20 Tetor 2016, Dita Botërore e Osteoporozës
- This event has passed.
Description
20 Tetor 2016
Dita Botërore e Osteoporozës
Mesazhi kryesor i Ditës Botërore të Osteoporozës këtë vit është
Kujdesu për kockat e tua! Mbro veten tënde nga osteoporoza dhe thyerja e kockave!
Bëj ushtrime rregullisht!
Përdor dietë për kocka të shëndetshme!
Konsultohu me mjekun lidhur me rrezikun tënd për osteoporozë!
Çfarë është OSTEOPOROZA?
Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës humbet gradualisht dhe në mënyrë të heshtur duke e bërë atë më të thyeshme. Osteoporoza është quajtur si “epidemi e heshtur”.
Disa fakte botërore mbi osteoporozën
- Aktualisht vlerësohet se mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza.
- Osteoporoza është përgjegjëse për shumicën e frakturave në njerëzit mbi 50 vjeç. Afërsisht 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç do të pësojnë një thyerje kocke për shkak të osteoporozës.
- Te femrat mbi 45 vjeç, llogariten më shumë ditë-qëndrimi në spital nga osteoporoza sesa nga sëmundje të tjera si infarkti, diabeti, kanceri i gjirit etj. Te meshkujt rreziku i thyerjeve nga osteoporoza është 27% më i lartë se rreziku nga kanceri i prostatës.
- Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Çdo tri sekonda ndodh një frakturë nga osteoporoza.
- 50% e njerëzve që kanë patur një thyerje kocke të mëparshme nga osteoporoza do të kenë një thyerje tjetër të kockave.
- Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me një nivel vdekshmërie deri në 20-24% në vitin e parë pas frakturës.
- Thyerja e kockave të legenit mund të shkaktojë humbjen e funksionit dhe aftësisë për të vepruar vetë: 40% janë të paaftë të ecin në mënyrë të pavarur; 60% kërkojnë ndihmë një vit më vonë mbas frakturës; 33% bëhen totalisht të varur nga të tjerët pas një viti.
- Vetëm në Bashkimin Evropian kostoja e frakturave të tilla është mbi 37 bilionë euro çdo vit dhe do të rritet me 25% në vitin 2025.
- Shumica e pacientëve me thyerje për shkak të osteoporozës nuk vlerësohen dhe as trajtohen nga sistemi i kujdesit shëndetësor. 80% e njerëzve që kanë patur së paku një thyerje nga osteoporoza kanë qenë të padiagnostikuar apo të patrajtuar për osteoporozë. Vetëm 40% e personave që trajtohen për një kohë të gjatë me kortizonikë dhe që janë në rrezik të lartë për thyerje nga osteoporoza, janë testuar apo janë trajtuar për osteoporozën.
- Urbanizimi dhe plakja e popullsisë po çojnë në rritje të shpejtë të barrës së sëmundshmërisë prej osteoporozës.
- Deri në vitin 2050, është parashikuar që incidenca e thyerjeve të kockave të legenit nga osteoporoza në të gjithë botën të rritet me 310% te meshkuj dhe 240% te femrat.
Kush preket nga osteoporoza?
Osteoporoza prek femrat dhe meshkujt. Shpesh osteoporoza mendohet si sëmundje e femrave, por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Frakturat janë më të pakta te meshkujt, por kur ato ndodhin kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie sesa te femrat.
Disa faktorë duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë.
Faktorë rreziku të pandryshueshëm
Mosha – humbja e indit kockor në përgjithësi fillon pas moshës 40-50 vjeç, atëherë kur organizmi ynë nuk është në gjendje të zëvendësojë indin kockor me të njëjtin ritëm me të cilin e humbet atë. Kështu me rritjen e moshës rreziku për osteoporozë rritet.
- Gjinia – gratë, në mënyrë të veçantë ato mbas menopauzës, janë më të rrezikuara për osteoporozë. Ndryshimet hormonale të cilat ndodhin në menopauzë janë një nga arsyet pse femrat janë në rrezik më të lartë për osteoporozë sesa meshkujt.
- Historitë familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit) me osteoporozë ose thyerje që rezultojnë pas një goditjeje apo rënieje fare të vogla tregojnë rrezik për osteoporozë.
- Një frakturë e mëparshme fare pa shkak rrit rrezikun për një frakturë tjetër gati 2 herë.
- Menopauza – gratë në menopauzë duhet të jenë më vigjilente për shëndetin e kockave të tyre.
- Hypogonadizmi te meshkujt – ashtu si deficiti i hormoneve estrogen te femrat në menopauzë, deficienca e androgeneve te meshkujt rrit rrezikun për osteoporozë.
- Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve si: kortizonikë, hormone të tiroides, atiepileptikë, citostatikë, etj.
- Artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike si keqpërthithja, sëmundjet kronike të mëlçisë, hyperthyroidismi, etj.
Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, njerëzit duhet të jenë në dijeni të tyre në mënyrë që të marrin masa për të reduktuar humbjen e masës kockore sa më shpejt të jetë e mundur. Për parandalimin dhe menaxhimin e osteoporozës është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual.
Faktorë rreziku të modifikueshëm
Disa prej faktorëve rrezikues për osteoporozën mund të mbahen nën kontroll, pra janë të modifikueshëm. Këta faktorë përfshijnë:
- Konsumin e lartë të alkoolit – njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool rrisin deri 40% rrezikun për frakturë nga osteoporoza.
- Pirjen e duhanit – studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më në rrezik se ata që nuk pinë.
- Indeksin e ulët trupor (IMB< 19-20kg/m2) është i lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rrezikut për fraktura.
- Ushqyerjen e varfër me kalcium dhe proteina të cilat rrisin rrezikun për osteoporozë.
- Marrjen e paktë/deficiti në vitaminë D, e cila është esenciale pasi ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak.
- Aktivitetin e ulët fizik – njerëzit që bëjnë jetë sedentare kanë më tepër mundësi për fraktura se të tjerë. P.sh. femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë, kanë 50% më tepër mundësi për fraktura të legenit se ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.
Cilat janë shenjat e osteoporozës?
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, nuk ka simptoma të dukshme që të tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye, osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo fraktura, mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës.
Si mund ta kuptojë një person që është në rrezik për osteoporozë?
Çdo njeri mund të vlerësojë rrezikun për osteoporozë duke plotësuar testin e mëposhtëm:
Test për përcaktimin e rrezikut për osteoporozë
- A jeni mbi 40 vjeç ? Po Jo
- A ka ndonjë prej prindërve tuaj gungë në kurriz (kurriz të dalë)? Po Jo
- A është diagnostikuar ndonjë prej prindërve tuaj me osteoporozë ose ka patur thyerje të ndonjë kocke pas rënies nga një lartësi fare e vogël? Po Jo
- A keni pësuar ndonjë thyerje kocke (në moshë të rritur) nga një rënie fare e vogël?Po Jo
- A rrëzoheni shpesh (mbi 1 herë në vit), apo keni frikë se rrëzoheni? Po Jo
- Pas moshës 40 vjeç, keni humbur më shumë se 3 cm në gjatësi? Po Jo
- Jeni nën peshë/është Indeksi i Masës tuaj Trupore/IMT më pak se 19 kg/m²? Po Jo (Shih në fund të testit si llogaritet IMT-ja)
- Keni marrë ndonjëherë mjekim me kortizonikë për më tepër se 3muaj rrjesht? Po Jo
- Jeni diagnostikuar ndonjëherë me artrit reumatoid/reumatizëm? Po Jo
- Jeni diagnostikuar ndonjëherë me sëmundje të tiroides, paratiroides, diabet tip 1, apo nga ndonjë çrregullim i të ushqyerit? Po Jo
Pyetje vetëm për femrat:
- A ju është shfaqur menopauza përpara moshës 45 vjeç? Po Jo
- Keni patur ndalim të periodave për më shumë se 12 muaj (përveç shtatzënisë)? Po Jo
- Keni hequr vezoret para moshës 50 dhe nuk keni marrë zëvendësues hormonal? Po Jo
Pyetje vetëm për meshkujt:
- Keni vuajtur ndonjëherë nga impotenca seksuale, mungesa e dëshirës seksuale apo
shenja të tjera të lidhura me nivele të ulëta të hormonit testosteron? Po Jo
Për të dy gjinitë:
- Pini rregullisht alkool më shumë se kufijtë e sigurt të pijes (>2 njësi në ditë)? Po Jo
- A pini aktualisht/keni pirë ndonjëherë cigare? Po Jo
- A kryeni aktivitetit fizik më pak se 30 minuta në ditë (përfshirë ecje, vrapim, etj)? Po Jo
- Keni shmangur pirjen e qumështit apo jeni alergjik ndaj qumështit e produkteve të tij, dhe nuk keni marrë kalcium shtesë? Po Jo
- A shpenzoni më pak se 10 minuta në ditë në mjedise të jashtme (me pjesët e trupit të ekspozuara ndaj diellit), pa marrë shtesë me vitaminë D? Po Jo
[Llogaritja e IMT-së: Pesha në kilogram/gjatësia në metër2(IMT=p/gj²).
Kategoritë e IMT-së: Nën peshë <18.5; peshë normale = 18.5-24.9; mbi peshë = 25-29.9; obez = 30 ose më tepër].
Nëse dikush i përgjigjet “po” ndonjë prej pyetjeve të testit, kjo nuk do të thotë që ka osteoporozë. Megjithatë, sa më shumë faktorë rreziku që të jenë aq më e madhe është mundësia për t’u shfaqur osteoporoza. Jini vigjilent ndaj faktorëve të rrezikut dhe kushtojini vetëm disa minuta plotësimit të testit për rrezikun ndaj osteoporozës.
Si diagnostikohet osteoporoza?
Për vendosjen e diagnozës rekomandohet kryerja e testit të matjes së dendësitetit kockor (BMD test). Një numër testesh të ndryshme për matjen e densitetit kockor janë në dispozicion, ndër të cilat DXA-ja, një rrezatim me doza të ulëta me rreze X. Të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë, të cilët kanë një faktor rreziku duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar vlerat referencë që rrjedhin nga matjet e densitetit kockor:
Kur BMD-ja e një personi është – 2.5 ose më e ulët vendoset diagnoza osteoporozë.
Më poshtë jepet sesi vlerësohen rezultatet e testit BMD.
Normal: -1 ose më tepërOsteopeni: midis -1 dhe -2.5Osteoporozë: -2.5 ose më i ulëtOsteoporozë e rëndë: -2.5 ose më i ulët , dhe prania e të paktën një frakture
5 . Si mund të parandalohet osteoporoza?
Pas moshës 20 vjeç hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re. Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është të fillohet aktiviteti fizik dhe zakone të shëndetshme të ushqyerjes qysh në fëmijëri, dhe të ruhen këto zakone edhe në moshë të rritur.
Bërja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve ka nevojë për 30-40 minuta 3 deri 4 herë në javë.
Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme – sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Ushqimet e pasura me kalcium janë:qumështi e produktet e tij, peshku i konservuar dhe sardelet, drithërat, perimet jeshile si brokoli dhe lakra jeshile, disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, arrat, bajamet, lëngjet e frutave, etj.
Vitamina D është gjithashtu esencilale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçitë, drithërat, etj.
Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Evitimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit, si dhe mbajtja brenda kufijve të normës e peshës trupore janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi dhe nuk duhet të merren në sasi të tepërt. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike (p.sh. pijet cola) dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
Vetëdijësimi për faktorët e rrezikut – çdo njeri duhet të jetë i vetëdijshëm për çdo faktor rreziku personal që mund të ndikojë në shëndetin e kockave dhe duhet të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.
Cilat janë trajtimet për osteoporozën?
Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë medikamente dhe suplementë për të parandaluar humbjen e masës kockore. Një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetesës mund të shmangë shumë nga frakturat.
Trajtimi i osteoporozës është efektiv vetëm nëse merret i rekomanduar nga mjeku.
Trajtimi i osteoporozës zgjat për periudha të gjata kohore, prandaj për shumë njerëz nuk është e këndshme. Por kjo nuk duhet të jetë arsye për ta ndërprerë mjekimin.
Trajtimet më të zakonshme që janë aktualisht në dispozicion ofrohen edhe në Shqipëri.
Krahas mjekimit, marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D është e domosdoshme mbasi ndihmon për të siguruar efektivitetin maksimal të mjekimit me medikamente.