Komunikimi i përditshëm për koronavirusin/ 20 Qershor 2020
COVID19/ Ministria e Shëndetësisë: 53 raste të reja, 1 humbje jete në 24 orët e fundit
Dr. Flutra Beqo
Ministria e Shëndetësisë
Që në fillim të këtij komunikimi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo qytetari, të tregojë kujdes të shtuar në çdo ambient, në ambientet e punës apo ku ofrohen shërbime, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangien e kontakteve dhe vendosjen e maskave kur nuk është e mundur të ruhet distanca.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo biznesi apo sipërmarrje të bashkëpunojë në kufizimin e përhapjes së COVID19, duke respektuar protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Ju njohim më të dhënat e 24 orëve të fundit dhe situatën epidemiologjike në vend.
Në 24 orët e fundit një 70 vjeçare nga Durrësi ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë mjekimin intensiv dhe përkujdesin e mjekëve. 70 vjeçarja e prekur nga COVID19, vuante nga një formë e rëndë e leukozës. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerës.
Vijon të ketë shtrime të reja të qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, duke përfshirë dhe moshat e reja 30-40 vjeç. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 63 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 320 testime për të dyshuar të prekur me COVID19 nga të cilat janë konfirmuar 53 raste pozitive, kryesisht raste të reja si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.
Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 12 qytetarë, duke e çuar në 1126 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 26 të prekur në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Krujë, 4 në Vlorë, nga 3 raste në Fier dhe Pogradec, nga 2 raste në Kukës dhe Lezhë, nga 1 rast në Durrës dhe Përmet.
Në vendin tonë janë aktualisht 722 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me shenja të lehta apo asimptomatikë të respektojnë karantinën dhe të qëndrojnë të vëtëizoluar deri në shërimin e tyre të plotë. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar thyerjen e karantines.
E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur.
Shamngni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.
Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me COVID19, qendroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127.
COVID-19 – Statistika (20 Qershor 2020)
Testime totale 23126
Raste pozitive 1891
Raste të shëruara 1126
Raste aktive 722
Humbje jete 43 (Qarku Tiranë 23, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 336
Durrës 143
Shkodër 116
Vlorë 49
Fier 31
Lezhë 14
Korçë 13
Elbasan 10
Kukës 7
Gjirokastër 2
Berat 1