Me rastin e Ditës Botërore të Hipertensionit, në Ministrinë e Shëndetësisë, në datën 17 Maj, u zhvillua një konferencë për shtyp me pjesëmarrjen e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Zëvendësministrit Klodian Rjepaj, Shefit të Shërbimit të Mjekësisë Interne & H.T.A në QSUT, Dr. Mihal Tase, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik si dhe mjekë të fushës.
Ministri Beqaj ka konfirmuar sërish vendosmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë për jetësimin e programit të kontrollit bazë. “Ne jemi të angazhuar për parandalimin dhe zbulimin e hershëm, pasi kjo është qasja më e drejtë afatmesme dhe afatgjatë për të përmirësuar shëndetin e shqiptarëve,” – tha ai, duke theksuar se përpjekja jonë kryesore është spostimi përherë e më tepër i kujdesit shëndetësor drejt shëndetit.
“Tradicionalisht sistemet tona janë drejtuar drejt sëmundjes. Sa më shumë ta spostojmë drejt shëndetit aq më të fituar jemi në zgjatje jete dhe në shkurtim periudhe me invaliditet. Do të kemi në fokus shëndetin dhe qytetarin dhe të ndërtojmë rreth këtyre dy koncepteve të gjithë rrathët e sistemit të kujdesit shëndetësor. Unë besoj se përveç të tjerash edhe përpjekjet tona dhe idetë që kemi përfshirë në ndryshimet e ligjit ekzistues anti-duhan, në këtë synim shkojnë, për ta bërë më efektiv edhe sistemin e ndëshkimit, për t’i bërë më të gjerë trupat që kanë të drejtë inspektuese. Kemi përfshirë edhe një tezë të re që jemi të bindur që do të ketë diskutime të mirëfillta juridike pasi ne mendojmë që figura të caktuara që kanë më shumë impakt në opinion publik të mund të ndëshkohen më shumë. Dhe këtu do të ketë diskutime pasi juristët mund të mendojnë që kalohet në diskriminim pasi duhet të ndëshkohet kundërvajtja dhe jo bartësi i saj. Megjithatë unë mendoj se edhe ky diskutim mund të jetë i vlefshëm dhe i shëndetshëm për shoqërinë tonë” – tha ai.
Ministri Beqaj tha më tej se “ në programin tonë të kontrollit bazë përpiqemi të bashkëpunojmë edhe me institucione evropiane sepse besojmë që për nga shtrirja e këtij programi në nivelin e të gjithë popullatës është një risi edhe në vendet e tjera. Ne kemi hyrë në kontakte me Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë për të na ndihmuar me protokolle, me kurrikulat e trajnimit por edhe për të na dhënë një lloj avokacie. Sigurisht që programi bazë është një sfidë e madhe por tani përherë e më tepër do të kalojë në territor dhe do të jetë instrument edhe i qendrave shëndetësore. pacient me një sëmundje potenciale të mund të përfshihet në sistemin e referimit”.
Zëvendësministri Rjepaj, nga ana e tij u shpreh se ka një sensibilitet të shtuar kohët e fundit edhe për faktin që Ministria e Shëndetësisë ka lançuar kontrollin bazë për shëndetin e popullatës, dhe hipertensioni apo tensioni arterial është pjesë e paketës e cila do të adresohet në shërbimin shëndetësor parësor. “Sensibiliteti i shtuar ka të bëjë edhe me faktin se një pjesë e mirë e popullatës e has këtë problematikë. Problemi është që në bazë të statistikave shohim që 1 në 3 persona që ka hipertensionit mund ta kontrollojë atë ndërsa 2 nuk e bëjnë, 1 në 3 persona e di që ka hipertension ndërsa 2 nuk e dinë. Kështu që kontrolli bazë në popullatë është një iniciativë shumë e rëndësishme, e cila do të ndodhë në ato mjedise ku është edhe më e kollajtë për popullatën të ketë akses ndaj shërbimeve informuese, diagnostikuese, trajtuese dhe ndjekëse në lidhje me hipertensionin.
Ne synojmë që të rrisim mundësitë për të zbuluar hershëm dhe në këtë mënyrë të parandalojmë edhe efektet e dëmshme që mund të ketë tensioni arterial”, tha ai, duke shtuar se tashmë fokusi është mbrojtja e shëndetit jo vetëm tek kurimi i shenjave apo problemeve që lë një sëmundje e caktuar. Zëvendësministri Rjepaj foli edhe për interesimin e madh që ka Shoqata Evropiane e Kardiologëve për programin e kontrollit bazë që ka Shqipëria. “Është një program që ngjall interes në radhë të parë nga pikëpamja shkencore. Unë besoj që Shoqata Evropiane e Kardiologjisë për sa i përket aspektit kardiovaskular të kontrollit bazë do të jetë tërësisht e përfshirë në certifikimin shkencor të këtij procesi. Gjithashtu pati interes edhe se si do të organizohej kontrolli bazë, në mënyrën se si do të shtrihet në mënyrë kapilare me përdorjen e mjekut të familjes. Ata u shprehën se kjo mund të quhet një eksperiencë unike në Evropë për shkak të shtrirjes së madhe”, tha Z. Rjepaj.
Ndërkohë që nga ana e tij, Shefit të Shërbimit të Mjekësisë Interne & H.T.A në QSUT, Dr. Mihal Tase, tha se është shumë i rëndësishëm sensibilizimi për sëmundjen e Hipertensionit. “Hipertensioni është shumë i thjeshtë për tu diagnostifikuar dhe kuruar dhe ne sot kemi shumë më tepër mundi për ta kuruar. Megjithatë kemi një përkeqësim për zbulimin e tij. Prandaj është e vlefshme të bëhet ky sensibilizim. Kjo sëmundje sipas të dhënave të OBSH-së është vrasësi i parë në botë. Natyrisht që përveç aspektit njerëzor kjo sëmundje ka dhe aspekt ekonomik dhe social. Social sepse i kushton shumë mund dhe shumë probleme individëve që vuajnë por edhe për faktin sepse i kushton shumë shoqërisë ekonomikisht. Prandaj për të gjitha këto arsye është shumë me interes iniciativa që është marrë për të kontrolluar shëndetin e popullsisë, në të cilin është futur edhe hipertensioni”, tha Dr. Tase.
Dr.Jeta Lakrori,nga ISHP,bëri një prezantim të mesazhit të kryesor të ditës së hipertensionit dhe të dhëna të prevalencës së hipertensioint në vendin tonë,dhe sesi mund të parandalojmë këtë sëmundje duke përmirësuar mënyrën e të jetuarit.