Parandalimi i aksidenteve rrugore gjatë temperaturave të ulëta
Tashmë njihet se gjatë stinëve të vitit kemi ulje dhe ngritje në trafikun rrugor, përshkallëzim të aksidenteve e mundësi potenciale që ato të ndodhin më shpesh.
Kjo është shumë evidente gjatë dimrit, pasi përkon me përkeqësime të motit, ulje të temperaturave, rreshje të dendura shiu e dëbore, rrugë të rrëshqitshme, ngrica etj.
Në këto kushte duhet të bëni më shumë kujdes, pasi vetëm kështu parandalohen ngjarje e trauma që mund të kushtojnë shumë shtrenjtë.
Për këtë qëllim është e domosdoshme që të ofrohen këshilla për drejtuesit e mjeteve dhe për të gjithë ata që lëvizin gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta.
Gjatë stinës së ftohtë, kushtet atmosferike si mjegulla, shiu, dëbora dhe akulli vështirësojnë drejtimin e automjetit.
Për këto arsye, është mirë që gjatë lëvizjes me makinë të respektohen kufijtë e shpejtësisë, për të shmangur rreziqet e mundshme që mund të përballen gjatë udhëtimit.
Ka disa tregues të rëndësishëm për drejtimin e mjetit që duhet të njihni gjatë lëvizjeve në kushtet e përkeqësimit të motit.
Kini kujdes kontrollin fizik të mjetit, sigurimin e zinxhirëve për gomat, furnizimin me karburant, veshjet e ngrohta, ushqimin, përdorimin e solucionit kundërngrirës për motorin e makinës.
Ngricat dhe dëbora vështirësojnë shumë lëvizjen me makinë. Në këto kushte nuk rekomandohet lëvizja pa zinxhirë. Duhet të informoheni për motin përpara lëvizjeve për të mos u përballur me situata të papritura. Duhet të evitoni në maksimum lëvizjet natën.
Mjegulla e bën rrugën më të padukshme, ul shíkueshmërinë dhe zvogëlon mundësinë e frenimit në asfalt. Në këto raste duhet të ulni shpejtësinë, të ruani distancën dhe të mbani dritat ndezur.
Siguria gjatë udhëtimit duhet të jetë pjesë e kulturës sonë ndaj, veçanërisht në këto ditë me mot të keq e në kushte të vështira, u rekomandojmë drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit të tyre, duke u kujtuar sërish respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor si e vetmja mundësi që shmang e parandalon aksidentet dhe jep më shumë siguri për jetën në rrugë.
Drejtues mjetesh!
Çfarë duhet të keni parasysh që të garantoni një udhëtim të sigurt për fëmijët dhe familjen.
- Informohuni rreth motit dhe rrugës që do të përshkoni, përpara se të niseni për udhëtim,
- Kontrolloni makinën për nivelin e vajit, ujit, gomat, gomën rezervë, zinxhirat e gomës, dritat, trekëndëshin e kuq dhe kutinë e emergjencës, jelekun fosforeshent për çdo të papritur gjatë rrugës.
- Mbani bateri dhe ngarkues që përdoret në makinë për celularin tuaj.
- Mbani airbegët në modulin “ON”.
- Në kohë të ftohtë, mbani me vete batanije, ujë dhe fruta.
- Mbani kartë rimbushëse.
- Regjistroni numrat e emergjencës në celularin tuaj.
- Mos pini alkool, si përpara ashtu edhe gjatë udhëtimit.
- Evitoni në maksimum udhëtimet natën.
- Mos ecni me shpejtësi mbi normat e lejuara.