Konferenca Ndërkombëtare e Shëndetit Publik “Përcaktorët e sjelljeve shëndetësore në vendet e Rajonit Europian”
9 Maj 2017
——————————————————————————————————————–
Me datë 9 Maj 2017, në Tiranë u organizua Konferenca e pestë Ndërkombëtare e Shëndetit Publik, me temë: “Përcaktorët e sjelljeve shëndetësore në vendet e Rajonit Europian”. Konferencën e hapi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Arjan Bregu dhe e përshëndeten Zv. Ministri i Shëndetësisë, Z. Klodian Rjepaj, ambasadori zviceran në Shqipëri, Z. Cristof Graf, përfaqësuese e OBSH në Shqipëri, Dr. Nazira Artykova, përfaqësuese e UNCEF në Shqipëri, Zj. Antonella Scolamiero dhe Drejtoresha e UNFPA për Shqipërinë, Dr. Rita Columbia.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues ndërkombëtarë nga Instituti Tropikal dhe i Shëndetit Publik, Basel, Zvicër; nga zyra rajonale e OBSH për Europën; nga zyra rajonale e UNFPA për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore si dhe nga Kolegji Mbretëror, Londër. Gjithashtu në konferencë morën pjesë profesionistë të shëndetit Publik nga Rajoni: Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova.
Disa problematika kryesore që u diskutuan në konferencë përmblidhen shkurtimisht më poshtë:
- Tashmë mund të pohojmë se kemi evidenca shkencore, pse jo të bollshme, lidhur me rolin që kanë përcaktorët e sjelljeve në shëndet dhe sëmundshmëri jo vetëm për vendin tonë por edhe për vendet fqinjë të rajonit. Sidomos në Shqipëri, ushtrimi i përmasave të mëdha sic është Check-up i popullatës 35-70 vjec është një mundësi shumë e mirë për të analizuar lidhjen midis sjelljeve dhe faktorëve të ndryshëm të rrezikut me shëndetin dhe sëmundjen dhe rreth 1.5 milionë rekorde të hedhura në sistem deri tani përbëjnë “një minierë ari” për komunitetin e kërkuesve shkencorë dhe profesionistëve të tjerë për evidentimin shkencor të lidhjeve të tilla. Kjo do i vinte në ndihmë më pas politikë-bërësve dhe vendim-marrësve në mënyrë që të merren masat për t’ju përgjigjur situatës aktuale si dhe planifikohen ndërhyrjet përkatëse në të ardhmen.
- Një tjetër problematikë e ngritur nga diskutimet e panelit të ekspertëve, të cilët morën në konsideratë prezantimet e ndryshme të shpalosura gjatë konferëncës, kishte të bënte me faktin që nuk mjafton vetëm të mbledhim të dhëna dhe fakte rreth ndikimit që sjelljet individuale kanë mbi shëndetin dhe sëmundjen por është thelbësore që këto të pasohen nga ndërhyrje efektive dhe ta bazuara në evidenca në mënyrë që të reduktohen në maksimum këta faktorë të parandalueshëm të shëndetit jo të mirë në popullatë.
- Nga ana tjetër, doli në pah dhe nevoja për pjesëmarrje më të gjerë të aktorëve të tjerë në përpjekjet e shoqërisë për të reduktuar barrën e faktorëve të parandalueshëm që kanë të bëjnë me sjelljet e rrezikshme. Ekspertët i mëshuan idesë që ndërhyrjet nuk mund të jenë të fragmentuara por ato duhet domosdoshmërisht të jenë të integruara dhe të bashkërenduara në mënyrë që të përftohet efekti dhe përfitimi maksimal për popullatën në mënyrën më kosto-efektive të mundshme. Shëndeti dhe sëmundja nuk janë çështje ekslizivisht të Ministrisë së Shëndetësisë apo Institutit të Shëndetit Publik por ato prekin çdo fushë të jetës.
- Së fundmi, u theksua edhe një herë nevoja e qasjeve të edukimit gjatë të gjithë jetës si një pikë kyçe në proçesin e ndryshimit pozitiv të stilit të jetesës. Të gjitha grupet e shoqërise, duke përfshirë pacientët, profesionistët e shëndetit, studentët e nxënësit, prindërit, mësuesit, përdoruesit dhe abuzuesit me substancat psikoaktive dhe e tërë popullata në tërësi përfitojnë nga fushatat e informimit dhe edukimit dhe rritja e ndërgjegjësimit të popullatës dhe grupeve në rrezik është një proçes që nuk duhet të ndërpritet asnjëherë. Megjithatë, sfida përpara nesh qëndron në faktin që ndërhyrjet që propozohen duhet të jenë inovative në mënyrë që të tërheqin vëmendjen dhe të motivojnë grupet target të popullatës në mënyrë që ato të arrijnë qëllimet dhe objektivat përkatëse.
- Së fundmi, gjatë diskutimeve doli si nevojë e rëndësishme që shëndeti mendor duhet të jetë më tepër i pranishëm në konferenca të tilla pasi nuk ka shëndet të mirë pa shëndet mendor të mirë. Ndoshta çështja e shëndetit mendor do të jetë dhe tema e përgjithshme e konferencës së ardhshme