Paraqitja e manualit të indikatorëve shëndetësore
15 Mars 2016
Me datë 15 Mars 2016, në Tiranë u paraqit Manuali i Indikatorëve Shëndetësorë, dokument i cili u hartua në sajë të një pune intensive gjatë dy viteve të fundit sipas një qasjeje ndër-institucionale nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe me pjesëmarrjen e ISHP-së, ekspertëve të MSh-së, INSTAT-it, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, QSUT-së, drejtorive rajonale të shëndetësisë, si dhe ekspertizës teknike të UNICEF-it (zyra në Shqipëri).
Ky manual i indikatorëve shëndetësorë i përshtatur për Shqipërinë është një dokument shqiptar, por në përputhje të plotë dhe bazuar në rekomandimet e OBSH-së, organizatave të tjera të Kombeve të Bashkuara, si dhe direktivave të EUROSTAT-it (Byroja zyrtare e Statistikës për vendet e Bashkimit Europian).
Konferencën e hapi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Arjan Bregu dhe e përshëndeten Ministri i Shëndetësisë, Z. Ilir Beqaj, përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Zj. Antonella Scolamiero dhe Drejtori i Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor në MSH, Dr. Gazmend Bejtja. Më pas, Prof. Genc Burazeri shpjegoi strukturën dhe përbërjen e manualit, si dhe kontributin e tij në hartimin e politikave, strategjive dhe programeve shëndetësore.
Çështjet kryesore që u diskutuan gjatë paraqitjes të manualit përmblidhen shkurtimisht më poshtë:
- Nevoja për kontekstualizimin e disa prej indikatorëve shëndetësorë sipas nevojave kombëtare;
- Nevoja për të përshkallëzuar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për të vlerësuar “Shkaqet kryesore të vdekjes”, një indikator mjaft i rëndësishëm i cili ka disa vite që nuk vlerësohet më nga INSTAT.
- Pilotimi i 19 indikatorëve shëndetësorë bazë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
- Organizimi i diskutimeve me të gjithë sektorët në ISHP për të identifikuar indikatorët që mund të vlerësohen aktualisht.
- Përdorimi i këtyre indikatorëve në të gjitha dokumentet strategjikë që po hartohen aktualisht.
Në rekomandimet e shprehura në përfundim të takimit u theksua roli që ka bashkëpunimi me institucionet e tjera për adresimin më të mirë të problematikës që vjen nga sistemi i informacionit shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu u rekomandua nevoja për pilotimin e disa prej indikatorëve shëndetësorë që përmban manuali dhe përshkallëzimi i përdorimit të tyre në mënyrë të unifikuar në të gjithë Shqipërinë.