6Maj, Dita Botërore e Melanomës
- This event has passed.
Description
KANCERI I LËKURËS “MELANOMA”
Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet në qelizat prej të cilave prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Melanoma mund të formohet gjithashtu në sy dhe mjaft rrallë në organet e brendshme si p.sh.: zorrët.
Shkaku i melanomave nuk është i qartë, por ekspozimi ndaj rrezeve ultra violet të diellit apo solarëve rrisin shumë riskun e zhvillimit të këtij lloj kanceri. Gjithashtu, në faktorët riskues ka edhe një komponent gjenetik i cili luan jo më pak një rol të rëndësishëm.
Njohja e simptomave të para të këtij lloj kanceri mundëson zbulimin dhe trajtimin e tij përpara, se sëmundja të përhapet. Melanoma mund të trajtohet suksesshëm, nëse zbulohet në kohë. Melanomat mund të zhvillohen kudo në trup, por më shpesh në zonat që kanë një përqindje të lartë ekspozimi në diell si: shpina, këmbët, krahët dhe fytyra. Mund të ndodh që ajo të zhvillohet në sipërfaqe më pak të ekspozuara ndaj diellit si: sholla e këmbës, palma e duarve, thonjtё, në membranat mukoze të organeve kavitare si: goja, rektumi, vagina etj. Jo rrallë mund të kemi shfaqje të kësaj patologjie malinje edhe në sy, e quajtur ndryshe melanoma okulare. Këto melanoma të fshehura janë më të zakonshme në individë më lëkurë të errët.
KUSH ËSHTË MË I RREZIKUAR
-Lëkurat e bardha
Të kesh më pak pigment melanine në lëkurë do të thotë të kesh më pak mbrojtje ndaj rrezeve UV. Nëse keni flokë biondë apo të kuq, quka apo digjeni shpejt nën rrezet e diellit, ju keni më tepër mundësi të zhvilloni melanoma.
-Djegiet e diellit
Një apo më shumë episode të djegies së lëkurës nga rrezet e diellit në fëmijërinë tuaj mund të rrisin rrezikun e melanomës në moshën adulte
-Ekspozim i tepruar ndaj rrezeve ultraviolet (UV) të diellit rrit riskun e zhvillimi të kancerit të lëkurës
-Të paturit shumë nishane apo nishane të pazakontë në pjesë të ndryshme të trupit
Të paturit më shumë se 50 nishane të zakonshëm në trup tregon një risk të lartë për të zhvilluar melanomë. Gjithashtu edhe ekzistenca e tipeve të pazakontë indikon për një tendencë ndaj mundësisë së zhvillimeve malinje në lëkurë.
-Histori familjare të melanomës
Nëse një i afërm, prind, fëmijë apo vëlla ka patur melanomë, individi ka një shans më të madh për ta zhvilluar atë gjithashtu.
-Sistem imunitar i dobësuar
Në këtë kategori futen të gjithë pacientët me HIV/AIDS dhe ata që i janë nënshtruar një transplanti.
Parandalimi dhe zbulimi i hershëm
Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet UV (ultravjollcë):
- Të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli;
- Midis orës 11 dhe 15, kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe, të rrihet nën hije;
- Nën diell të mbahet kapele, syzet e diellit dhe rroba të përshtatshme;
- Të përdoren kremra për mbrojtjen nga dielli me një faktor të lartë mbrojtës;
- Foshnjat deri në moshën një vjeçare të mos i ekspozohen kurrë drejtpërdrejt diellit;
- Veçanërisht ёshtё mirë të mbrohen fëmijët nga dielli;
Fakte rreth kancerit të lëkurës
- Shkaktari parësor i kancerit të lëkurës është ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet (UV) në diell.
- Ekspozimi në sasi të vogël ndaj rrezeve ultraviolet është i dobishëm për njerëzit dhe luan një rol të domosdoshëm në prodhimin e vitaminës D.
- Çdo vit diagnostikohen rreth 130 000 melanoma malinje në gjithë rruzullin.
- Ekspozimi i shpeshtë dhe djegjet e shpeshta të lëkurës nga dielli në fëmijëri mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës.
- Njerëzit me lëkurë të errët kanë shanse më të pakta për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell, kryesisht tek sytë dhe sistemi imunitar.