Java Botërore e Ushqyerjes me Gji
- This event has passed.
Description
Java Botërore e Ushqyerjes me Gji
Java Botërore e Ushqyerjes me Gji është një aksion madhor i cili zhvillohet çdo vit në rang botëror gjatë muajit Gusht. Kjo javë organizohet nga WABA (Aleanca Botërore për Veprim për Ushqyerjen me Gji) me mbështetjen e fuqishme të UNICEF dhe OBSH-së. Çdo vit përzgjidhet një temë e veçantë mbi të cilën organizohet Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, dhe jepen rekomandimet për aktivitete të ndryshme në të gjitha vendet e botës që e promovojnё këtë javë.
Qeveritë dhe Kombet e Bashkuara (KB) në vitin 1990 vendosën Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZhM) për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në mënyrë të plotë deri në vitin 2015. Ky vit është viti i fundit për të vlerësuar progresin në arritjen e objektivave të mijëvjeçarit, ndaj dhe tema e këtij viti për Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji është në përgjigje të këtyre objektivave të mijëvjeçarit.
Qëllimi i Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji është nxitja dhe inkurajimi për ushqyerjen me gji të foshnjave për të përmirësuar shëndetin e tyre. Mbrojtja, promovimi dhe mbështetja e ushqyerjes me gji është një qëllim i vlefshëm, qё synon rritjen e fёmijёve tё shёndetёshёm.
Java botërore e ushqyerjes me gji thekson rëndësinë e rritjes, ruajtjes, mbrojtjes, promovimit dhe mbështetjes sё ushqyerjes me gji, si dhe angazhimin sa më shumë që të jetë e mundur të grupeve dhe njerëzve të moshave të ndryshme.
Mesazhi për javën e ushqyerjes me gji këtë vit është:
“ Ushqyerja me gji – një çelёs pёr zhvillimin e qёndrueshёm”.
Ushqyerja me gji është mënyrë e pazëvendësueshme e sigurimit të një ushqimi ideal për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës, dhe duhet të jetë domosdoshmërisht ushqimi i zgjedhur për fëmijën në muajt e parë të jetës.
Qumështi i gjirit
Qumështi i gjirit i pari, 3-4 ditët e para pas lindjes, është si lëng i trashë, i verdhë dhe quhet kulloshtër. Fëmija nuk duhet ta humbasë kulloshtrën pasi ajo është e pasur me proteina, kripëra minerale dhe mbi të gjitha me disa faktorë mbrojtës si imunoglobulina A ose IgA, që mbron aparatin tretës dhe respirator të fëmijës nga viruse, baktere apo substanca “ të huaja” që mund të provokojnë reaksione alergjike.
Qumështi “i dytë” ose i tranzicionit vjen rreth ditës së 3-4. Ai merr pamje më të qartë, më kremoze dhe të yndyrshme. Në këtë fazë qumështi përmban më shumë sheqerna të domosdoshme për rritjen e indeve cerebrale, dhe yndyrna që shërbejnë si burim energjie.
Qumështi përfundimtar vjen brenda 10 ditësh. Ai është tashmë më i lëngshëm dhe me shije më të ëmbël, sepse uji është elementi kryesor i tij. Kjo pamje më e hollë e qumështit nuk duhet t’i bëjë nënat të mendojnë se qumështi i tyre nuk është më i ushqyeshëm.
Qumështi i gjirit përmban të gjitha elementet e nevojshme në sasi dhe cilësi, dhe është i tretshëm.
Ai përmban: 88% ujë, proteina, yndyrna, sheqerna, vitamina e kripëra minerale.
Vetëm Qumështi i gjirit përmban lëndët apo trupëzat mbrojtëse.
Ushqyerja me gji
- Për rritjen, shëndetin dhe zhvillimin më të mirë të foshnjës, si dhe shëndet më të mirë të nënës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri 6 muajt e parë të jetës.
- Foshnja duhet të vendoset në gji brenda orës së parë pas lindjes sepse nxit lidhjen shpirtërore mes nënës dhe fëmijës, dhe nxit refleksin e thithjes. Asgjë tjetër nuk i duhet dhënë foshnjës përpara se të nisë të pijë gji.
- Foshnja duhet të ushqehet në bazë të kërkesës që ka, pra sa herë të dojë dhe aq gjatë sa të dojë foshnja. Sa më shumë të thithë fëmija, aq më shumë qumësht prodhohet. Në ditët e para bebi mund ta kërkojë gjirin edhe 10 herë në ditë, por më pas do të stabilizohet në 6-7 herë në ditë, me interval 4 orë gjatë ditës dhe 8 orë gjatë natës.
- Të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri nënkupton që foshnja të pijë vetëm qumështin e nënës dhe të mos pijë asgjë tjetër, as ujë.
- Qumështi i gjirit siguron të gjithë ushqimin dhe ujin për të cilin foshnja ka nevojë gjatë 6 muajve të parë.
- Foshnja nuk ka nevojë për ujë, madje as në një ditë të nxehtë, pasi ujin e nevojshëm e merr nëpërmjet qumështit të gjirit.
- Nëse një foshnjë pi ujë, do të pijë më pak gji dhe do të jetë më pak i mirëushqyer.
- Foshnja duhet të ushqehet në njërin gji deri sa ta ketë zbrazur atë, në mënyrë që foshnja të marrë edhe qumështin e fundit që ka kalori më të larta. Kjo është e rëndësishme pasi në fillim të pirjes së gjirit, ai është i pasur në ujë dhe sheqer, për të qetësuar urinë dhe etjen e bebit, më pas pasurohet me proteinat që sherbejnë për t’u rritur, dhe vetëm në fund me yndyrnat që janë burim energjie. Pra fëmija nuk duhet të humbasë asnjë nga këto përbërës të gjirit.
- Ushqyerja me gji është zakonisht energjike në 5 minutat e para dhe më pas, bebi bën një pushim që nuk zgjat më shumë se 20 minuta. Nëse fëmijën e zë gjumi për një kohë më të gjatë se 4-5 orë, nuk duhet zgjuar për ta ushqyer.
- Kur nëna është sëmurë, fëmija nuk duhet të largohet prej saj pasi qumështi i gjiri mbron foshnjën nga infeksioni.
- Nëse është e mundur foshnja nuk duhet të ushqehet artificialisht. Të ushqyerit artificial çon në një inteligjencë më të ulët, shëndet më të dobët për foshnjën dhe rreziqe shëndetësore për nënën.
- Të ushqyerit me gji duhet të vazhdojë deri në dy vjeç e sipër, pasi qumështi i gjirit ndihmon foshnjën të luftojë sëmundjet. Ai është burimi i vetëm për marrjen e trupëzave mbrojtëse.
- Fëmijët duhet të ushqehen me gji dhe me ushqime shtesë pas 6 muajve.
- Qumështi i gjirit mund të sigurojë gjysmën ose pjesën më të madhe të nevojave ushqyese të foshnjës nga 6 deri në 12 muajsh, dhe 1/3 ose më shumë të foshnjës nga 12 – 14 muajsh.
Përfitimet prej ushqyerjes me gji
Përfitimet shëndetësore për foshnjat
Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për të porsalindurit dhe për foshnjat. Ai i jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të cilat ata kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm. Qumështi i gjirit është i sigurt, përmban antitrupa dhe mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë siç janë diarreja dhe pneumonia, të cilat janë dy shkaktarët kryesore të vdekshmërisë foshnjore në mbarë botën. Qumështi i gjirit është i arritshëm dhe i përballueshëm, ç’ka ndihmon për të siguruar që foshnja të marrë ushqim të mjaftueshëm.
Përfitimet shëndetësore për nënat
Nga ushqyerja me gji e fëmijës përfitime shëndetësore kanë edhe nënat. Ushqyerja ekskluzivisht me gji e fëmijës shkakton tek nëna mungesë të ciklit menstrual, duke e bërë atë një metodë natyrore të kontrollit të shtatzanive (lindjeve). Ajo redukton gjithashtu rrezikun e kancerit të gjirit dhe të vezoreve më vonë në jetë, ndihmon femrat të kthehen në peshën e tyre të parashtatzënisë më shpejt, dhe ul obezitetin.
Përfitimet afatgjata në shëndetin e fëmijëve
Ushqyerja me gji tek fëmijët përveç përfitimeve shëndetësore të menjëhershme jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës. Të rriturit të cilët janë ushqyer me gji shpesh kanë presionin e gjakut të ulët dhe kolesterol më të ulët, gjithashtu kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2, krahasuar me ata të cilët nuk janë ushqyer me qumësht gjiri. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji ka dhënë rezultate më të mira në testet e inteligjencës.
Pse jo ushqyerja me formulë për foshnjat?
Ushqyerja me formulë për foshnjat nuk përmban antitrupat të cilët janë në qumështin e gjirit, dhe është e lidhur me disa rreziqe si sëmundjet me origjinë nga uji, si rrjedhojë e përzierjes së pluhurit të qumështit me ujë jo të sigurtë. Kequshqyerja mund të shkaktohet edhe nga mbihollimi i qumështit me formulë. Nëse kemi përdorur qumësht me formulë, por në mungesë të tij i japim qumësht gjiri, ky nuk është një opsion pasi sasia e qumështit të gjirit është zvogëluar.
Faza e futjes së ushqimeve plotësuese
Për të plotësuar nevojat në rritje të foshnjave kur ato bëhen gjashtë muajsh duhet të fillohen ushqimet plotësuese, por ushqyerja me gji duhet të vazhdojë. Ushqimet për fëmijën mund të përgatiten posaçërisht për të, ose të modifikohen nga ushqimet e familjes. OBSH vë në dukje se:
- Ushqyerja me gji nuk duhet të pakësohet në momentin që fëmijës i fillohet edhe ushqyerja plotësuese.
- Ushqimet plotësuese duhet të jepen me lugë ose gotë dhe jo me shishe.
- Ushqimet duhet të jenë të pastra, të sigurta dhe në dispozicion.
- Fëmijëve të vegjël u duhet një kohë e mjaftueshme për t’u mësuar për të ngrënë ushqime të ngurta.
Këshilla për ju nëna që ushqeni fёmijёt me gji
- Përdorni sa më shumë ujë dhe ushqime të lëngshme, pasi 87 % e qumështit të gjirit përbëhet nga uji.
- Për të prodhuar 700-800 ml qumësht në ditë duhet të shtoni 500 kkal.
- Dieta juaj duhet të jetë e shumëllojshme dhe e ekuilibruar.
- Ju duhet të ushqeheni shpesh dhe pak, sa herë ushqeni fëmijën tuaj, 6-7 herë.
- Kujdes higjienën e duarve, të cilat duhet të lahen me ujë dhe sapun, dhe atë të gjinjve që duhet të lahen vetëm me ujë.
- Shmangni pirjen e duhanit, nikotina e irriton dhe e lë pa gjumë fëmijën.
- Pakësoni konsumin e alkoolit, kafesë dhe pijeve të tjera eksituese; ato kalojnë në qumështin e gjirit dhe japin efekte negative te fëmija.
- Kujdes me përdorimin e medikamenteve; edhe në sasi minimale ato kalojnë në qumështin e gjirit.
Fakte nga vendi ynë për ushqyerjen me gji
Sipas studimit të fundit kombëtar demografik dhe shëndetësor shqiptar ( ADHS viti 2008-09):
- Vetëm 43 % e fëmijëve të lindur në 5 vitet e fundit para studimit, dhe që kishin marrë ushqim gjiri, kishin filluar ushqyerjen me gji brenda një ore nga lindja.
- 88% e fëmijëve nën moshën pesë vjeç kishin filluar ushqimin me gji brenda një dite nga
- 19 % e fëmijëve të ushqyer me gji kishin marrë një ushqim para qumështit të gjirit.
- Fëmijët ushqehen me gji për një periudhë mesatare prej 14,6 muaj.
- 39% e fëmijëve nën moshën 6 muaj janë ushqyer ekskluzivisht me gji.
- Rreth 30 % e vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç në Shqipëri lidhet me kequshqyerjen, dhe 18 % prej tyre mund t’i atribuohen ushqyerjes nënoptimale me gji.
Edhe njëherë rekomandimet që jepen janë:
Qumështi i gjirit të nënës është i shëndetshëm, i sigurt dhe praktik, është në dispozicion në çdo moment dhe në çdo vend, është në temperaturën dhe me përmbajtjen e duhur, dhe është falas!
Çdokush në shoqëri duhet ta konsiderojë ushqyerjen me gji si një nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit dhe të ushqyerjes, dhe duhet nxitur, promovuar dhe mbështetur!
Për më shumë informacion lexoni në faqen e internetit:
www.worldbreastfeedingweek.org