Informacion i përditësuar/ Situata e fruthit në Shqipëri

 

28 Janar 2019- Lidhur me situatën e fruthit në vend Instituti i Shëndetit Publik u bën apel qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të vaksionohen pasi vihet re se numri i rasteve është në rritje.

Deri më 28 janar nga rastet e testuara, ISHP informon se janë 41 raste të konfirmuara me fruth (pozitive). Këto raste i përkasin kryesisht qytetit të Tiranës dhe janë nën moshën dy vjeç.

Rastet e importuara deri tani janë 4 përkatësisht 3 nga Greqia dhe 1 nga Kosova.

Prej muajsh, MSHMS dhe ISHP kanë nisur fushatën e ndërgjegjësimit për bërjen e vaksinës dhe këshillimin me mjekun tuaj.

Instituti i Shëndetit Publik ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve të ISHP-së për grupet që janë më të rrezikuara.

Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen. Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit.

Drejtohuni për të vizituar apo vaksinuar fëmijët tuaj në Qendrat Shëndetësore afër vendbanimit.