28 Korrik 2017, Dita Botërore e Hepatitit
- This event has passed.
Description
Dita Botërore e Hepatitit: Të Eleminojmë Hepatitin
Dita Botërore e Hepatitit është një mundësi për të rritur të gjitha përpjekjet lidhur me parandalimin e hepatitit. Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje partnerëve dhe shteteve anëtare për të vënë në zbatim Strategjinë e Parë Botërore për Hepatitet Virale, 2016-2021, e cila është miratuar në Asamblenë e 69-të Botërore të Shëndetit, maj 2016, për të arritur qëllimin përfundimtar – të eliminojmë hepatitin.
Në këtë ditë, në mbarë botën do të zhvillohen aktivitete për të përmirësuar njohuritë e publikut për rrezikun e hepatitit, dhe për të përmirësuar qasjen ndaj shërbimeve të testimit dhe trajtimit të hepatitit.
Aktivitetet dhe ndërgjegjësimi rreth Ditës Botërore të Hepatitit organizohen:
- Për të ndërtuar e nxitur angazhimin politik për zbatimin e Strategjisë Globale të Sektorit Shëndetësor për hepatitin viral, miratuar në Asamblenë Botërore të Shëndetit 2016.
- Për të treguar përgjigje urgjente kombëtare ndaj hepatitit në vendet me prevalencë të lartë.
- Për të inkurajuar veprimet si dhe angazhuar individët, partnerët dhe publikun.
- Për të theksuar nevojën për një përgjigje më të madhe globale siç është përshkruar në raportin global të OBSH-së për hepatitin e vitit 2017.
Mesazhe kyçe për Ditën Botërore të Hepatitit 2017
- Hepatiti viral është një problem i madh shëndetësor në nivel global, dhe ka nevojë për një përgjigje urgjente.
Në fund të vitit 2015 kishte rreth 325 milionë njerëz që jetonin me hepatit kronik. Globalisht, në vitin 2015, rreth 257 milionë njerëz jetonin me virusin e hepatitit B, dhe 71 milionë njerëz jetonin me virusin e hepatitit C.
- Shumë pak prej të infektuarëve kanë qasje në testim dhe trajtim, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Mbi 90% e njerëzve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre. Deri në fund të vitit 2015, vetëm 9% e personave të infektuar me virusin e hepatitit B dhe 20% e personave të infektuar me virusin e hepatitit C ishin testuar e diagnostikuar. Rreth 8% (ose 1.7 milionë njerëz) nga të diagnostikuarit me hepatit B, dhe 7% e atyre me hepatit C (ose 1.1 milionë njerëz) filluan trajtimin në vitin 2015. Globalisht, mungesa e ndërgjegjësimit dhe qasja e dobët ndaj shërbimeve të trajtimit të hepatiteve do të thotë se, shumica e njerëzve që kanë nevojë për trajtim nuk e marrin atë. Trajtimi i duhur i hepatitit B dhe C mund të parandalojë zhvillimin e shumicës së komplikacioneve të rrezikshme për jetën prej sëmundjeve kronike të mëlçisë, shkaktuar nga hepatiti; cirozë dhe kancer i mëlçisë. OBSH-ja këshillon që me rritjen e shkallës së trajtimit, 7 milionë jetë mund të shpëtohen midis viteve 2015 deri 2030, me mjaft përfitime ekonomike.
Objektivat globale për vitin 2030 janë: 90% e njerëzve me hepatit B dhe C të jenë testuar dhe 80% e pacientëve të testuar të arrijnë të marrin trajtim.
- Hepatiti viral shkaktoi 1.34 milionë vdekje në vitin 2015 – i krahasueshëm me vdekjen nga tuberkulozi, dhe tejkalon shumë vdekjet nga HIV. Vdekjet nga hepatiti po rriten.
- Infeksionet e reja nga hepatiti vazhdojnë të ndodhin, kryesisht nga hepatiti C.
Numri i fëmijëve nën moshën pesë vjeç që jetojnë me hepatit B kronik u zvogëlua në 1.3% në vitin 2015 (nga 4.7% para se të futeshin vaksinat).
Vaksina e hepatitit B parandalon rreth 4.5 milionë infeksione në vit te fëmijët. Megjithatë, 1.75 milionë të rritur u infektuan me hepatit C në vitin 2015, kryesisht për shkak të përdorimit të drogës me injeksion dhe për shkak të injeksioneve të pasigurta në mjediset e kujdesit shëndetësor në disa shtete.
- Arritja e objektivit për eliminimin e hepatitit në vitin 2030 nuk është tepër ambicioz; Raportet nga 28 vende me barrë të lartë japin shkak për optimizëm.
Në Ditën Botërore të Hepatitit 2017, OBSH publikon 28 profilet e vendeve me prevalencë më të lartë të hepatitit, të cilat tregojnë se, pavarësisht nga shumë sfida, përpjekjet globale për të eliminuar hepatitin po fitojnë terren. Sidoqoftë, ende mbeten pengesa të mëdha.