29 Tetor Dita Botërore e Insulteve
- This event has passed.
Description
29 TETOR
DITA BOTËRORE E INSULTEVE
Çdo vit në 29 Tetor organizohet Dita Botërore e Insulteve. Kjo ditë, shihet si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin, si dhe për të organizuar fushata sensibilizuese, me qëllim uljen e barrës së insulteve në nivel global, rajonal dhe lokal.
Nëpërmjet krijimit të një platforme globale, në Ditën Botërore të Insulteve përforcohen zërat tanë individualë dhe rritet numri i njerëzve në zhvillimin e bisedave rreth trajtimit dhe mbështetjes për parandalimin e insulteve.
Tema e këtij viti është:
“ 1 në 4 prej nesh do të preket nga insulti “
Insulti mund t’i ndodhë gjithëkujt në çdo kohë dhe kudo. Sot insulti është shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar në të gjithë botën, si dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve, por pothuajse të gjitha goditjet mund të parandalohen.
Fakte rreth insulteve
- Këtë vit 14.5 milionë njerëz do të preken nga insulti dhe 5.5 milionë do të humbin jetën si rezultat i tij. Insulti mund të ketë efekte të ndryshme afatshkurtra dhe afatgjata në varësi të cilës pjesë të trurit është prekur, e sa shpejt trajtohet.
- 80 milionë njerëz i kanë mbijetuar një insulti në të gjithë botën.
- Shumë të mbijetuar nga insultet përballen me sfida të rëndësishme që përfshijnë paaftësitë fizike, vështirësitë në komunikim, ndryshime në mënyrën se si mendojnë dhe ndjehen, humbje pune dhe të ardhurash.
Llojet e insulteve
Ekzistojnë dy lloje kryesore të insultit: ishemike dhe hemorragjike.
- Insultet ishemike
Këto insulte ndodhin si rezultat i një dëmtimi në një enë gjaku që furnizon trurin. Një pengesë e rrjedhjes së gjakut në enën e gjakut mund të shkaktojë formimin e një mpiksje gjaku, apo siҫ e quajmë trombozë cerebrale. Shkaku kryesor i trombozave cerebrale janë depozitat yndyrore në enët e gjakut dhe arteriet (ateroskleroza).
Enët e gjakut gjithashtu mund të bllokohen nga një mpiksje gjaku që është formuar në një pjesë tjetër të trupit, zakonisht në zemër ose në arteriet e mëdha të kraharorit të sipërm dhe të qafës. Ndonjëherë një pjesë e një mpiksje gjaku, futet në qarkullimin e gjakut dhe udhëton nëpër enët e gjakut të trurit derisa arrijnë t’i bllokojnë këto enë. Kjo quhet emboli cerebrale. Shkaku kryesor i embolisë cerebrale janë rrahjet e parregullta të zemrës, të njohura si fibrilacion arterial (AF).
- Insultet hemorragjike
Goditjet hemorragjike ndodhin, kur një enë e dobësuar e gjakut shpërthen dhe rrjedh në tru. Gjaku krijon presion në indet rrethuese të trurit. Këto gjakderdhje mund të shkaktohen nga një aneurizëm, ose një keqformim arteriovenoz.
Ishemia ndodh, kur furnizimi me gjak i një pjese të trurit ndërpritet. Pa gjak, qelizat e trurit mund të dëmtohen, ose të vdesin.
Njohja e shenjave të hershme të insultit, trajtimi i tij si një urgjencë mjekësore dhe qasja në kujdesin më të mirë profesional, mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatet.
Shenjat kryesore të insultit
Fytyra – Fytyra duket e rënë nga njëra anë.
Krahët – Keni dobësi në njërin krah.
Të folurit – Keni vështirësi në artikulim.
Koha – Nëse këto simptoma janë të pranishme, është koha për të thirrur shërbimin e urgjencës.
Si ta ulni rrezikun e insultit?
A e dini se 90% e rasteve të insultit janë të lidhura me 10 rreziqe të shmangshme? Nëse keni diabet, probleme të zemrës, ose histori familjare, bisedoni me mjekun tuaj rreth rrezikut të insultit dhe trajtimeve parandaluese. Nё vijim, po rendisim hapat që mund të ndjekë secili, për të zvogëluar mundësitë dhe rrezikun e insultit.
- Kontrolloni presionin e lartë të gjakut.
- Bëhuni fizikisht aktivë dhe ushtrohuni rregullisht.
- Mbani një dietë të shëndetshme të pasur me fruta, perime dhe me pak kripё, në mënyrë që të keni një shëndet sa mё tё mirё, gjithashtu dhe për tё mbajtur në normë presionin e gjakut.
- Ulni kolesterolin.
- Mbani peshën në normë.
- Ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit.
- Sa më pak alkool tё konsumoni, aq më mirë ёshtё pёr shёndetin tuaj.
- Mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru.
- Zvogëloni rrezikun nga diabeti, bisedoni me mjekun tuaj.
- Njihuni me faktorët e rrezikut si: presioni i lartë i gjakut, diabeti, kolesteroli i lartë në
gjak.