10 Shtator 2019 Dita botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes

Loading Events
  • This event has passed.
Description

 

10 Shtator 2019

Dita botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes

 

“Të punojmë sëbashku për parandalimin e vetëvrasjes”

Parandalimi i vetëvrasjes mbetet një sfidë universale. Çdo vit, vetëvrasja është ndër arsyet kryesore të vdekjes për të gjitha moshat.  Për çdo vetëvrasje  llogaritet që në të njëjtën kohë një numër shumë më i madh njerëzish po vuojnë në atë moment një situatë dhimbje intensive dhe janë të prekur dukshëm nga mendimet suicidale.

Slogani i këtij viti “Të punojmë sëbashku për parandalimini e vetëvrasjes” synon të vërë në dukje se është detyrë e secilit në shoqëri, si pjesë e një komuniteti, të hedhë një vështrim tek ata që po kalojnë një periudhë të vështirë dhe t’i inkurajojë të flasin për problemet e tyre në mënyrë që të mund të shkohet drejt zgjidhjes. Krijimi i një bote ku ofrohet kujdes dhe mbështetje, ku ofrohet dëgjim pa u gjykuar mund të bëjë diferencën e madhe. Këto vlejnë veçanërisht për specialistët, të cilët duke pikasur individë me probleme në komunitet, mund të parandalojnë shumë probleme të mëtejshme, përfshirë vetëvrasjen. Individët që jetojnë me mendimet apo tentativat për vetëvrasje mund t’u mësojnë të tjerëve sesi fjalët dhe veprimet janë shumë të rëndësishme për individë, të cilët ndodhen në këtë situatë. Shpesh, këta individë pranojnë se në ato kohë të errëta, në të vërtetë, donin shumë që dikush të fliste me ta e t’i shpëtonte. Duke bashkëpunuar në mënyrë efektive, aktorë të ndryshëm të përfshirë në parandalimin e vetëvrasjes, mund të kontrbuojnë në mënyrë të konsiderueshme në këtë drejtim.

Vetëvrasja është një problem serioz në shëndetin publik. Disa raste të vetëvrasjeve janë të parandalueshme, mund të mblidhen të dhëna për to, si dhe mund të hartohen programe parandalimi dhe ndërhyrjeje. Për të qenë ndërhyrjet sa më efektive, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim multisektorial në hartimin e strategjive.

OBSH-ja e vlerëson vetëvrasjen si një proritet të shëndetit publik. Raporti i OBSH-së mbi vetëvrasjen “Parandalimi i vetëvrasjes: një domosdoshmëri globale”, ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e parandalimit të vetëvrasjes në shëndetin publik, si dhe për ta kthyer parandalimin e vetëvrasjes në një prioritet në axhendën globale të shëndetit publik. Gjithashtu, ai synon të inkurajojë dhe të ofrojë mbështetje për vendet anëtare në lidhje me zhvillimin dhe forcimin e strategjive kombëtare si një qasje multisektoriale. Në Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2013-2020 të OBSH-së, anëtarët janë angazhuar të punojnë drejt një targeti global për reduktimin e shifrave të vetëvrasjes me 10% deri në vitin 2020.

 

Kush është më në rrezik?

Ndërsa lidhja ndërmjet vetëvrasjes dhe problemeve të shëndetit mendor (sidomos depresionit dhe çrregullimeve të përdorimit të alkoolit) është e njohur në vendet me të ardhura të larta, shumë vetëvrasje ndodhin papritur, në momente krize, kur individi ndjen vështirësi për t’u përballur me streset e jetës, si: problemet financiare, problemet në marrëdhëniet sentimentale, sëmundje apo dhimbje kronike.

Po ashtu, përballja me konflikte, fatkeqësi natyrore, dhunë, abuzim, humbje apo izolim është e lidhur ngushtë me sjelljen vetëvrasëse. Shifrat e vetëvrasjes janë të larta te grupet që përballen me diskriminim, si: refugjatët, emigrantët dhe migrantët; popullatat indigjene, individët gei, lezbike dhe transgjinorë dhe të burgosurit. Gjithsesi, faktori më i madh i rrezikut ngelet tentativa e mëparshme e vetëvrasjes.

 

Metodat e vetëvrasjes

Është vlerësuar se afërsisht 30% e vetëvrasjeve në nivel global ndodhin si pasojë e helmimit, kryesisht me pesticide, të cilat, më së shumti, ndodhin në zona rurale dhe në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare. Mënyra të tjera të përhapura të kryerjes së vetëvrasjes janë varja dhe armët e zjarrit. Njohja e mënyrave më të përdorura të vetëvrasjes i ndihmon specialistët të hartojnë strategji efektive të parandalimit, si kufizimi i aksesit.

 

Parandalimi dhe kontrolli

Vetëvrasja është e parandalueshme. Ka disa masa që mund të ndërmerren, në nivel popullate të përgjithshme, sub-popullate, si dhe në nivel individual, që synojnë parandalimin e vetëvrasjes dhe të tentativave vetëvrasëse. Këto përfshijnë:

  • Reduktimin e aksesit te mënyrat e mundshme të vetëvrasjes (pesticide, medikamenteve të caktuara, armë zjarri, etj).
  • Raportimin nga mediat në mënyrë të përshtatshme.
  • Ndikimin me anë të strategjive të alkoolit për reduktimin e përdorimit të dëmshëm të tij.
  • Identifikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin për individët me probleme të shëndetit mendor, të përdorimit të substancave, dhimbjeve kronike dhe stresit akut.
  • Trajnimet për punonjës të sistemit shëndetësor, të cilët nuk janë të specializuar, lidhur me vlerësimin dhe menaxhimin e sjelljes vetëvrasëse.
  • Kujdesin në vazhdim për individë, të cilët kanë tentuar vetëvrasje dhe mundësimi i mbështetjes nga komuniteti për ta.

 

Vetëvrasja është një çështje komplekse dhe, si e tillë, përpjekjet për parandalimin e saj kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet shumë sektorëve të shoqërisë, përfshirë sistemin shëndetësor, sistemin arsimor, të punësimit, bujqësor, të biznesit, të drejtësisë, të ligjit, të mbrojtjes, politik, mediat. etj. Këto përpjekje duhet të jenë të qarta dhe të integruara në formë të tillë që të jenë, mbi të gjitha, qasjet e vetme dhe të kenë impakt në këtë çështje komplekse.

 

Stigma, sidomos ajo që rrethon problemet e shëndetit mendor dhe vetëvrasjen, nënkupton se shumë njerëz që po mendojnë t’i japin fund jetës së tyre apo që kanë tentuar vetëvrasjen nuk e kërkojnë ndihmën për të cilën kanë nevojë apo nuk e marrin, edhe nëse e kërkojnë. Parandalimi lidhur me vetëvrasjen mund të mos ketë qenë aq shumë efektiv për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit për vetëvrasjen, si një problem madhor i shëndetit publik, si dhe për tabunë që ekziston në shumë shoqëri për të folur hapur për të. Aktualisht, vetëm pak vende kanë përfshirë parandalimin e vetëvrasjes në strategjitë e tyre të shëndetit, dhe vetëm 28 vende në botë kanë strategji kombëtare të parandalimit të vetëvrsasjes.

 

Statistika globale

 

  • Afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjes.
  • Çdo 40 sekonda në botë vetëvritet një individ.
  • Numri i tentativave është shumë më i lartë.
  • Tentativa për vetëvrasje konsiderohet një faktor rreziku shumë i lartë.
  • Vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjes ndërmjet idividëve 15-29 vjeç dhe shkakun e tretë të vdekjeve për individët 15-44 vjeç.
  • Në nivel global, 78% e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.
  • Helmimi, varja dhe armët e zjarrit janë ndër metodat më të përdorura të vetëvrasjes në nivel global.

 

Vetëvrasja është 4 herë më e lart te meshkujt. Tentativat vetëvrasëse janë 3 herë më të larta te femrat. Po ashtu edhe mendimet suicidale (CDC). Te meshkujt mënyra më e zakonshme është ajo me armë zjarri, ndërsa te femrat helmimi.

 

Vihet re një rritje e shifrave të vetëvrasjes mbi moshën 50 vjeç, sidomos te meshkujt, individët që jetojnë vetëm, janë të ve ose të divorcuar.

 

 

Start Date - End Date

Sep 09, 2019 - Sep 10, 2019

Start Time - End Time

10:00 pm - 9:59 pm

Share This