshkallëzimit e procesit të zbatimit të indikatorëve shëndetësorë në Shqipëri. Disa nga anëtarët e grupit të punës që kryen pilotimin e indikatorëve të përzgjedhur prezantuan gjetjet kryesore nga procesi i pilotimit.
Çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit, përmblidhen shkurtimisht më poshtë:
- Mospërputhja e informacionit shëndetësor të ardhur nga institucione të ndryshme për të njëjtët indikatorë shëndetësorë.
- Nevoja për shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit shëndetësor midis Qendrave Shëndetësore, Drejtorive të Shëndetit Publik, Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
- Nevoja për mbështetje të vazhdueshme të sektorit të statistikës në DSHP, si në burime njerëzore, ashtu edhe në infrastrukturë.
- Përdorimin indikatorëve shëndetësorë (pjesë e manualit të indikatorëve) në të gjitha dokumentet strategjikë që po hartohen aktualisht.
Në rekomandimet e shprehura në përfundim të takimit u theksua roli që ka bashkëpunimi me të gjitha institucionet për adresimin më të mirë të problematikës që vjen nga sistemi i informacionit shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu u rekomandua nevoja për zgjerimin gradual të procesit të implementimit të manualit të indikatorëve shëndetësorë në mënyrë që të përftojmë informacionin e nevojshëm për gjendjen shëndetësore të popullatës dhe performancën e sistemit shëndetësor.