30 Maj 2019 Dita Botërore e Sklerozës Multiple

Loading Events
  • This event has passed.
Description

30 Maj 2019

Dita Botërore e Sklerozës Multiple

 

Dita Botërore e Sklerozës Multiple organizohet çdo vit në 30 maj. Fushata ndërgjegjësuese për këtë vit është “Skleroza Multiple e Padukshme”.

 

Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin e popullatës për sëmundjen e Sklerozës Multiple (SM) dhe simptomat e saj që janë të padukshme, si dhe ndikimin e padukshëm që kjo sëmundje ka në cilësinë e jetës së individit. Fushata ka si qëllim t’u japë mundësi të gjithë individëve të prekur nga SM-ja që të ndajnë me të tjerët simptomat e tyre të padukshme, në mënyrë që edhe të tjerët ta njohin këtë sëmundje, t’i kuptojnë dhe t’i mbështesin individët që vuajnë prej saj.

 

Skleroza Multiple

Skleroza Multiple është një sëmundje kronike që prek sistemin nervor duke shkaktuar një sërë simptomash të mundshme, përfshi problemet me shikimin, lëvizjen e krahëve ose të këmbëve, ndjeshmërinë ose ekuilibrin. SM-ja është një sëmundje që e shoqëron individin gjatë gjithë jetës, e cila dhe mund të jetë në formë të lehtë por edhe mund të shkaktojë paftësi serioze në shëndetin e individit. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo moshë, por më e zakonshme është në moshat 20-30 vjeç, dhe haset 2-3 herë më tepër te femrat sesa te meshkujt. Një ndër shkaqet më të shpeshta të aftësisë së kufizuar tek të rinjtë (20-30 vjeç) është Skleroza Multiple.

 

Simptomat e Sklerozës Multiple

Simptomat mund të variojnë nga një individ tek tjetri dhe mund të prekin çdo pjesë të trupit. Simptomat kryesore janë:

  • Lodhje
  • Vështirësi në ecje
  • Probleme me shikimin si p.sh.shikim i paqartë
  • Probleme me kontrollin e fshikëzës së urinës
  • Mpirje ose ndjesi si shpim me gjilpërë në pjesë të ndryshme të trupit
  • Spazma dhe ngërçe apo ngurtësime muskulore
  • Probleme me ekuilibrin dhe orientimin
  • Probleme me të menduarit, të mësuarit dhe planifikimin

 

Në varësi të tipit të Sklerozës Multiple që individi ka, simptomat mund të shfaqen dhe të ikin në faza të ndryshme, por edhe mund të përkeqësohen në vazhdimësi.

 

Tipet e Sklerozës Multiple

Skleroza Multiple mund të fillojë në 1 ose 2 mënyra: me përsëritje individuale (me atak, ose me përkeqësim) ose me progres gradual.

 

Skleroza Multiple Përsëritëse

Më shumë se 8 në 10 individë me SM janë të diagnostikuar me tipin përsëritës të SM-së. Një individ me SM përsëritëse do të ketë episode me simptoma të reja ose të përkeqësuara. Këto simptoma zakonisht përkeqësohen për disa ditë, zgjasin ditë, javë ose muaj, dhe më pas përmirësohen ngadalë gjatë një periudhe të ngjashme me fillimin e simptomave. Episodet përsëritëse shpesh ndodhin pa paralajmërim, por në përgjithësi lidhen me një periudhe stresi apo sëmundjeje. Simptomat e episodeve të rikthyera mund të zhduken krejtësisht, me ose pa trajtim, edhe pse disa simptoma shpesh vazhdojnë me sulme të përsëritura që ndodhin gjatë disa viteve. Periudhat midis atakëve të sëmundjes njihen si periudha lehtësimi dhe mund të zgjasin për vite me radhë.       

Pas shumë vitesh (mbase dekadash) shumë individë, por jo të gjithë me SM që bëjnë episode përsëritëse, zhvillojnë SM progresive dytësore. Kjo formë SM-je përkeqësohet me kalimin e kohës pa patur atakë të dukshëm të sëmundjes. Disa individë vazhdojnë të kenë episode të rralla përsëritëse gjatë kësaj faze të sëmundjes. Përafërsisht gjysma e individëve me SM përsëritëse do të zhvillojnë fazën progresive dytësore të sëmundjes brenda 15-20 vitesh.

 

Skleroza Multiple Progresive Parësore

Pak më shumë se 1 në 10 individë u fillojnë shenjat e SM-së me një përkeqësim gradual të simptomave. Në SM-në progresive parësore simptomat përkeqësohen gradualisht dhe grumbullohen me kalimin e viteve pa patur periudha lehtësimi, edhe pse individët kanë periudha ku duket se simptomat stabilizohen.

 

Cilët janë shkaktarët e Sklerozës Multiple

Skleroza Multiple është një sëmundje autoimune, ku sistemi imunitar sulmon sistemin nervor dhe kryesisht shtresën e cila mbështjell dhe mbron nervat (mielinën). Është e paqartë se cili faktor ndikon në sistemin imunitar që të sulmojë sistemin nervor, por shumica e ekspertëve mendojnë se mund të përfshihen një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë.

 

Trajtimi i Sklerozës Multiple

Aktualisht nuk ka një mjekim për SM-në, por disa trajtime mund të ndihmojnë kontrollin e gjendjes shëndetësore. Trajtimi që i nevojitet një pacienti varet nga simptomat specifike dhe nga vështirësitë që ai ka.

Trajtimi mund të përfshijë:

  • Trajtimet specifike për simptomat individuale të SM-së.
  • Trajtimin e rasteve të përsëritura me ilaçe steroide për të përshpejtuar rikuperimin.
  • Trajtimin për të zvogëluar numrin e episodeve të përsëritura duke përdorur ilaçe të quajtura terapia për modifikimin e sëmundjes.  

Terapitë e modifikimit të sëmundjes mund të ndihmojnë gjithashtu për të ulur apo ngadalësuar përkeqësimin e përgjithshëm të paaftësisë te pacientët me SM përsëritëse apo me SM progresive dytësore, të cilët zhvillojnë episode përsëritëse. Aktualisht nuk ka asnjë mjekim që mund të ulë apo ngadalësojë progresin e SM-së progresive parësorë ose SM-së progresive dytësore kur episodet përsëritëse mungojnë.

 

Të jetosh me Sklerozën Multiple

Nëse jeni diagnostikuar me SM, është e rëndësishme të kujdeseni për gjendjen shëndetësore të përgjithshme. Të jetosh me SM është një sfidë e madhe, por trajtimet e reja gjatë 20 viteve të fundit kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës te pacientët e diagnostikuar me SM. Skleroza Multiple shumë rrallë është fatale për jetën.

 

Start Date - End Date

May 29, 2019 - May 30, 2019

Start Time - End Time

10:00 pm - 9:59 pm

Share This