20 Tetor 2015, Dita Botërore e Osteoporozës
- This event has passed.
Description
Dita Botërore e Osteoporozës është një fushatë sensibilizuese mbarë botërore, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin, diagnozën e hershme dhe trajtimin e osteoporozës. Dita Botërore e Osteoporozës organizohet çdo vit në 20 Tetor. Prej vitit 1997 Dita Botërore e Osteoporozës organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Osteoporozës, dhe çdo vit ka patur tema dhe mesazhe specifike. Mesazhi kryesor i këtij viti është:
Bëj më të mirën për shëndetin e kockave në çdo moshë!
Konsumo ushqime të pasura me kalçium, vitaminë D dhe proteina.
Dita Botërore e Osteoporozës 2015, fokusohet në rëndësinë e përdorimit të një dietë të shëndetshme të kockave gjatë gjithë jetës së një personi për të bërë më të mirën për shëndetin e kockave. Ajo përcjell mesazhin se hapi i parë në parandalimin e osteoporozës fillon qysh në rini, kur të ushqyerit ndihmon për të rritur fuqinë e ndërtimit të kockave, dhe vazhdon gjatë gjithë jetës duke u përpjekur për të mbajtur eshtra të fortë dhe në moshë të vjetër.
Megjithëse fushata përqendrohet në të ushqyerit, kjo nuk do të thotë se ushqyerja vepron si faktor i vetëm. Ka të tjerë faktorë që mund të vënë njerëzit në rrezik për osteoporozë si jetesa jo aktive, pirja e duhanit dhe përdorimi i alkoolit. Për parandalimin dhe menaxhimin e osteoporozës është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual. Të ushqyerit e dobët është një nga faktorët kryesorë të rrezikut.
Çfarë është OSTEOPOROZA?
OSTEOPOROZA ose kocka poroze, është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe kualiteti i saj reduktohet gradualisht. Gjatë osteoporozës kocka bëhet më poroze dhe më e thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe progresivisht, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë dhe në shumë raste është ajo e cila evidenton osteoporozën. Prandaj osteoporoza është quajtur si “epidemi e heshtur”. Sa më shumë rritet poroziteti i kockës aq më shumë rritet rrisku për fraktura. Frakturat mund të ndodhin pas një rënie fare të vogël apo dhe si rezultat i një aktiviteti/veprimi të zakonshëm të përditshëm. Frakturat zakonisht ndodhin në krah, dorë, shpinë, këllk dhe legen. Frakturat më të shpeshta dhe më serioze janë ato të legenit dhe të shpinës. Kockat e thyera shkaktojnë dhimbje të forta, palëvizshmëri dhe paaftësi afatgjatë: rezultati është cilësia e dobët e jetës dhe humbja e pavarësisë për të kryer aktivitetet e përditshme në mënyrë të pavarur.
Sa e shpeshtë është osteoporoza ?
Osteoporoza është një nga sëmundjet më të zakonshme me efekte të mëdha negative kronike, dhe një problem global shëndetësor. Çuditërisht, osteoporoza është më e zakonshme se sa disa sëmundje të tjera të cilat kanë marrë sot vemendjen e publikut. Afësisht 30% e të gjitha grave mbas menopauzës në Amerikë dhe Europë kanë osteoporozë.
Fakte botërore mbi osteoporozën
1. Aktualisht vlerësohet se mbi 200 milion njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza.
2. Osteoporoza është përgjegjëse për shumicën e frakturave në njerëzit mbi 50 vjeç. Afërsisht 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjec do të pësojnë një thyerje kocke për shkak të osteoporozën.
3. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milion fraktura në vit. Çdo tre sekonda ndodh një frakturë nga osteoporoza.
4. Thyerja e një kocke të mëparshme e rrit 86% riskun për një thyerje tjetër të kockave
5. Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me nivel vdekshmërie deri në 20-24% në vitin e parë pas frakturës.
6. Thyerja e kockave të legenit mund të shkaktojë humbjen e funksionit dhe aftësisë për të vepruar vetë: 40% janë të paaftë të ecin në mënyrë të pavarur; 60% kërkojnë ndihmë një vit më vonë mbas frakturës; 33% bëhen totalisht të varur nga të tjerët pas një viti
7. Vetëm në Bashkimin Evropian kostoja e frakturave të tilla është mbi 37 bilion euro çdo vit dhe do të rritet me 25% në 2025.
8. Shumica e pacientëve me thyerje për shkak të osteoporozës nuk vlerësohen dhe as trajtohet nga sistemi i kujdesit shëndetësor të tyre prandaj ka dështim për të reduktuar rrezikun.
9. Urbanizimi dhe plakja e popullsisë janë po çojnë në rritje të shpejtë të barrës së sëmundshmërisë prej osteoporozës.
10. Deri në vitin 2050, është parashikuar që incidenca e thyerjeve të kockave të legenit nga osteoporoza në të gjithë botën të rritet me 310% te meshkuj dhe 240% te femrat.
Kush mund të preket nga osteoporoza?
KEQKUPTIMI më i zakonshëm është se osteoporoza prek vetëm femrat. OSTEOPOROZA NUK ËSHTË SËMUNDJE VETËM E FEMRAVE. Është e vërtetë se gratë në menopauzë, janë më në rrisk për osteoporozë, prandaj shpesh osteoporoza mendohet si sëmundje e femrave. Por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës, me pasoja shkatërruese. Rreziku i frakturave tek meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Frakturat janë më të pakta tek meshkujt, por kur ato ndodhin kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie se sa tek femrat. Një e treta e të gjitha frakturave të këllkut në mbarë botën ndodhin tek meshkujt. Meshkujt kanë më shumë gjasa se sa femrat të vuajnë nga pasoja të rënda ose vdekje nga osteoporoza. Thyerja e shtyllës kurrizore te meshkujt e moshës 50-65 vjet rezulton në humbjen e produktivitetit të punës. Rreth 40% e meshkujve të cilët pësojnë thyerje të kockave nuk janë në gjendje të ecin në mënyrë të pavarur. Si rrjedhojë e frakturave të kockave të legenit 33% e individëve edhe pas një viti kanë nevojë për asistencën e të tjerëve. Me plakjen e popullsisë, një numër gjithnjë e në rritje i meshkujve në moshë do të vuajnë nga fraktura të ndryshme prej osteoporozës. Shumica e tyre madje as që janë identifikuar dhe as trajtuar për këtë sëmundje “të heshtur”, edhe pasi ata kanë pasur një frakturë/thyerje.
A ka faktorë që shtojnë rriskun për osteoporozë?
Disa faktorë duket se shtojnë rriskun për osteoporozë. Disa faktorë si psh gjinia apo mosha nuk mund të ndryshohen, ndërsa faktorë të tjerë (pirja e duhanit, alkolit, dieta e mangët me kalcium dhe vitamin D, mungesa e aktivitetit fizik, etj) janë të lidhur me stilin e jetesës dhe mund të modifikohen.
Faktorë risku të pandryshueshëm
• Mosha- humbja e indit kockor në përgjithësi fillon pas moshës 40-50 vjeç atëhere kur organizmi ynë nuk është në gjendje të zëvendësojë indin kockor me të njëjtin ritëm me të cilin e humbet atë. Kështu me rritjen e moshës rrisku për osteoporozë rritet.
• Gjinia-gratë në mënyrë të veçantë ato mbas menopauzës, janë më të rrezikuara për osteoporozë. Ndryshimet hormonale të cilat ndodhin në menopauzë janë një nga arsyet pse femrat janë në rrisk më të lartë për osteoporozë se sa meshkujt.
• Histori familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit) me osteoporozë ose thyerje që rezultojnë pas një goditje apo rënie fare të vogla tregojnë rrisk për osteoporozë
• Një frakturë e mëparshme fare pa shkak rrit rriskun për një frakturë tjetër gati 2 herë
• Menopauza-gratë në menopauzë duhet të jenë më vigjilente për shëndetin e kockave të tyre.
• Hypogonadizmi te meshkujt-ashtu si defiçiti i hormoneve estrogen te femrat në menopauzë, defiçienca e androgeneve tek meshkujt rrit rriskun për osteoporozë.
• Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve si: kortizonikë, hormone të tiroides, atiepileptik, citostatikë, etj.
• Artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike si malabsorbimi, sëmundje kronike të mëlçisë, hyperthyroidismi, etj.
Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, njerzit duhet të jenë në dijeni të tyre në mënyrë që të marrin masa për të reduktuar humbjen e masës kockore sa më shpejt të jetë e mundur.
Faktorë risku të modifikueshëm
Disa prej faktorëve rrisk për osteoporozën mund të mbahen nën kontroll, pra janë të modifikueshëm. Kjo do të thotë se çdonjeri mund të reduktojë impaktin e këtyre faktorëve për osteoporozë dhe fraktura.
Këta faktorë përfshijnë:
• Konsum i lartë i alkoolit- njerzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkol rrisin deri 40% rriskun për frakturë nga osteoporoza.
• Pirja e duhanit-studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më në rrisk se ata që nuk pinë
• Indeksi i ulët trupor (IMB< 19-20kg/m2) është i lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rriskut për fraktura
• Ushqyerje e varfër me kalcium dhe proteina- një dietë e ulët në kalcium dhe proteina rrit rriskun për osteoporozë
• Marrja e pakët/defiçiti në vitaminë D- vitamina D është esenciale sepse ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak.
• Aktivitet i pakët fizik- njërzit që bëjnë jetë sedentare kanë më tepër mundësi për fraktura se të tjerë. Psh femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë kanë 50% më tepër mundësi për fraktura të legenit se ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.
Cilat janë shenjat e Osteoporozës?
Duke qënë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, nuk ka simptoma të dukshme që të tregojnë që një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktim të gjatësisë trupore me disa cm apo fraktura mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës.
Materialin e plotë mund ta shkarkoni në formatin pdf : këtu