DITA BOTËRORE E DËGJIMIT

Loading Events
  • This event has passed.
Description

DITA BOTËRORE E DËGJIMIT

3 Mars 2020

MOS LEJO QË HUMBJA E DËGJIMIT TË TË KUFIZOJË!

Humbja e dëgjimit është një çështje e rëndësishme shëndetësore me një ndikim të madh tek individi, familja dhe një barrë e rëndë me kosto të lartë për shëndetin publik. Në Ditën Botërore të Dëgjimit, synohet të rritet ndërgjegjësimi për parandalimin e tij, por gjithashtu të theksohet se: ndërhyrjet efektive dhe në kohë mund të sigurojnë që njerëzit me këtë tipologji të jenë në gjendje të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.

Disa nga mesazhet në Ditën Botërore të Dëgjimit (2020) janë:

  • Komunikimi dhe shëndeti i mirë i dëgjimit na lidhin me njëri-tjetrin, komunitetin dhe botën, në të gjitha fazat e jetës.
  • Ndërhyrjet e përshtatshme dhe në kohë mund të lehtësojnë qasjen në arsim, punësim dhe komunikim, për personat që kanë humbje të dëgjimit.
  • Në nivel global, ka ndërhyrje të pamjaftueshme për korrigjimin e problematikës në fjalë (siç janë aparatet e dëgjimit); duhet theksuar fakti se problemet e dëgjimit mund të adresohen.

Slogani i këtij viti

Mos lejo që humbja e dëgjimit të të kufizojë”

Synon të bëjë thirrje dhe të japë shpresë se në çdo fazë të jetës, humbja e dëgjimit nuk duhet të konsiderohet stigëm ( përjashtuese), sepse falë ndërhyrjeve efektive personat e sipërcituar mund të zhvillojnë aktivitetet jetësore normale pa u kufizuar.

Fakte

  • Rreth 466 milionë njerëz në mbarë botën kanë humbje të dëgjimit invalidizues (1), prej të cilëve 34 milionë janë fëmijë.
  • Është vlerësuar se deri në vitin 2050 mbi 900 milionë njerëz do të kenë paaftësi, humbjen e dëgjimit.
  • Humbja e dёgjimit mund tё rezultojё nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatё lindjes, disa sёmundje infektive, infeksione kronike tё veshit, pёrdorimit të disa mjekimeve specifike, moshimi, si dhe ekspozimi nё njё ambient tё zhurmshёm.
  • 60% e humbjes së dëgjimit në fëmijëri ndodh nga shkaqe të parandalueshme.
  • 1 miliardë të rinj (të moshës 12–35 vjeç) janë në rrezik të humbjes së dëgjimit për shkak të ekspozimit ndaj zhurmave ekstreme në mjedise të ndyshme.
  • Humbja e dëgjimit e paadresuar paraqet një kosto globale vjetore prej $ 750 miliardë dollarë. Ndërhyrjet për të parandaluar, identifikuar dhe adresuar humbjen e dëgjimit janë me kosto efektive dhe mund të sjellin përfitime të mëdha për individët.
  • Personat me humbje të dëgjimit përfitojnë nga identifikimi i hershëm, përdorimi i aparateve të posaçme, implanteve koklear dhe pajisjeve të tjera ndihmëse; gjuha e shenjave dhe forma të tjera të mbështetjes arsimore, sociale.

 

 

Shkaqet e humbjes sё dёgjimit dhe të shurdhёsisё…

 

Mund tё ndahen: nё tё lindura dhe tё fituara.

 

Shkaqe tё lindura

 

Janë ato që çojnё nё humbje tё dёgjimit qё nё lindje. Mund tё jenё gjenetike ose si pasojё e komplikacioneve që nëna mund të ketë gjatë shtatzënisё dhe lindjes, të tilla si:

  • Infeksionet gjatё shtatzënisё, si rubeola dhe sifilizi.
  • Lindja nënpeshë.
  • Asfiksia nё lindje.
  • Pёrdorimi gjatё shtatzënisё i disa medikamenteve tё ndaluara si: aminoglukosidet, citostatikёt, preparatet kundёr malarjes dhe diuretikёt.
  • Ikteri i shprehur (verdhёza) nё periudhёn neonatale, e cila mund tё dёmtojё nervin e dёgjimit tek i porsalinduri.

 

Shkaqe tё fituara

 

Si shkaqe të fituara (gjatë jetës) të cilat mund të çojnë në humbje të dëgjimit mund të përmendim:

  • Sёmundjet infektive, si: meningiti, fruthi dhe parotiti (shytat).
  • Infeksionet kronike tё veshit ( otitis media me efusion).
  • Pёrdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike.
  • Dёmtimet traumatike tё kokёs dhe të veshit.
  • Zhurmat ekstreme, pёrfshirё zhurmat nё ambientin e punёs nga makineritё apo shpёrthimet, zhurmat nё ambientet ku jetojmё dhe frekuentojmë ( bare, klube nate etj.).
  •  
  • Bllokimi i kanalit tё veshit me dyll apo me trupa tё huaj.

 

Te fёmijёt, otiti media kronik mbetet shkaku kryesor i humbjes sё dёgjimit.

 

Ndikimi qё ka humbja e dёgjimit tek individi

 

Njё nga ndikimet kryesore qё humbja e dёgjimit ka tek individi ёshtё paaftёsia komunikuese me tё tjerёt. Te fёmijёt me shurdhёsi, zhvillimi i tё folurit ёshtё i vonuar.

Humbja e dёgjimit dhe sёmundjet e veshit, tё tilla si “otiti media”, kanё efekte negative nё mbarëvajtjen e fëmijëve nё shkollё.

  1. Ndikimi social dhe emocional

Humbja e dёgjimit çon nё kufizim tё qasjes pёr shumё shёrbime. Gjithashtu, pёrjashtimi nga komuniteti ka njё ndikim domethënës nё jetёn e pёrditshme duke krijuar ndjenjёn e vetmisё, izolimit dhe nёnshtrimit, veçanёrisht tek individёt e rritur.

Nёse njё fëmije me shurdhёsi të lindur nuk i jepet mundёsia tё mёsojё gjuhёn e shenjave herët, ai/ajo do tё ndihet i pёrjashtuar nga ndёrveprimet sociale.

  1. Ndikimi ekonomik

Nё vendet nё zhvillim, fёmijёt me humbje tё dёgjimit rrallё ndjekin shkollёn. Tё rriturit me humbje tё dёgjimit kanё njё shkallё tё lartё papunёsie, duke patur njё kosto tё lartё pёr individin, familjen dhe shoqёrinё.

 

Parandalimi

Rreth 50 % e rasteve me humbje tё dёgjimit mund tё parandalohen. Strategjitë efektive që ndihmojnë në parandalimin e humbjes së dëgjimit janë:

  • Vaksinimi i fёmijёve ndaj sёmundjeve si fruthi, rubeola, meningiti dhe parotiti.
  • Vaksinimi i vajzave adoleshente dhe nё moshёn riprodhuese ndaj rubeolёs, pёrpara shtatzënisё.
  • Testet depistuese pёr sifilizin dhe sёmundje tё tjera infektive gjatё shtatzënisё.
  • Pёrmirёsimi i kujdesit ante dhe perinatal, duke pёrfshirё praktika tё testit tё dёgjimit qё nё lindje.
  • Diagnostikimi i hershёm i fёmijёve me “otit media”, dhe marrja e trajtimit të duhur pёr kёtё diagnozё.
  • Shmangia e pёrdorimit tё disa medikamenteve qё shkaktojnё humbje tё dёgjimit; me pёrjashtim tё rasteve tё dhёna nga specialisti, i cili monitoron gjendjen dhe ecurinё e mjekimit.

 

Të dëgjosh për jetën!

 

Start Date - End Date

Mar 02, 2020 - Mar 03, 2020

Start Time - End Time

11:00 pm - 10:59 pm

Share This