28 Korrik 2016, Dita Botërore e Hepatitit

Loading Events
  • This event has passed.
Description

Njih hepatitin – Vepro tani

Dita Botërore e Hepatitit, 28 korrik 2016, është një mundësi për të rritur përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare lidhur me parandalimin e hepatitit dhe për t’u bërë thirrje partnerëve dhe shteteve anëtare për të mbështetur dhe çuar përpara Strategjinë e Parë Botërore të Shëndetit për Hepatitet Virale për 2016-2021, e cila është miratuar gjatë Asamblesë 69 Botërore të Shëndetit, maj 2016.

Strategjia e re prezanton për herë të parë objektiva globale për hepatitin viral. Këto përfshijnë një reduktim 30% të rasteve të reja me hepatit B dhe C, dhe një reduktim prej 10% të vdekshmërisë prej tij në vitin 2020.

Qasjet kryesore do të jenë: zgjerimi i programeve të vaksinimit për hepatitin B; fokusimi/ përqendrimi në parandalimin nga nëna tek fëmija të hepatitit B; përmirësimi i sigurisë së injeksioneve, të gjakut dhe manipulimeve kirurgjike; shërbimet e “reduktimit të dëmit” për njerëzit të cilët injektojnë droga; rritja e qasjes në diagnostikimin dhe trajtimin e hepatitit B e C.

 

Njih hepatitin – Vepro tani

Në Ditën Botërore të Hepatitit 2016, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bën thirrje politikëbërësve, stafit shëndetësor dhe publikut “të njohin hepatitin, të veprojnë tani”.

OBSH-ja i bën thirrje atyre që të informohen në lidhje me infeksionin, të marrin veprime pozitive për të njohur statusin e tyre duke u testuar, dhe më në fund të kërkojnë trajtim për të reduktuar vdekjet e panevojshme nga ky infeksion i parandalueshëm dhe i trajtueshëm.

Aktivitetet do të zhvillohen në mbarë botën për të përmirësuar njohuritë e publikut për rrezikun e hepatitit, dhe për të përmirësuar qasjen ndaj shërbimeve të testimit dhe trajtimit të hepatitit.

Hepatiti viral – një grup i sëmundjeve infektive të njohura si hepatiti A, B, C, D dhe E – ndikon jetën e qindra miliona njerëzve në mbarë botën, duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë dhe vrasjen e afër 1.4 milionë njerëzve çdo vit, kryesisht nga hepatiti B dhe C. Është vlerësuar se vetëm 5% e njerëzve me hepatit kronik e dinë që janë të infektuar, dhe më pak se 1% e tyre kanë qasje në trajtim.

Mesazhet kryesore të Ditës Botërore të Hepatitit 2016

Njih hepatin – A JE NË RREZIK?

Hepatiti viral B dhe C prek 400 milionë njerëz në gjithë botën. 130-150 milionë njerëz kanë hepatit kronik C. Hepatiti shkakton 80% të vdekjeve prej kancerit të mëlçisë. Duke pasur parasysh madhësinë e epidemisë, çdokush dhe të gjithë mund të jetë në rrezik. 

Njih hepatin – TESTOHU

Rreth 95% e njerëzve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre. Në shumë vende, testet e hepatitit janë komplekse dhe mund të jenë të kushtueshme, por udhëzuesi i OBSH-së mbi testimin për hepatitin do t’u japë vendeve këshilla për strategji të thjeshta testimi që do t’i ndihmojnë ata për të mundësuar shërbime testimi për hepatitin.

Njih hepatin – KËRKO TRAJTIM

Globalisht, mungesa e ndërgjegjësimit dhe qasja e dobët ndaj shërbimeve të trajtimit të hepatiteve do të thotë se, shumica e njerëzve që kanë nevojë për trajtim nuk e marrin atë.

Mbi 90% e njerëzve me hepatit C mund të shërohen plotësisht nga virusi brenda 3-6 muajve.

Trajtimi i duhur i hepatitit B dhe C mund të parandalojë zhvillimin e shumicës së komplikacioneve të rrezikshme për jetën prej sëmundjeve kronike të mëlçisë shkaktuar nga hepatiti; cirozë dhe kancer i mëlçisë.

OBSH-ja këshillon që me rritjen e shkallës së trajtimit, 7 milionë jetë mund të shpëtohen mes viteve 2015 dhe 2030, me mjaft përfitime ekonomike.

HEPATITI B

Fakte kryesore

  • Hepatiti B është një infeksion viral i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit B, që mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik të saj.
  • Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore (p.sh. sperma apo sekrecionet vaginale) të një personi të infektuar.
  • Vlerësohet se rreth 240 milionë njerëz janë me infeksion kronik të hepatitit B.
  • Më tepër se 686.000 persona vdesin çdo vit nga hepatiti B; duke përfshirë cirrozën dhe kancerin e mëlçisë.
  • Hepatiti B është një rrezik i rëndësishëm në punë për punonjësit e shëndetësisë.
  • Megjithatë, hepatiti B mund të parandalohet me vaksinën e sigurt dhe efektive që aktualisht është në dispozicion.

______________________________________________________________________________

 

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë i rrezikshëm për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B. Hepatiti B është problem madhor global shëndetësor. Ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuajse gjithmonë fatal, dhe shpesh zhvillohet te persona në moshën më produktive.

Transmetimi

Virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina. Në zonat me përhapje të gjerë të hepatitit B, zakonisht ai përhapet nga nëna tek fëmija gjatë lindjes, ose gjatë ekspozimit ndaj gjakut të infektuar, nga një fëmijë i infektuar tek një fëmijë i painfektuar gjatë 5 viteve të para të jetës. Gjithashtu virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar apo me lëngje të tjera të trupit (si lëngjet vaginale, menstruale, sperma) të një personi të infektuar.

Transmetimi seksual i hepatitit B mund të ndodhë veçanërisht në meshkujt e pavaksinuar që  kryejnë seks me meshkuj, te personat heteroseksualë që kanë shumë partnerë seksualë, si dhe nga kontaktet me punonjësit e seksit. Transmetimi i virusit mund të ndodhë edhe nëpërmjet ripërdorimit të ageve e shiringave në mjediset e kujdesit shëndetësor, ose në persona që injektojnë drogë. Përveç kësaj, infeksioni mund ndodhë gjatë procedurave mjekësore, kirurgjike dhe dentare, bërjes së tatuazheve, ose nëpërmjet përdorimit të makinave të  rrojes dhe objekteve të ngjashme që janë të ndotura me gjak të infektuar.

Shenjat

Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Megjithatë, disa njerëz shfaqin shenja që zgjasin disa javë duke përfshirë zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përziera, të vjella dhe dhimbje barku. Një pjesë e personave me hepatit mund të zhvillojnë dëmtim akut të mëlçisë që mund të çojë në vdekje. Te disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Mbi 90% e të rriturve të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit B por që nuk kanë komplikacione, do të shërohen natyrshëm nga virusi brenda vitit të parë.                               

Kush është në rrezik për infeksion kronik të mëlçisë

Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët më të vegjël se 6 vjeç të cilët infektohen me virusin e hepatitit B kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike: 80-90% e foshnjave të infektuara gjatë vitit të parë të jetës, dhe 30-50% e fëmijëve të infektuar para moshës 6 vjeç zhvillojnë infeksion kronik. Ndërsa më pak se 5% e të rriturve që janë të infektuar do të zhvillojnë infeksion kronik; rreth 20-30% e të rriturve me infeksion kronik do të zhvillojnë cirrozë dhe/ose kancer të mëlçisë.

Diagnoza

Nga shenjat klinike nuk mund të diferencohet hepatiti B nga hepatiti i shkaktuar nga agjentë të tjerë viral; kështu konfirmimi laboratorik i diagnozës është thelbësor. Një numër testesh gjaku janë në dispozicion për të diagnostikuar njerëzit me hepatit B. Ato mund të përdoren edhe për të dalluar infeksionet akute dhe kronike.

Diagnoza laboratorike e infeksionit të hepatitit B fokusohet në zbulimin e antigjenit të virusit të hepatitit B-HBsAg. OBSH-ja rekomandon që të gjitha dhurimet e gjakut të testohen për hepatit B për sigurinë e gjakut, për të shmangur transmetimin aksidental për njerëzit që marrin produktet e gjakut. Prania e HBsAg për të paktën 6 muaj është shënues kryesor i rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kronike të mëlçisë-cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. 

Trajtimi

Nuk ka trajtim specifik për hepatitin akut B. Hepatiti kronik B mund të trajtohet me medikamente, duke përfshirë preparate antivirale nga goja. Trajtimi mund të ngadalësojë progresin e cirrozës së mëlçisë, redukton incidencën e kancerit të mëlçisë dhe përmirëson mbijetesën afatgjatë. Në shumicën e njerëzve trajtimi nuk shëron infeksionin e hepatitit B, por vetëm pengon shtimin e virusit. Prandaj shumica e njerëzve që fillojnë trajtimin e hepatitit B duhet ta vazhdojnë atë gjithë jetën.

Parandalimi

Një vaksinë kundër hepatitit B është në dispozicion që nga viti 1982, duke parandaluar infeksionin dhe pasojat kronike të tij. Vaksina është 95% e efektshme në parandalimin e infeksionit dhe pasojave kronike të tij, hepatitit kronik, cirrozës dhe kancerit të mëlçisë.

Vaksina e hepatitit B është shtylla e parandalimit të hepatitit B. OBSH-ja rekomandon që gjithë fëmijët të marrin vaksinën e hepatitit B sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, mundësisht brenda 24 orëve. Kjo dozë pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit.

Gjithashtu, duhet të vaksinohen grupet me rrezik të lartë si:

·         Njerëzit të cilët shpesh kanë nevojë për gjak apo produkte të tij, pacientët që bëjnë dializë, si dhe marrësit e transplatimit të organeve (OBSH-ja rekomandon që gjaku i dhuruar të testohet për hepatit B, për të shmangur transmetimin te njerëzit që marrin produkte gjaku).

·         Të burgosurit.

·         Personat që injektojnë drogë.

·         Familjarët dhe partnerët seksualë të personave me infeksion kronik të hepatitit B.

·         Personat me shumë partnerë seksualë.

·         Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata të cilët mund të jenë të ekspozuar ndaj gjakut dhe produkteve të tij gjatë punës së tyre.

·         Udhëtarët që nuk kanë përfunduar skemën e tyre të vaksinimit të hepatitit B, të cilëve duhet t’u ofrohet vaksina para se të nisen në zonat endemike. Vaksina ka një siguri dhe efektivitet të lartë. Përveç kësaj, zbatimi i strategjive të tjera të sigurisë të gjakut, duke përfshirë sigurimin e testimit të të gjithë gjakut të dhuruar dhe komponentëve të tij të përdorur për transfuzion, mund të parandalojë transmetimin e virusit të hepatitit B. Praktikat e injeksioneve të sigurta, duke eliminuar injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, mund të jetë strategji efektive për t’u mbrojtur kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. Gjithashtu, praktikat më të sigurta seksuale, duke përfshirë minimizimin e numrit të partnerëve e përdorimin e masave mbrojtëse (prezervativë) mbrojnë kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. 

HEPATITI C

Fakte kryesore

  • Hepatiti C është një sëmundje e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit C.
  • Virusi mund të shkaktojë si hepatit akut ashtu edhe hepatit kronik. Hepatiti C mund të shkojë nga një sëmundje e lehtë që zgjat disa javë, deri në një gjendje të rëndë apo të përjetshme që mund të çojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë.
  • Virusi i hepatitit C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar. Mënyrat më të zakonshme të infeksionit janë nëpërmjet praktikave të pasigurta të injektimit, sterilizimit të papërshtatshëm të pajisjeve mjekësore në disa mjedise të kujdesit shëndetësor, si dhe gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara.
  • 130-150 milionë njerëz në nivel global kanë hepatit kronik C. Një numër i konsiderueshëm i personave me infeksion kronik do të zhvillojnë cirrozë ose kancer të mëlçisë. Në 25% të pacientëve me kancer të mëlçisë, shkaku kryesor është hepatiti C.
  • Çdo vit, 700.000 njerëz vdesin nga sëmundje të mëlçisë të lidhura me hepatitin C.
  • Medikamentet antivirale mund të kurojnë gati 90% të personave me hepatit C, dhe të reduktojnë rrezikun e zhvillimit të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, por mundësia për diagnostikim dhe trajtim është e ulët.
  • Aktualisht nuk ka vaksinë për hepatitin C, megjithatë studimet në këtë fushë vazhdojnë.

______________________________________________________________________________

 

Infeksioni nga virusi i hepatitit C shkakton hepatit akut dhe kronik. Infeksioni akut nga virusi i hepatitit C zakonisht është pa shenja. Rreth 15-45% e personave të infektuar pastrohen në mënyrë spontane nga virusi, brenda 6 muajve të infektimit pa asnjë lloj trajtimi. Pjesa e mbetur prej 55-85% e këtyre personave zhvillojnë hepatitin C kronik, ku rreziku i cirrozës së mëlçisë është 15-30% brenda 20 viteve.

Hepatiti C është i përhapur në mbarë botën. Ka variacione të shumta të virusit të hepatitit C dhe shpërndarja e tyre ndryshon sipas rajonit/vendeve. Në varësi të vendit, hepatiti C mund të përthapet në popullata të veçanta (p.sh. ata që injektojnë drogë) dhe/ose  te popullata e përgjithshme.

Si transmetohet

Virusi i hepatitit C është një virus që zakonisht transmetohet:

  • Duke injektuar drogë nëpërmjet shkëmbimit të pajisjeve të injektimit.
  • Në institucionet shëndetësore për shkak të ripërdorimit apo sterilizimin jo adekuat të pajisjeve mjekësore.
  • Nëpërmjet transfuzionit të gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara.

Hepatiti C mund të përhapet edhe nëpërmjet rrugës seksuale dhe të kalojë nga një nënë e infektuar tek bebi i saj; megjithatë këto mënyra transmetimi janë shumë më pak të zakonshme.

Hepatiti C nuk përhapet nëpërmjet qumështit të gjirit, ushqimit ose ujit, apo nga kontaktet e përditshme të tilla si puthja, përqafimi, ngrënia e ushqimit ose pirja nga një person i infektuar.

Cilat janë shenjat e hepatitit C  

Periudha e inkubacionit për hepatitin C është 2 javë deri 6 muaj. Pas infektimit fillestar, përafërsisht 80% e njerëzve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ata njerëz që shfaqin shenja mund të kenë ethe, lodhje, rënie të oreksit, të përziera, të vjella, dhimbje barku, urinë të errët, fece të çngjyrosura në gri, dhimbje të kyçeve, si dhe zverdhje të lëkurës dhe të bardhës së syve.

Si vendoset diagnoza

Për shkak të faktit se infeksioni akut me virusin e hepatitit C është zakonisht asimptomatik, diagnoza e hershme e infeksionit është e rrallë. Tek ata njerëz që zhvillojnë infeksionin kronik, infeksioni mund të mbetet i padiagnostikuar deri kur shfaqen dëmtime serioze të mëlçisë.

Infeksioni me virusin e hepatitit C diagnostikohet në 2 hapa:

 

  1. Kontrolli për antitrupat antivirus C, me një test serologjik i cili identifikon personat që kanë qenë të infektuar me virusin e hepatitit C.
  2. Nëse testi është pozitiv për antitrupat C, një test tjetër (RNA) është i nevojshëm për të konfirmuar infeksionin kronik. Kjo sepse rreth 15-45% e njerëzve të infektuar me virusin e hepatitit C pastrohen spontanisht prej infeksionit nga një përgjigje e fortë imunitare e organizmit, pa patur nevojë për trajtim. Edhe pse nuk janë më të infektuar, ata ende do të rezultojnë pozitivë për antitrupat antivirus C.

 

Përveç kësaj, këta persona duhet të bëjnë një test laboratorik për të identifikuar gjenotipin/llojin e virusit të hepatitit C. Kjo për arsye se a) ka disa (6) gjenotipe të virusit të hepatitit C, b) personat e infektuar reagojnë në mënyra të ndryshme nga trajtimi c) është e mundur që një person të infektohet me më shumë se një gjenotip. Të dyja së bashku, shkalla e dëmtimit të mëlçisë dhe gjenotipi i virusit përdoren për të marrë vendimet e trajtimit dhe menaxhimit të sëmundjes.

Pasi personi është diagnostikuar me infeksion kronik të hepatitit C, ai duhet të bëjë një vlerësim të shkallës së dëmtimit të mëlçisë (nëse ka fibrozë apo cirrozë). Kjo arrihet nëpërmjet bërjes së biopsisë së mëlçisë ose shumë testeve të tjera.

 

Diagnoza e hershme mund të parandalojë problemet shëndetësore që mund të rezultojnë nga infeksioni, si dhe të parandalojë transmetimin e virusit te të tjerët.

 

OBSH-ja rekomandon testimin për njerëzit që mund të jenë në rrezik për infeksion si :

  • Personat që injektojnë droga dhe ata që marrin drogë intranazale.
  • Personat që marrin gjak/produkte të gjakut të infektuara, ose që i janë nënshtruar procedurave invazive në shërbime shëndetësore me praktika të papërshtatshme të kontrollit të infeksionit.
  • Fëmijët e lindur nga nënat e infektuara me virusin e hepatitit C.
  • Personat me partnerë seksualë të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit C.
  • Personat me infeksionin HIV.
  • Të burgosurit apo ata që kanë qenë më parë të burgosur.
  • Personat të cilët kanë bërë tatuazhe apo piercings.

 

Si trajtohet

 

Hepatiti C jo gjithmonë kërkon trajtim, mbasi te disa njerëz një përgjigje e fortë imunitare  pastron infeksionin dhe te disa të tjerë me infeksion kronik nuk zhvillon dëmtime të mëlçisë. Kur trajtimi është i nevojshëm duhet përzgjedhur me kujdes, me qëllim përcaktimin e metodës më të përshtatshme për pacientin. Kjo mbasi mjekimi varet nga disa faktorë, midis të cilëve nënlloji i virusit të hepatitit C dhe tipi i mjekimit të dhënë.

Trajtimi aktual standard për hepatitin C është duke ndryshuar me shpejtësi. Deri kohët e fundit, trajtimi i hepatitit C është bazuar në terapinë me interferon e ribavirinë, e cila kërkonte injeksione javore. Kohët e fundit janë zhvilluar preparate të reja antivirale që janë shumë më efektive, më të sigurta dhe të toleruara më mirë nga organizmi se terapitë e vjetra. Kjo terapi mund të shërojë shumicën e personave me hepatit C, trajtimi është më i shkurtër dhe më i sigurt.

 

Parandalimi

  1. Parandalimi parësor

 

Akoma nuk ka vaksinë për hepatitin C, megjithatë rreziku i infeksionit mund të reduktohet duke shmangur rrezikun e ekspozimit ndaj infektimit si: injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, produktet e pasigurta të gjakut, grumbullimin e pasigurt të shiringave e mbetjeve, përdorimin e drogave të paligjshme dhe shkëmbimin ë mjeteve të injektimit, seksin e pambrojtur me njerëz të infektuar me hepatit C, ndarjen e sendeve personale të mprehta që mund të jenë ndotur me gjak të infektuar, bërjen e tatuazheve, piercings dhe akupunkturën me pajisje të infektuara.

OBSH-ja rekomandon një listë të ndërhyrjeve parandaluese parësore:

  • Higjiena e duarve: duke përfshirë larjen e duarve dhe përdorimin e dorezave;
  • trajtimi i sigurt dhe asgjësimi i mjeteve të mprehta dhe i mbeturinave;
  • ofrimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse-reduktimi i dëmit te njerëzit që injektojnë droga, duke përfshirë pajisjet sterile injektuese;
  • testimi i gjakut të dhuruar për hepatitin C dhe B (si HIV dhe sifilis);
  • trajnimi i personelit shëndetësor;
  • promovimi i përdorimit të saktë dhe konsistent të kondomëve.

 

  1. Parandalimi dytësor dhe tretësor

 

Për njerëzit e infektuar me virusin e hepatitit C, OBSh-ja rekomandon:

  • Edukimin dhe këshillimin mbi mundësitë që ekzistojnë për parandalim, kujdesin dhe trajtimin.
  • Vaksinimin kundër hepatitit A e B për të parandaluar bashkëinfeksionin nga këto lloj virusesh për të mbrojtur mëlçinë.
  • Menaxhimin e hershëm dhe të përshtatshëm mjekësor, duke përfshirë terapinë antivirale nëse është e përshtatshme.
  • Monitorimin e rregullt për diagnostikimin e hershëm të hepatitit kronik.

 

 

Start Date - End Date

Jul 28, 2016 - Aug 03, 2016

Start Time - End Time

6:00 am - 3:00 pm

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This