26 SHTATOR 2019 Dita Botërore e Kontracepsionit
- This event has passed.
Description
26 SHTATOR 2019
DITA BOTËRORE E KONTRACEPSIONIT
Dita Botërore e Kontracepsionit është një fushatë globale që organizohet çdo vit më 26 shtator, që prej vitit 2007. Qëllimi i kësaj fushate vjetore është të rrisë ndërgjegjësimin mbi kontracepsionin, si dhe të mundësojë që çdokush të bëjë zgjedhje të informuara për shëndetin e tij seksual dhe riprodhues.
Motoja e Ditës Botërore të Kontracepsionit- “Është jeta juaj, është përgjegjësia juaj” , inkurajon përdorimin e kontracepsionit për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Disa fakte kryesore mbi Planifikimin familjar/Kontracepsionin
Më 30 shtator 2016, numri i popullsisë globale ishte 7.342.686.578. Edhe duke supozuar se nivelet e lindjeve do të vazhdojnë të bien, popullsia globale pritet të arrijë në 8.6 miliardë në vitin 2030, në 9.8 miliardë në vitin 2050 dhe 11.2 miliardë në vitin 2100.
Është vlerësuar se rreth 30% e rritjes së popullsisë në botë (28 milionë lindje) ndodh për shkak të shtatzënive të padëshiruara ose aksidentale, kryesisht për shkak të mungesës së informacionit bazë mbi riprodhimin seksual.
214 milionë gra të moshës riprodhuese në vendet në zhvillim do të donin të shmangnin shtatzëninë, por ndërkohë ato nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive.
Çdo vit,në të gjithë botën, rreth 41% e shtatzënive janë tëpadëshiruara dhe më shumë se gjysma e tyre përfundojnë në abort.
Këto ndodhin te femrat që nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive ose nga përdorimi jo i duhur i tyre; shpesh për shkak të mungesës së njohurive mbi kontraceptivët.
Disa metoda të planifikimit familjar si p.sh. kondomi, ndihmojnë edhe në parandalimin e transmetimit të HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.
Planifikimi familjar përforcon të drejtat e njeriut për të përcaktuar numrin e fëmijëve të dëshiruar dhe hapësirën nga njëra lindje tek tjetra.
Duke parandaluar shtatzëninë e padëshiruar, planifikimi familjar/ kontracepsioni parandalon vdekjen e nënave dhe fëmijëve.
PËRFITIMET E PLANIFIKIMIT FAMILJAR
Promovimi i planifikimit familjar dhe sigurimi i metodave kontraceptive të preferuara për gratë dhe çiftet, është thelbësor:
- Për sigurimin e mirëqenies dhe pavarësisë së grave, për shëndetin dhe zhvillimin e komuniteteve.
- Për të caktuar madhësinë e familjeve (numrin e dëshiruar të fëmijëve) dhe hapësirën midis shtatzënive.
- Parandalon rreziqet shëndetësore të lidhura me shtatzëninë te gratë. Aftësia e një gruaje për të zgjedhur, nëse dhe kur do të jetë shtatzënë, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e saj.
- Mundëson vonimin e shtatzënisë dhe pakëson rrezikun për probleme shëndetësore e vdekje prej shtatzënive në moshë të hershme.
- Parandalon shtatzënitë e padëshiruara, me rreziqe të larta,edhe te gratë në moshë të madhe.Të dhënat tregojnë se gratë që kanë më shumë se katër fëmijë janë më të rrezikuara ndaj vdekjes.
- Kufizon nevojën për abort të pasigurt, dhe rrjedhimisht vdekjet prej këtyre aborteve.
Ul vdekshmërinë foshnjore
Planifikimi familjar mund të parandalojë shtatzënitë dhe lindjet afër njëra-tjetrës, duke kontribuar në uljen e vdekshmërisë foshnjore në botë. Foshnjat e lindura nga një shtatzëni e padëshiruar kanë norma të larta të vdekshmërisë. Gjithashtu, foshnjat e nënave që vdesin si pasojë e lindjes, rrezikohen më shumë gjatë jetës dhe kanë shëndet jo të mirë.
Ndihmon parandalimin e HIV/AIDS
Planifikimi familjar zvogëlon rrezikun e shtatzënive të padëshiruara te gratë që jetojnë me HIV, duke rezultuar në foshnja më pak të infektuara, si dhe në më pak jetimë (për shkak të vdekjes së nënave të tyre). Përveç kësaj, prezervativët (si një metodë e planifikimit familjar) sigurojnë mbrojtje të dyfishtë, si për shtatzënitë e padëshiruara ashtu edhe për Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme, përfshirë HIV-in.
Ndihmon fuqizimin e njerëzve dhe rritjen e arsimimit
Planifikimi familjar përfaqëson një mundësi për gratë që të ndjekin arsimin shtesë dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke përfshirë punësimin. Përveç kësaj, familja më e vogël u lejon prindërve të investojnë më shumë për secilin fëmijë. Çiftet me më pak fëmijë kanë më tepër mundësi t’u sigurojnë atyre ushqim, veshje, strehim e shkollim. Fëmijët me më pak vëllezër e motra kanë më shumë mundësi për t’u shkolluar më gjatë.
Kufizon shtatzënitë tek adoleshentet
Shumë vajza adoleshente që mbeten shtatzënë duhet të lënë shkollën. Kjo ka ndërlikime afatgjata për ato si individë, por edhe për familjet dhe komunitetet e tyre. Adoleshentet shtatzëna kanë më shumë gjasa të kenë lindje parakohe apo fëmijë me peshë të ulët në lindje. Bebet e lindura nga adoleshentet kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë foshnjore.
Ngadalëson rritjen e popullsisë
Planifikimi familjar është çelësi për ngadalësimin e rritjes së paqëndrueshme të popullsisë dhe efektit që ajo ka në planet. Rritja e pakufizuar e popullsisë ka ndikime negative në ekonomi e mjedis, si dhe në përpjekjet për zhvillim kombëtar dhe rajonal.
Planifikimi familjar duhet të jetë gjerësisht i disponueshëm dhe lehtësisht i qasshëm nëpërmjet stafit të trajnuar shëndetësor, për këdo që është seksualisht aktiv, përfshirë adoleshentët.
Planifikimi familjar i lejon njerëzit të arrijnë numrin e tyre të dëshiruar të fëmijëve, dhe të përcaktojnë ndarjen midis shtatzënive. Kjo arrihet përmes përdorimit të metodave kontraceptive (dhe trajtimit të infertilitetit).
Sot ekzistojnë një sërë metodash moderne kontraceptive femërore dhe mashkullore, si psh: pilulat, injeksioni, DIU-ja/Tubi/Spiralja, prezervativi, sterilizimi femëror e mashkullor, norplantet etj.
Në vendin tonë shërbimet e planifikimit familjar ofrohen në tre nivelet e kujdesit shëndetësor -kujdesin shëndetësor parësor: qendrat shëndetësore dhe ambulancat në qytet e fshat; kujdesin shëndetësor dytësor: qendrat e planifikimit familjar në maternitetet e rretheve; kujdesin shëndetësor tretësor: qendrat e gruas pranë Spitaleve Universitare Obstetrik-Gjinekologjik –e, maternitetin “Nëna Geraldinë” dhe “KoçoGliozheni” në Tiranë.
Nga viti 1996, kontraceptivët si pilula, prezervativi, injeksioni, DIU-ja dhe lidhja e tubave, ofrohen falas në të gjitha shërbimet shëndetësore publike. Lidhja e tubave dhe vendosja e DIU-së në mitër, realizohet vetëm në maternitete nga mjekë specialistë obstetër-gjinekolog.
Kontraceptivët ofrohen edhe në sektorin jopublik në të gjitha farmacitë e vendit.
Një femër përpara se të fillojë të përdorë një metodë kontraceptive duhet të konsultohet me personelin shëndetësor, i cili ndihmon në zgjedhjen e metodës që do të përdoret, si dhe jep informacion më të hollësishëm për metodën e zgjedhur.