Informacion i përditësuar/ Situata e Gripit

 

28 Janar 2020- Nga të dhënat e raportimit sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, survejancës sentinel të sëmundjeve të ngjashme me Gripin (ILI) në rrethin e Tiranës dhe survejancës së infeksioneve respiratore në spitalet kryesore në të gjithë vendin si dhe raportimit rutinë, Instituti i Shëndetit Publik informon se prirja e infeksioneve respiratore paraqitet në rritje në javën e tretë të 2020.

Prej fillimit të vitit në vend është evidentuar qarkullimi i viruseve A/H1pdm09, A/H3 dhe B të gripit.

 

Në javën e 03 të vitit 2020 vërehet një prirje në ritje e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtëme dhe ky numër është pothuajse i njëjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prej javës 43 (21-27 Tetor 2019) deri ne javen 03 (13–19 Janar 2020) jane grumbulluar 294 mostra nazofaringeale nga qendrat e survejancës ILI dhe SRRA apo STRRA.

Perpara pranimit në laborator kryhet rregullisht monitorimi i cilësisë së mostrës sipas protokolleve stan- darte. Të gjitha mostrat e ardhura janë testuar me metodën molekulare të Real-Time RT PCR.

Nga testimi i tyre në 54 (18.4%) mostra janë identifikuar viruset e gripit, nga të cilat: 34 (11.6%) virusi i tipit A dhe 20 (6.8%) virusi i tipit B. Nga 34 viruset e tipit A;  23 (67.6%) janë të nëntipit A/H1pdm09 dhe 11 (32.4%) të nëntipit A/H3.

 

MSHMS dhe ISHP fton të gjithë qytetarët të kujdesen për higjienën vetjake dhe të informohen për kujdes ndaj gripit dhe të ftohtit në faqet zyrtare të këtyre institucioneve, ku që prej fillimit të sezonit të gripit ka nisur sensibilizimin me  këshilla dhe orientim për periudhën e sezonit të gripit.