Sëmundjet e Veshkave dhe Obeziteti

Loading Events
  • This event has passed.
Description



Sëmundjet e Veshkave dhe Obeziteti 
9 Mars

 Stil jete i shëndetshëm për veshka të shëndetshme

Obeziteti është përkufizuar si një grumbullim jonormal i yndyrës e cila mund të dëmtojë shëndetin. Në vitin 2014, mbi 600 milionë adultë në mbarë botën ishin obezë. Obeziteti rrit rrezikun e zhvillimit të faktorëve kryesorë të rrezikut të sëmundjeve kronike të veshkave si diabeti dhe hipertensioni, dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e këtyre sëmundjeve deri në stadin e fundit të sëmundjes së veshkave.

Në individët të cilët janë obezë, veshkat duhet të punojnë më fort, të filtrojnë gjak në sasi më të mëdha se normalisht (hiperfiltrim) për të plotësuar kërkesën metabolike në rritje si pasojë e një peshe trupore të rritur. Veshkat duke punuar më fort mund të dëmtohen dhe të rrisin rrezikun për zhvillimin e Sëmundjeve Kronike të Veshkave (SKV) për një kohë të gjatë.

Një lajm pozitiv është se, si obeziteti ashtu edhe sëmundjet kronike të veshkave janë të parandalueshme. Edukimi dhe ndërgjegjësimi i popullatës për rreziqet që sjell obeziteti, ndjekja e një stili jete të shëndetshëm, i cili përfshin ushqyerjen e duhur dhe të qenurit aktiv në jetën e përditshme, mund të ndihmojnë në mënyrë të theksuar parandalimin e obezitetit dhe sëmundjeve të veshkave.

Dita Botërore e Veshkave për vitin 2017 promovon edukimin mbi rreziqet e obezitetit dhe lidhjen e tij me sëmundjet e veshkave, advokimin për një stil jete të shëndetshëm dhe veprime politike të shëndetshme, të cilat i bëjnë sjelljet parandaluese të përballueshme nga individët.

Lidhja midis obezitetit dhe sëmundjeve të veshkave

Sëmundjet e veshkave kanë më shumë mundësi të zhvillohen tek individët të cilët janë obezë, duke përfshirë këtu edhe ata të cilët janë me diabet dhe hipertension. Mendohet që në vitin 2025, obeziteti të prekë 18% të burrave dhe më shumë se 21% të grave në mbarë botën, ndërsa forma e rëndë e obezitetit të prekë 6% të burrave dhe 9% të grave në botë. Në disa vende obeziteti është i pranishëm në më shumë se 1/3 e popullatës adulte të vendit, dhe ndikon në mënyrë sinjifikante mbi shëndetin e dobët dhe mbi kostot e larta vjetore për medikamente.

Në popullatën e përgjithshme, obeziteti rrit rrezikun për vdekje dhe ndikon në sëmundjet e zemrës, diabet, hipertension, sëmundjen e fshikëzës së tëmthit, osteoartrit, kanceret e ndryshme, çrregullimet nervore, nivelin e lartë të kolesterolit, dhjamosjen e mëlçisë, si dhe në cilësinë e ulët të jetës.

Evidencat tregojnë se obeziteti është gjithashtu një faktor i madh rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kronike të veshkave, si dhe për sëmundjen e veshkave të stadit të fundit. Njerëzit të cilët janë mbipeshë ose obezë, mundësinë për të zhvilluar sëmundje të veshkave (ESRD) e kanë 2-7 herë më të madhe krahasuar me individët që janë në peshë normale.

Obeziteti mund të shkaktojë SKV në mënyrë indirekte nëpërmjet rritjes së mundësisë për diabet tip 2, hipertension dhe sëmundje të zemrës, si dhe duke shkaktuar direkt dëmtim të veshkave nëpërmjet rritjes së ngarkesës së punës së veshkave dhe mekanizmave të tjerë.

Reduktimi i obezitetit mund të ndryshojë apo të ngadalësojë progresin e SKV-ve. Dëmtimi akut i veshkave është një gjendje serioze që zhvillohet në mënyrë të menjëhershme, e cila në të shumtën e rasteve zgjat pak dhe mund të zhduket në momentin që gjendet dhe trajtohet shkaku i saj. Megjithatë mund të ketë edhe pasoja afatgjata me probleme të ndryshme gjatë jetës. Zakonisht dëmtimi akut i veshkave ndodh tek individët obezë.

 Mesazhe kyç:

  • 10% e popullatës në botë është e prekur nga sëmundjet kronike të veshkave (SKV)
  • Në mbarë botën 2.6 milionë pacientë në stadin e fundit të sëmundjes së veshkave kanë bërë dializë në vitin 2010; ky numër mendohet se mund të dyfishohet në 504 milionë në vitin 2030.
  • 600 milionë njerëz në botë janë obezë, ku 220 milionë prej tyre janë të moshës shkollore.
  • Njerëzit obezë janë 83% më të rrezikuar për SKV krahasuar me individët të cilët kanë një peshë normale.
  • Obeziteti është vërtetuar se është një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të veshkave ashtu si diabeti, hipertensioni dhe gurët në veshka.
  • Strategjitë për të reduktuar peshën e tepërt, si dhe për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve të tilla si diabeti mellitus, hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare do të reduktojnë rrezikun për sëmundjet e veshkave.

Start Date - End Date

Mar 09, 2017 - Mar 16, 2017

Start Time - End Time

7:00 am - 4:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This