31 Maj Dita Botërore Pa Duhan 2015
- This event has passed.
Description
“Stop tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit”
Çdo vit, më 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerë të tjerë theksojnë rreziqet shëndetësore lidhur me përdorimin e duhanit, si dhe advokojnë për politika efektive për të reduktuar konsumin e duhanit.
Në kuadër të Ditës Botërore Pa Duhan 2015, OBSH-ja i bën thirrje vendeve për të punuar së bashku në mënyrë që t’i jepet fund tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit.
Tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit është një shqetësim i madh botëror i cili prek shumë fusha si: shëndetësore, ligjore, ekonomike, të qeverisjes dhe korrupsionit.
Shkalla e problemit
Komisioni Evropian vlerëson se tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit i kushton BE-së dhe shteteve anëtare të saj një humbje mbi 10 miliardë euro në vit në të ardhurat tatimore dhe doganore.
Tregtimi ilegal nuk është një problem vetëm në vendet me të ardhura të larta. Pothuajse të gjitha vendet, në një formë apo në një tjetër, në të gjithë botën janë subjekt i tregtisë së paligjshme. Në përgjigje të kërcënimit që vjen nga tregtia e paligjshme e duhanit, bashkësia ndërkombëtare ka negociuar dhe miratuar në nëntor të vitit 2012, Protokollin për Zhdukjen e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit.
Qëllimet e fushatës së Ditës Botërore Pa Duhan 2015
-Ngritja e vetëdijes mbi dëmet që shkakton tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit në shëndetin e njerëzve, sidomos te të rinjtë dhe te grupet me të ardhura të ulëta, të cilët, si rezultat i uljes së çmimeve të këtyre produkteve, janë më të rrezikuar.
-Intensifikimi i politikave të kontrollit të duhanit, si rritja e taksave dhe çmimeve, dhe i paralajmërimeve shëndetësore me figura, të cilat çojnë në përfitime të kujdesit shëndetësor.
-Forcimi i kontrolleve si dhe rritja e bashkëpunimit për minimizimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, si një mjet për pasurimin e grupeve kriminale të cilat financojnë veprimtari të tjera të krimit të organizuar duke përfshirë drogën, trafikun njerëzor, atë të armëve, si dhe terrorizmin.
– Nxitja për ratifikimin dhe aderimin në Protokollin për Zhdukjen e Tregtisë të Paligjshme të Produkteve të Duhanit, në kuadër të Konventës Kornizë të OBSH-së.
Faktet botërore tregojnë se industria e duhanit ka qenë e përfshirë në tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit.
Epidemia globale e duhanit vret rreth 6 milionë njerëz në vit, nga të cilat më shumë se 600 000 janë joduhanpirës, të cilët vdesin nga sëmundjet e frymëmarrjes si pasojë e qëndrimit në ambientet me tym duhani. Nëse nuk veprojmë, duke filluar nga viti 2030, epidemia do të vrasë më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit. Më shumë se 80% e këtyre vdekjeve të parandalueshme do të jetë në mesin e njerëzve që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.
Mesazhet kryesore publike
Pse tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit është e dëmshme për shëndetin tuaj dhe më gjerë.
-Produktet e paligjshme të duhanit i nxisin të rinjtë në eksperimentimin dhe përdorimin e duhanit, sepse ato produkte janë më të përballueshme (çmim më i lirë). Produkte të tilla të paligjshme duke mos shfaqur paralajmërime shëndetësore i çorientojnë përdoruesit e rinj të duhanit, si dhe çojnë në përfshirjen e fëmijëve në aktivitete të paligjshme të shitjes.
-Tregtia e paligjshme humbet të ardhurat tatimore, të cilat do të derdheshin në buxhetin e shtetit dhe që mund të shpenzoheshin për ofrimin e shërbimeve publike.
-Tregtia e paligjshme forcon korrupsionin dhe dobëson qeverisjen e mirë.
Thirrjet për veprim
Për politikëbërësit
-Hartuesit e politikave duhet të kenë në fokus të politikave të tyre jo vetëm ndërgjegjësimin e popullsisë lidhur me pasojat shëndetësore dhe ekonomike që sjell tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit, por edhe shtimin e masave lidhur me eleminimin e kësaj tregtie.
-Për t’iu përgjigjur pozitivisht kontrollit të duhanit është i nevojshëm ratifikimi i Protokollit për Zhdukjen e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit.
Për publikun
-Qytetarët duhet të njohin ndikimin negativ në shëndet, ekonomi, si dhe problemet sociale të tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, duke përfshirë edhe lidhjet që ka kjo tregti me trafikimin e qenieve njerëzore, krimin e organizuar dhe drogën.
-Qytetarët duhet të bashkohen në fushata ndërgjegjësimi për Ditën Botërore pa Duhan, duke u përfshirë edhe përmes rrjeteve sociale, si dhe të theksojnë mesazhe dhe këshilla kundër duhanit.
-Qeveritë dhe OBSH-ja të bashkëpunojnë për të frenuar tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit.
Institucionet kërkimore shkencore
-Institucionet akademike duhet të ndërmarrin kërkime shtesë lidhur me tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit për të dokumentuar më tej ndikimet e saj të dëmshme, si dhe të theksojnë përfitimet që vijnë si rezultat i kontrollit dhe kufizimit të veprimtarive kriminale të tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit.