Gripi për personat mbi 65 vjeç, mund të rrezikojë seriozisht shëndetin. 80% deri 90% e të gjitha vdekjeve ndodhin tek njerëzit mbi 65 vjeç si pasojë e komplikacioneve nga gripi. Të moshuarit zënë numrin më të madh të pacientëvë me grip të cilët kanë nevojë për t’u shtruar në spital për shkak të gripit, sesa individët e grup-moshave më të reja. Kjo ndodh, pasi sistemi imunitar dobësohet me kalimin e moshës dhe bëhet më i cënueshëm nga infeksionet e ndryshme përfshi këtu edhe gripin.
Vaksinimi ndaj gripit sezonal shmang format e rënda dhe humbjet e jetës në këtë grup-moshë, ky ishte mesazhi i dhënë në aktivitetin e zhvilluar nga “Departamenti i Performancës në Shëndet Publik dhe Sëmundjeve Kronike” dhe “Programi i Vaksinimit”, ISHP me një grup të moshuarish në Tiranë.
280 mijë doza të vaksinave kundër gripit tashmë janë shpërndarë në gjithë qendrat shëndetësore anë e mbanë vendit dhe fokusi për vaksinimin kundër gripit është edhe tek ata të cilët kanë problematika shëndetësore dhe të moshuarit mbi 60 vjeç.