Komunikimi i përditshëm për koronavirusin/ 13 Prill 2020
 
COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja, shkon në 467 numri i të prekurve
 
15 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit. Shkon në 232 numri i të shëruarve
 
Dr. Albana Fico
Instituti i Shëndetit Publik
 
 
Në 24 orëshin që lamë pas ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.
 
Dje janë testuar 193 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 21 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 personel shëndetësor dhe dy fëmijë asimptomatikë. 
 
Deri në këto momente janë testuar 4070 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 467 raste.
 
Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
 
Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 232. 
 
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 43 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre janë të intubuar.
 
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 52 pacientë.
 
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Shkodër 13 raste, Durrës me 1 rast dhe Hasi me 1 rast. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi hetimit epidemiologjik në terren.
 
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
 
– Tiranë           221 raste
– Durrës           42 raste
– Lushnje         6 raste
– Elbasan         15 raste
– Fier                32 raste
– Kavajë           8 raste
– Rrogozhinë    4 raste
– Korçë             17 raste
– Vlorë              5 raste
– Shkodër          70 raste
– Lezhë             14 raste
– Berat              2 rast
– Has                13 raste
– Krujë             6 raste
-Tropojë          4 raste
– Pukë              5 raste
– Mirditë           3 raste 
 
 
 
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Zgjerimi i fashës orare të lëvizjes është një lehtësim që kërkon përgjegjësi nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit, ruajtjen e higjienës personale. 
 
Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhen të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. 
 
 
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.