16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, është një Fushatë Globale që organizohet çdo vit. Fushata fillon në 25 Nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës Kundër Grave dhe përfundon në 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Data 25 Nëntor është zgjedhur për të përkujtuar motrat Mirabal, tri aktiviste politike, të cilat u vranë brutalisht në vitin 1960, në Republikën Domenikane me urdhër të sundimtarit domenikan Rafael Trujillo (1930-1961).
Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës Gjinore, ka si qëllim të fuqizojë veprimet për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në mbarë botën.
Tema e këtij viti është: BËJENI LAGJEN TUAJ PORTOKALLI! JEPINI FUND DHUNËS KUNDËR GRAVE DHE VAJZAVE TANI!
Ngjyra portokalli, e ndritshme dhe optimiste, u caktua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për fushatën UNiTE “T’i jepet fund dhunës ndaj grave” për të simbolizuar një të ardhme më të mirë, pa këtë shkelje të përhapur të të drejtave të njeriut, që prek më shumë se 1 në 3 gra dhe vajza në mbarë botën. Fushata fton Agjencitë e OKB-së, organizatat e shoqërisë civile dhe individët që në 25 Nëntor deri 10 Dhjetor 2014, nën ombrellën e kësaj fushate të organizojnë “Ngjarje portokalli” krijuese dhe vizualisht mbresëlënëse në lagjet e tyre, komunitetet, vendet e populluara, dyqanet, lokalet, bibliotekat, kinematë, si dhe për të zbukuruar fshatrat e qytetet me flamuj portokalli, tullumbace, drita, lule dhe shenja të cilat tregojnë se këto aktivitete janë në mbështetje të fushatës për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave. Agjencitë e OKB-së janë gjithashtu të ftuara për t’i kthyer zyrat, departamentet dhe ndërtesat e OKB-së në ngjyrë portokalli.
Theksi i aktiviteteve të fushatës UNiTE, do të jetë angazhimi i komunitetit dhe individit, si dhe ngritja e fushatës në nivel “vendor” nëpërmjet advokimit “derë më derë”; jo vetëm në ndërtesat qeveritare dhe në bashkitë e qytetit, por edhe në fshatra, rrugë, dyqane, biznese, shkolla, biblioteka dhe tregje. Të gjithë kanë një rol për të luajtur në komunitetin e tyre: burrat, djemtë, udhëheqësit fetarë, politikanët, berberët, shitësit e tezgave, pronarët e dyqaneve, mësuesit, mjekët, policët etj.
16 FAKTE TË RËNDËSISHME PËR DHUNËN NDAJ GRAVE
Fakti 1: 70% e grave përjetojnë dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri në një moment gjatë jetës së tyre
Studimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i kryer në disa vende, për shëndetin e grave dhe dhunën (fizike, mendore e seksuale) në familje ndaj tyre, tregoi se dhuna nga partneri intim është e përhapur në shumë shoqëri. Studimi tregoi se normat e dhunës fizike dhe/ose seksuale nga një partner intim shkonin nga 15% në Japoni, në 70% në Etiopi dhe Peru, ku shumica raportonin vlera të dhunës midis 29% dhe 62%.
Fakti 2: Dhuna kundër grave mund të parashikohet dhe të parandalohet
Nivelet e dhunës kundër grave nuk janë të njëjta në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohët. Duke identifikuar faktorët social, kulturor, ligjor dhe ekonomik që ndikojnë këtë dhunë, është e mundur që të parashikohet ndodhja e saj dhe të kuptohet si ajo të parandalohet. Programet shkollore për të parandaluar dhunën; reduktimi i përdorimit të rrezikshëm të alkoolit; ndryshimi i normave sociale dhe kulturore përmes edukimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit; si dhe ndërhyrja te fëmijët e keqtrajtuar për të shmangur përfshirjen e tyre më vonë në dhunë. Të gjitha këto mund të reduktojnë dhunën ndaj grave.
Fakti 3: Dhuna ndaj grave mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e grave
Pasojat e shëndetit mendor nga dhuna prej partnerit intim dhe dhuna seksuale përfshijnë depresion, çrregullime të stresit post-traumatik, ankth, përpjekje vetëvrasëse dhe abuzim me substancat. Pasojat e shëndetit fizik përfshijnë lëndime, sindromën e dhimbjes kronike, çrregullime gastrointestinale, si dhe aftësi të kufizuara. Dhuna mund të çojë në shtatzëni të padëshiruara, probleme gjinekologjike dhe aborte të detyruara. Gratë që vuajnë dhunën e ushtruar nga partneri intim kanë shëndet të përgjithshëm jo të mirë për një kohë më të gjatë sesa gratë që nuk janë prekur nga kjo dhunë.
Fakti 4: Dhuna ndaj grave mund të dëmtojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve
Përjetimi i dhunës nga partneri i ngushtë mund të dëmtojë zhvillimin normal të fëmijëve në familje. Studimet kanë treguar se fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës midis prindërve kanë më shumë probleme sociale, emocionale, të sjelljes dhe të përgjithshme shëndetësore, sesa fëmijët nga familjet ku nuk ka dhunë në mes të partnerëve.
Fakti 5: Dhuna kundër grave rrit gjasat për t’u infektuar me HIV
Studimet (Indi, Ruanda, Afrika e Jugut, Tanzani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera) tregojnë se dhuna kundër grave rrit rrezikun e infektimit me HIV. Një studim i kohëve të fundit i femrave të reja në Afrikën e Jugut tregoi se gratë HIV negativ, që kishin përjetuar dhunë nga partneri i ngushtë ose nivele të larta të pabarazisë gjinore në marrëdhëniet e tyre me meshkujt, kishin 51% më shumë gjasa për të marrë HIV-in gjatë dy viteve të ardhshme.
Fakti 6: Dhuna ndaj grave është një pengesë për arritjen e disa Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM)
Rishikimi i OZHM-ve për vitin 2010 tregoi se, përparimi në arritjen e OZHM-4 për vdekshmërinë e fëmijëve dhe OZHM-5 për vdekshmërinë amtare është shumë i ngadalshëm. Arritja e këtyre objektivave është penguar nga dhuna kundër grave. Është vlerësuar se 1 në 4 gra në të gjithë botën është abuzuar fizikisht ose seksualisht gjatë shtatzënisë, zakonisht nga partneri i saj. Dhuna ndaj grave shtatzëna është e lidhur me një rrezik për abort, lindje të parakohshme dhe vuajtje të fetusit, si dhe lindje me peshë të ulët. Dhuna ndaj grave është gjithashtu një shkak i vdekjes maternale. Përpjekjet për të reduktuar vdekshmërinë e nënës, foshnjave dhe fëmijëve duhet të përfshijnë masa për të reduktuar dhunën seksuale ndaj grave prej partner intim.
Fakti 7: Dhuna ndaj grave ndikon seriozisht zhvillimin ekonomik
Dhuna nga partneri ka një ndikim të konsiderueshëm ekonomik. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull, kostot e vlerësuara të dhunës nga partneri shkojnë në 5.8 bilion $ US në vit. Këto përfshijnë kostot direkte për shërbimet mjekësore (rreth 2/3 e totalit të shpenzimeve), si dhe shpenzimet indirekte të tilla si humbja e produktivitetit.
Fakti 8: Burrat të cilët kanë qenë viktima të keqtrajtimit në fëmijëri, kanë 3-4 herë më shumë gjasa për të kryer dhunë ndaj partnerit intim
Studimet sugjerojnë se ekspozimi ndaj dhunës gjatë fëmijërisë rrit gjasat për të kryer dhunë kundër partnerëve intim nga 3 në 4-fish, në krahasim me ata të cilët nuk janë të ekspozuar ndaj dhunës në fëmijëri.