18 Tetor 2016, Dita Botërore Menopauzës
- This event has passed.
Description
18 Tetor 2016
Dita Botërore Menopauzës
Mesazhi i këtij viti për Ditën Botërore të Menopauzës është:
Këtë vit, fushata botërore e ndërgjegjësimit për menopauzën thekson rëndësinë e vlerësimit të faktorëve të rrezikut specifik te femrat, dhe parandalimin e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës dhe qarkullimit të gjakut gjatë periudhës së menopauzës.
Edhe pse sëmundjet e zemrës dhe ato të qarkullimit të gjakut janë sëmundje që lidhen me moshimin, ato fillojnë shumë më herët në jetë. Prandaj, është e nevojshme që femrat të ndërgjegjësohen për rëndësinë e parandalimit të tyre qysh në moshë të re, dhe të vazhdohet me këtë kujdes gjatë gjithë jetës.
Sëmundjet e zemrës janë ndër shkaqet e zakonshme të vdekjes për gratë mbi moshën 50 vjet. Mosha, gjinia, tensioni i gjakut dhe diabeti, si dhe faktorë të jetesës të tillë si pirja e duhanit apo kontrolli i peshës, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në uljen e rrezikut, dhe janë parashikues të rëndësishëm për sëmundjet e zemrës në të ardhmen.
Tensioni i lartë i gjakut është i vetmi faktor rreziku më i rëndësishëm dhe i trajtueshëm për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Me menaxhimin dhe reduktimin e presionit të gjakut, rreziku i goditjes në tru reduktohet me 30-40%, rreziku i infarktit të miokardit reduktohet me 20-25%, dhe dëmtimet e tjera të zemrës reduktohen me 50%.
Kontrolli i rregullt për sëmundjet e zemrës pas menopauzës është shumë i rëndësishëm. Periudha e menopauzës paraqet një mundësi ideale për të vlerësuar rrezikun nga sëmundjet e zemrës dhe ato të qarkullimit të gjakut, si dhe për të planifikuar veprime në përputhje me këto rreziqe. Në këtë periudhë, gratë duhet të shihen nga profesionistët e kujdesit shëndetësor parësor për t’u njohur me faktorët specifik të rrezikut te femrat, të cilët mund të kontribuojnë në zhvillimin e mundshëm të sëmundjeve të zemrës dhe qarkullimit të gjakut.
Është e rëndësishme për të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor që kanë të bëjnë me gratë në moshën e mesme dhe më tej, të jenë në dijeni të këtyre faktorëve të rrezikut, për të filluar masat specifike parandaluese femërore apo për t’i referuar te një specialist i sëmundjeve të zemrës dhe qarkullimit të gjakut.
Periudha e menopauzës në jetën e një gruaje është një fazë e rëndësishme ku masat parandaluese mund të jenë më efektive në uljen e rrezikut dhe parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe qarkullimit të gjakut me ndërhyrjet e duhura.
10 këshilla kryesore për parandalimin e sëmundjeve të zemrës në menopauzë
1. Ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni duhanpirjen pasive.
2. Ulni konsumin e alkoolit dhe ndiqni limitet/normat e rekomanduara ditore. Konsumi i 1-2 pijeve standarde alkoolike në ditë mund të zvogëlojë rrezikun me 30%. Megjithatë, marrja e tepruar e alkoolit rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
3. Kryeni aktivitet të rregullt fizik, deri në 30 minuta në ditë, së paku pesë herë në javë.
4. Përdorni një dietë të shëndetshme me yndyrna të ulura dhe të pasur me fibra përfshirë drithërat, frutat e perimet, si dhe reduktoni konsumin e sheqerit. Pesë racione të tilla në ditë zvogëlojnë rrezikun me rreth 25%.
5. Kontrolloni peshën trupore, ulni mbipeshën apo obezitetin.
6. Konsideroni terapinë hormonale para menopauzës, para moshës 60 vjeç, jo vetëm për të ndihmuar në menaxhimin e shenjave të menopauzës por edhe për të ndihmuar në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
7. Mbani në shifra normale tensionin e gjakut. Mbani të ulët presionin e gjakut në qoftë se është i lartë.
8. Ulni nivelin e kolesterolit.
9. Ulni stresin.
10. Kërkoni këshilla nga specialistët mjekësor. Nëse do të donit më tepër informacion apo të diskutonit më tepër, caktoni një vizitë me mjekun.