Informacion për koronavirusin e ri
26 janar 2020
Situata aktuale ndërkombëtare
Koronavirusi i ri, i sapo zbuluar në 2019-n (CoV), është shoqëruar me një shpërthim të gjerë të pneumonive në qytetin Wuhan, provinca Hubei – Kinë, si epiqendra fillestare.
Situata ndërkombëtare sipas OBSH-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare e datës 26 janar 2020-të është si më poshtë:
– Janë raportuar 1 129 raste të reja dhe 30 vdekje me 2019 –nCoV
– Rastet e reja janë raportuar në Kinë (1 106), Taiwan (5), Australi (4), Malejzi (4), Francë (3), Kanada (1), Japoni (1), Republika e Koresë (1), Nepal (1), Singapor (1), Tajlandë(1) dhe SHBA (2).
– Në Wuhan është evidentuar transmetim nga njeriu tek njeriu, dhe po kështu janë raportuar raste edhe në Guandong, Pekin dhe Shangai me një “R0” paraprak që është vlerësuar të jetë 1.4 deri në 2.5;
– Të gjitha rastet, përveç një rasti në Vietnam, kishin histori udhëtimi në Kinë përpara fillimit të sëmundjes. Rasti i Vitenamit është rasti i parë me transmetim nga njeriu tek njeriu jashtë Kinës.
– 30 vdekjet e para kanë ndodhur të gjitha në Kinë. Nga këto 28 raste kanë ndodhur në provincën Hubei dhe vetëm dy jashtë kësaj province, respektivisht në Henan dhe Shangai.
Vlerësimi i riskut për Shqipërinë
– Bazuar në informacionin e deritanishëm mbi situatën ndërkombëtare, si dhe në mungesën e linjave ajrore direkte me Kinën, udhëtimin e shtetasve tanë atje dhe anasjelltas, rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri mbetet i ulët – teksa vendet e BE-së e kanë të moderuar. Gjithsesi, ky rrezik duhet të rishikohet brenda 10 ditëve.
– Bazuar në vlerësimin e kapaciteteve ky rrezik është i moderuar në lidhje me përhapjen e tij (nëse virusi do të futet në vend) dhe kjo lidhet kryesisht me kontrollin e infeksioneve spitalore, dhe përdorimin e mjeteve të mbrojtjes personale. Edhe ky vlerësim duhet të rishikohet pas 10 ditëve.