INFORMACION

Trajnim dy ditor mbi:

Metodat analitike të izolimit të Salmonella spp në ushqime dhe testit të ndjeshmërisë ndaj antibiotikëve”

Në kuadrin e një vëzhgimi për antibiotiko-rezistencën (AR) në ushqime, të mbështetur nga OBSH, u zhvillua në Tiranë, në datat 4 dhe 5 Nëntor 2013, në ambjentet e Hotel “Viktoria” një seminar trajnues mbi “Metodat analitike të izolimit të Salmonella spp në ushqime dhe testit të ndjeshmërisë ndaj antibiotikëve”. Ky seminar u organizua nga specialistja e Sigurisë Ushqimore, të Departamentit Shëndeti dhe Mjedisi, Prof. Asoc. Lindita Molla. Në seminar ishin të ftuar eksperti i EFSA-s , PhD. Luca Busani nga ISS Itali, z. Vaso Miho nga zyra e OBSH në Tiranë, Dr. Arjan Bregu , drejtor i ISHP,  Dr. Ardian Xinxo, zv/drejtor i ISUV Tiranë. Në këtë trajnim morrën pjesë kryesisht  mikrobiologë nga ISHP dhe DSHP të rretheve Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Lezhë dhe Fier. Temat kryesore të referuara në këtë event ishin kryesisht për ndotjen mikrobiologjike të ushqimeve veçanërisht nga Salmonella spp dhe antibiotiko rezistencën. Më  konkretisht temat e referuara ishin: “Trajtimi i AR nga një këndvështrim i sigurisë ushqimore në Europe” nga A. Xinxo; “Salmonëllozat në Itali dhe në Europë” nga L.Busani; “Faktorët dëmtues të ushqimeve dhe trendi i Salmonellës në Shqipëri” nga L.Molla; “Metodat specifike për dedektimin e Salmonellës spp. EN ISO 6579:2002/A1: 2007” nga L.Busani; “Terrenet e përdorura, metodat për identifikimin dhe izolimin e Salmonellës spp. në ushqime me origjinë shtazore (pula , mish viçi, produkte me përmbajtje veze)” nga L. Busani; “Aplikimi i diskut antimikrobial, matja e zonës së ndjeshmërisë dhe interpretimi i saj” nga L. Busani; “Kontrolli i Cilësisë për dedektimin e rezistencës bakteriale” nga L.Busani; “Protokolli mbi testin e ndjeshmërisë së antibiotikëve, përgatitja e inokulimit. Inokulimi (mbjellja në pjatat agar). Procedurat e menaxhimit të cilësisë mbi testin e ndjeshmërisë së antibiotikëve” nga L.Busani. Gjatë trajnimit pjesëmarrësit bënë shumë pyetje dhe diskutuan gjerësisht për mënyrën e implementimit në praktikë.

Për herë të parë u diskutua për protokollet dhe procedurat e menaxhimit të cilësisë në metodikat mikrobiologjike, në veçanti për Salmonellën.