Parandalimi i aksidenteve rrugore gjatë temperaturave të ulëta
Gjatë ditëve të ftohta të dimrit, shanset për t’u përfshirë në një aksident rrugor janë më të mëdha, për shkak të kushteve të vështira atmosferike, të tilla si mjegulla, shiu, dëbora dhe akulli të cilat e bëjnë më të vështirë drejtimin e automjetit.
Për këtë qëllim është e domosdoshme që të ofrohen këshilla për drejtuesit e mjeteve, dhe për të gjithë ata që lëvizin gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta.
Së pari, rekomandohet që gjatë lëvizjeve me makina të respektohen kufijtë e shpejtësisë, duke sjellë në vëmendjen tuaj rreziqet më të mundshme me të cilat mund të përballeni në udhëtim.
Ka disa tregues të rëndësishëm për drejtimin e mjetit, që duhet t’i njihni gjatë lëvizjeve në kushtet e përkeqësimit të motit.
- Të mbani parasysh kontrollin fizik të mjetit, sigurimin e zinxhirëve për gomat, furnizimin me karburant, veshjet e ngrohta, ushqimin dhe përdorimin e solucionit kundrangrirës për motorin e makinës.
- Ngricat dhe dëbora vështirësojnë shumë lëvizjen me makina, ndaj nuk rekomandohet lëvizje pa zinxhir. Është mirë që të informoheni për motin përpara lëvizjeve në mënyrë që të mos përballeni me situata të papritura. Duhet të evitoheni në maksimum lëvizjet natën në mot të ftohtë.
- Mjegulla e bën rrugën më të padukshme, ul shíkueshmërinë dhe zvogëlon mundësinë e frenimit në asfalt. Në këto raste duhet të ulni shpejtësinë, të ruani distancën e të mbani dritat ndezur.
- Siguria në radhë të parë është e duhet të jetë pjesë e kulturës sonë ndaj, veçanërisht në këto ditë me mot të keq e në kushte të vështira, u rekomandojmë drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit të tyre, duke u kujtuar sërish të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si e vetmja mundësi që shmang e parandalon aksidentet dhe na jep më shumë siguri për jetën në rrugë.