PËRDORENI ZEMRËN PËR TË VEPRUAR

 

Nga viti 2024-2026 ne do të bëjmë fushatë nën temën "Përdoreni Zemrën për të Vepruar" duke mbështetur individët që të kujdesen për zemrën e tyre dhe duke i fuqizuar ata që t'i nxisin udhëheqësit të marrin seriozisht shëndetin e zemrës duke ofruar një platformë globale për veprim.      

Marrja e veprimeve thekson zhvendosjen nga ndërgjegjësimi në fuqizimin me një synim të qartë. Ekziston edhe natyra e dyanshme e veprimit: përpjekjet për të ndikuar në politika dhe për të mbrojtur ndryshimin e sjelljes dhe aktivitetin fizik. Ai pasqyron kërkesën për përpjekje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

 

Qëllimi ynë është të ndalojmë vrasësin më të madh në botë.

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV-të) janë vrasësi numër një në botë. Së bashku, kushtet që prekin zemrën ose enët e gjakut – të tilla si ataku në zemër, goditje në tru dhe insuficienca kardiake – vrasin më shumë se 20.5 milionë çdo vit.

Ne duam ta ulim këtë numër – shumë më poshtë. Dhe ka shpresë: 80% e vdekjeve të parakohshme nga SKV-të janë të parandalueshme. Duke bërë ndryshime të vogla në stilin tonë të jetesës – çfarë hamë dhe pimë, sa aktivitet fizik kryejmë dhe si e menaxhojmë stresin – ne mund të menaxhojmë më mirë shëndetin e zemrës dhe të mposhtim sëmundjet e zemrës.

 

Cfarë janë SKV-të?

Termi “Sëmundje Kardiovaskulare” (SKV) i referohet çdo sëmundjeje të zemrës, çdo sëmundjeje vaskulare të trurit ose sëmundjeje të enëve të gjakut duke përfshirë semundjen koronare, atakun në zemër, angina, hipertensioni, goditjen në tru sëmundjet vaskulare periferike si dhe çdo sëmundje apo çrregullim të sistemit të qarkullimit që nuk prek zemrën dhe trurin. Sëmundjert kardiovaskulare (SKV) zhvillohen gjatë shumë viteve. Gjatë kësaj kohe furnizimi me gjak i zemrës zvogëlohet si pasojë e krijimit të pllakave apo substancave yndyrore (aterosklerotike) në arteriet koronare si dhe në arterie të tjera në trup. Keto pllaka çojnë në forcim të arterieve.

  • Kur SKV prekin zemrën mund të çojnë në angina pectoris (dhimbje gjoksi) ose atak në zemër.
  • Kur SKV prekin trurin do të çojë në goditje në tru.
  • Sëmundjet vaskulare periferike më shpesh prekin këmbët por mund të prekin edhe krahët dhe veshkat. 

Në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pjesa më e madhe e njerëzve vdesin nga SKV-të. Nga këto vdekje, 80% ndodhin për shkak të sëmundjeve koronare të zemrës (p.sh. atak në zemër) dhe sëmundjeve cerebrovaskulare (p.sh. goditje në tru), dhe prekin kryesisht vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Kontrolli i rregullt i këtyre faktorëve të rrezikut dhe monitorimi i tensionit tuaj arterial, mund të zvogëlojë rrezikun e një individi për të patur SKV.

 

Faktorët e rrezikut për SKV

A e dini se zemra juaj është sa madhësia e grushtit tuaj, dhe se ka muskujt më të fortë të trupit? Por edhe pse e fortë, zemra juaj mund të bëhet e prekshme nga faktorët e rrezikut, si pirja e duhanit, dieta jo e shëndetshme, stresi, etj. Ka shumë faktorë rreziku që shoqërohen me sëmundjen koronare të zemrës dhe goditjen në tru. Disa faktorë rreziku, siç është historia familjare, nuk mund të modifikohen, ndërsa faktorët e tjerë të rrezikut, si presioni i lartë i gjakut, mund të modifikohen me trajtim. Ju nuk do të zhvilloni sëmundje kardiovaskulare nëse keni një faktor rreziku. Por sa më shumë faktorë rreziku të keni, aq më e madhe është mundësia që të sëmureni nëse nuk merrni masa për të modifikuar këta faktorë rreziku, si dhe të parandaloni që ata të dëmtojnë shëndetin e zemrës suaj.

Faktorët e rrezikut që nuk mund të ndryshohen…

Mosha – Me rritjen në moshë rriten dhe gjasat apo rreziku për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. 

Gjinia – Meshkujt janë më të rrezikuar sesa femrat e moshës riprodhuese për të patur SKV, por pas menopauzës rreziku i një femre për të patur SKV është i njëjtë me një mashkull.

Histori familjare – Rreziku që ju të keni SKV është më i madh nëse babai apo vëllai juaj kanë patur SKV, si sëmundje të zemrës apo goditje në tru përpara moshës 55 vjeç, si dhe, nëse nëna apo motra juaj kanë patur SKV përpara moshës 65 vjeç. 

 

Faktorët e rrezikut që mund të ndryshohen ose kontrollohen

Faktorët që mund të ndryshohen, trajtohen ose kontrollohen për të përmirësuar shëndetin dhe për të ulur rrezikun e SKV-ve përfshijnë:

  • Hipertensionin (presioni i lartë i gjakut)
  • Duhanpirjen 
  • Nivelin e lartë të kolesterolit në gjak
  • Diabetin
  • Jetën sedentare
  • Të qenurit obezë/mbipeshë
  • Ushqyerjen jo të shëndetshme
  • Konsumin e tepruar të alkoolit

 

  1. Hipertensioni (presioni i lartë i gjakut)

Presioni i lartë i gjakut është faktor rreziku i parandalueshëm për SKV-të kardiovaskulare dhe pasi të diagnostikohet mund të trajtohet. Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku lëviz nëpër arterie. Enët e gjakut mbartin gjakun nga zemra në të gjithë trupin dhe zemra me kontraktimin e saj pompon gjakun në të gjithë trupin me anë të arterieve. Hipertensioni zhvillohet kur muret e arterieve të mëdha humbasin elasticitetitn e tyre dhe bëhen të ngurta, apo kur enët e vogla të gjakut ngushtohen. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është 140/90mmHg ose më lart, për disa ditë, atëherë ju mund të keni hipertension. Ju mund të keni hipertension edhe nëse njëri nga numrat është më i lartë se norma. Hipertensioni zakonisht nuk ka simptoma apo shenja klinike. Ai është quajtur ndryshe dhe një vrasës i heshtur. Kontrolli i rregullt i presionit arterial është i rëndësishëm për parandalimin dhe zbulimin sa më herët të hipertensionit. 

Çfarë mund të ndodhë nëse ju keni hipertension?

Me kalimin e kohës presioni i lartë i gjakut dëmton organet e trupit, rrit rrezikun për atak në zemër, goditje në tru, insuficiencë kardiake, insuficiencë renale, si dhe sëmundje të sistemit periferik të enëve të gjakut. Këto probleme shëndetësore mund të shmangen nëse presioni juaj mbahet nën kontroll. Ndërsa shumicës së pacientëve u duhen ilaçe për të kontrolluar presionin e lartë të gjakut, gjithashtu, ndryshimet e mëposhtme të stilit të jetës mund të ndihmojnë për të ulur apo parandaluar presionin e lartë të gjakut:

  • Lënia e duhanit
  • Rënia në peshë
  • Ushqyerja me fruta dhe zarzavate dhe sa më pak yndyrna
  • Shmangia e konsumimit të tepërt të kripës
  • Shmangia e ushqimeve të përpunuara, sheqerit dhe yndyrnave 
  • Rritja dhe mbajtja e një niveli të mirë të aktivitetit fizik
  • Menaxhimi i stresit në jetën e përditshme

 

 

 

 

  1. Duhanpirja

Duhanpirja është një faktor madhor rreziku i SKV-ve, sëmundjeve respiratore, kancereve dhe sëmundjeve të tjera. Duhanpirja mund të shkaktojë gjithashtu, sëmundje të mishrave të dhëmbëve, prishjen e dhëmbëve dhe erë të keqe të frymëmarrjes. Duhanpirja dyfishon rrezikun për goditjen ne tru. Duhanpirësit janë dhjetë herë më të rrezikuar për të patur kancer të mushkërive sesa jo duhanpirësit. Edhe duhanpirja pasive ka pasoja të rrezikshme në shëndetin e njerëzve. 

Përfitimet e lënies së duhanit përfshijnë: 

  • Infeksionet  respiratore dhe ftohjet bëhen më pak të shpeshta
  • 1 vit pas lënies, rreziku i lartë i sëmundjeve koronare të zemrës përgjysmohet në krahasim me ata që vazhdojnë të pijnë duhan.
  • 5 vjet pas lënies, krahasuar me një duhanpirës, përgjysmohen gjasat për infarkt.
  • 15 vjet pas lënies, rreziku për sëmundje zemre është i njëjtë me atë të një joduhanpirësi.

Lënia e duhanit mund të ulë rrezikun për të zhvilluar SKV. Pavarësisht sa vjeç jeni dhe sa kohë keni që pini duhan – nuk është kurrë vonë për ta lënë atë.

  1. Niveli i lartë i kolesterolit në gjak

Kolesteroli është një lloj yndyre e cila është e pranishme në gjak dhe luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e çdo qelize në trup. Trupi ynë pjesën më të madhe të kolesterolit e prodhon në mëlçi, por një pjesë merret nga yndyrnat e ngopura që ne marrim me ushqimet. Edhe pse është i rëndësishëm për trupin e njeriut sasi të mëdha të kolesterolit dëmtojnë enët e gjakut, të cilat furnizojnë me gjak zemrën, trurin si dhe organe të tjera jetësore. Niveli i lartë i kolesterolit në gjak i patrajtuar, me kalimin e kohës do të japë ngushtim të enëve të gjakut duke favorizuar zhvillimin e SKV-ve në formën e anginës, atakut në zemër ose goditjes në tru. Në rastet e nivelit të lartë të kolesterolit në gjak nuk ke shenja apo simptoma klinike që të të paralajmërojnë, ndaj ju duhet të kontrolloni atë me anë të një analize gjaku. 

Megjithatë, nëse ju keni një histori familjare me SKV, goditjen në tru, diabet, HTA ose me nivel të lartë të kolesterolit në gjak, lipset të kontrolloheni – si shumë nga faktorët e rrezikut niveli i lartë i kolesterolit në gjak pasi zbulohet, trajtohet dhe mund të menaxhohet. Niveli i lartë i kolesterolit në gjak ulet duke pakësuar sasinë e yndyrës së ngopur në dietën tuaj, duke kryer aktivitet fizik, duke menaxhuar peshën tuaj, duke lënë duhanin, si dhe duke patur kujdes në konsumimin e alkoolit. Për disa njerëz mjekimi gjithashtu, do të jetë i nevojshëm së bashku me ndryshim e stilit të jetesës. 

  1. Diabeti

Diabeti është sëmundje kronike që karakterizohet me rritjen e glukozës apo sheqerit në gjak. Nivelet e larta të sheqerit mund të prekin muret e arterieve duke nxitur zhvillimin e pllakave yndyrore në to. Njerëzit që janë me diabet janë më të rrezikuar për të patur atak në zemër, goditje në tru apo sëmunjde të tjera të sistemit të qarkullimit. Femrat me diabet e kanë dyfish rrezikun për të patur SKV sesa femrat që nuk e kanë.  Nëse ju keni diabet është shumë e rëndësishme që të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak, presionin arterial dhe kolesterolin. Kjo do t’ju ndihmojë që të mbani të ulur rrezikun për të patur SKV, por gjithashtu ju duhet të lini duhanin, të kryeni aktivitet fizik, të ushqeheni me një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, si dhe të mbani nën kontroll peshën.

  1. Mbipesha dhe obeziteti

Nëse individi është obezë ose mbipeshë rreziku për të patur probleme shëndetësore si SKV, goditje në tru, HTA dhe diabet, rritet. Synoni të keni apo të mbani një peshë të shëndetshme. Gjithashtu, format e trupit tuaj janë një mënyrë për të vlerësuar rrezikun për SKV. Njerëzit të cilët kanë shumë peshë rreth mesit (belit) kanë një rrezik më të madh për SKV, diabet, HTA.  Një matje e belit mbi 94cm (37 ”) tek burrat, dhe mbi 80cm (32 ”) tek gratë, është treguar që të jetë e lidhur me zhvillimin e SKV-ve dhe diabetin. Mënyra më e mirë për të ruajtur peshën trupore të duhur apo për të humbur në peshë është ushqyerja e shëndetshme dhe e ekuilibruar.

Kur ju përpiqeni të ushqeheni shëndetshëm duhet të keni në mendje:

  • Të hani sasinë e duhur të ushqimit për aq aktivitet fizik sa ju kryeni
  • Të konsumoni shumëllojshmëri të ushqimeve për t’u siguruar që po merrni një dietë të ekuilibruar.  

Një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar mirë mund të ulë rrezikun tuaj për të patur SKV pasi:

  • Ul nivelin e kolesterolit
  • Ul presionin arterial
  • Mban një peshë të shëndetshme

Dieta e shëndetshme dhe e ekuilibruar përmban:

  • Pesë ose më shumë porcione të frutave dhe perimeve çdo ditë; zgjidhni një shumëllojshmëri të tyre nga të freskëta, të ngrira, të konservuara të thata ose të lëngshme.
  • Të paktën dy porcione të peshkut në javë. 
  • Ushqime, të tilla si: bukë integrale, drithëra, oriz ose makarona integrale dhe patate.
  • Disa ushqime të pasura me proteina si: mishi i kuq, mishi i pulës, vezë, thjerrëza dhe disa produkte të qumështit.
  • Një larmi frutash të freskëta, fruta të thata, arra, fara, kos me pak yndyrë, djathë, qumësht. 
  • Në përgjithësi dieta juaj duhet të jetë e pakët në yndyrë (veçanërisht yndyrë e ngopur), kripë dhe sheqer.

 

  1. Aktiveti fizik

Njerëzit të cilët bëjnë një jetë sedentare pa aktivitet fizik e kanë dyfish rrezikun për të zhvilluar sëmundje koronare të zemrës krahasuar me njerëzit të cilët kryejnë aktivitet fizik.

Kryerja e aktivitetit fizik 30 minuta në ditë (për 5 ditë të javës) ka përfitime në shëndet pasi:

  • Përgjysmon rrezikun për të patur sëmundje të zemrës
  • Ul rrezikun për të patur goditje në tru
  • Ndihmon në uljen e presionit arterial dhe mbajtjen e tij nën kontroll
  • Ul shanset për të patur diabet
  • Ju ndihmon të humbni në peshë, nëse jeni mbipeshë
  • Mund të ulë rrezikun për osteoporozë
  • Mund të ndihmojë në përmirësimin e niveleve të kolesterolit në gjak
  • Ul rrezikun për të zhvilluar sëmundje vaskulare periferike   

Bëhuni aktiv gjatë gjithë jetës për të ulur rrezikun për sëmundje, si dhe për të qenë të shëndetshëm

 

  1. Alkooli – Efektet e dëmshme të alkoolit në SKV

Pirja e tepruar e alkoolit është e dëmshme për shëndetin e njeriut dhe rrit rrezikun për një sërë sëmundjesh. Pirja e tepruar e alkoolit e vë në rrezik shëndetin në shumë mënyra:

  • Mund të dëmtojë zemrën si dhe disa organe të tjera.
  • Rrit rrezikun për SKV dhe sidomos për HTA, atak në zemër dhe goditje në tru.
  • Me kalimin e kohës zemra mund të dëmtohet përgjithmonë.
  • Mund të shkaktojë çrregullim të ritmit të zemrës.
  • Rritet rreziku për zhvillim të disa kancereve, diabetit dhe sëmundje të mëlçisë.
  • Rrit rrezikun për sjellje të dhunshme dhe agresive, si dhe në disa njerëz rrit rrezikun për dëmtime aksidentale.

 

Emergjencat kardiake dhe ato të aparatit të frymëmarrjes

Mbi 70% e të gjitha emergjencave kardiake dhe atyre të aparatit të frymëmarrjes ndodhin në shtëpi, kur një anëtar i familjes është i pranishëm dhe mund të ndihmojë një të sëmurë.

 

Shenjat paralajmëruese të atakut në zemër

Disa atake në zemër janë të papritura dhe të mëdha, ku askush nuk dyshon se çfarë po ndodh. Por shumica e atakeve në zemër fillojnë ngadalë, me dhimbje të butë ose një gjendje parehatie. Shpesh njerëzit e prekur nuk janë të sigurt se çfarë nuk shkon dhe presin shumë kohë para se të kërkojnë ndihmë mjekësore. Më poshtë jepen disa shenja që mund të nënkuptojnë se po ndodh një atak në zemër:

  • Siklet në gjoks. Shumica e atakeve në zemër përfshijnë siklet në qendër të gjoksit që zgjat më shumë se disa minuta. Mund të ndihet si presion i pakëndshëm ose dhimbje.
  • Siklet në zona të tjera të pjesës së sipërme të trupit. Simptomat mund të përfshijnë dhimbje ose siklet në njërin ose të dy krahët, në shpinë, qafë, nofull ose stomak.
  • Gulçim, me ose pa shqetësime në gjoks.
  • Djersë të ftohta, të përziera.

Shenjat paralajmëruese të goditjes në tru

Një goditje në tru është një urgjencë mjekësore. Nëse shfaqet ndonjë prej këtyre simptomave: 

  • Mpirje e papritur ose dobësi e fytyrës, e krahut apo këmbës, veçanërisht në njërën anë të trupit.
  • Konfuzion i papritur, probleme në të folur.
  • Problem i papritur në sy. 
  • Probleme të papritura në ecje, marramendje, humbje ekuilibri ose koordinimi.
  • Dhimbje koke e papritur e rëndë pa shkak të njohur.

 

Mos vononi – kërkoni menjëherë ndihmën mjekësore!