1 DHJETOR 2017, DITA BOTËRORE KUNDËR HIV DHE AIDS
- This event has passed.
Description
Të dhëna të përditësuara për HIV dhe AIDS, 2017
Fakte kryesore
- HIV vazhdon të mbetet një problem i madh i shëndetit publik në nivel global, duke marrë më shumë se 35 milionë jetë njerëzish deri tani. Në vitin 2016, në nivel global 1 milion njerëz vdiqën nga shkaqet e lidhura me HIV.
- Në fund të vitit 2016, globalisht pati përafërsisht 36.7 milionë njerëz që jetonin me HIV, ku 1.8 milionë prej tyre u infektuan vetëm në vitin 2016.
- 54% e të rriturve dhe 43% e fëmijëve që jetojnë aktualisht me HIV marrin terapinë gjithëpërfshirëse antiretrovirale (ART).
- Afrika Sub-Sahariane është rajoni më i prekur me 25.6 milionë persona me HIV.
- Infeksioni HIV shpesh diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave HIV. Shumica e këtyre testeve japin rezultate brenda ditës, gjë që është thelbësore për vendosjen e diagnozës në të njëjtën ditë, si dhe për trajtimin dhe kujdesin e hershëm.
- Grupet që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me HIV (popullata kyçe) përfshijnë: burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra, ata që injektojnë droga, të burgosurit dhe personat që jetojnë në mjedise të tjera të mbyllura, punonjësit e seksit dhe klientët e tyre, dhe transgjinorët. Popullatat kyçe shpesh kanë sjellje që rrisin vulnerabilitetin ndaj HIV dhe zvogëlojnë aksesin në programet e testimit dhe trajtimit.
- Në vitin 2015, 44% e rasteve të reja ndodhën pikërisht në këto popullata e partnerët e tyre seksualë.
- Për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin, në mënyrë që njerëzit me HIV si dhe ata në rrezik të madh për t’u infektuar, të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
- Aktualisht vetëm 70% e personave me HIV e dinë statusin e tyre.
- Deri në fund të vitit 2016, globalisht 19.5 milionë njerëz që jetojnë me HIV kanë marrë terapi antiretrovirale.
- Nga viti 2000 deri në vitin 2015, infeksionet e reja me HIV kanë rënë me 39%, dhe numri i vdekjeve nga AIDS ka rënë me 1/3, me rreth 13.1 milionë jetë të shpëtuara për shkak të marrjes së terapisë antiretrovirale në të njëjtën kohë me vendosjen e diagnozës.
___________________________________________________________________________
Çfarë është HIV
HIV (Virusi i Imunodeficiencës Njerëzore) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Shkatërrimi dhe dëmtimi gradual i funksionit të qelizave të imunitetit i bën gradualisht individët e infektuar pacientë imunodeficient, të ndjeshëm për një gamë të gjerë infeksionesh, lloje kanceri dhe sëmundjesh të tjera që njerëzit me sisteme të shëndetshme të imunitetit mund të luftojnë. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimit të qelizave të quajtura CD4.
Faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, i cili mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar, në varësi të individit. AIDS është përcaktuar si zhvillimi i llojeve të ndryshme të kancerit, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS. Një person i infektuar me virusin HIV, jo domosdoshmërisht është i sëmurë me AIDS; ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.
Shenjat e AIDS
Shenjat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit. Megjithëse njerëzit që jetojnë me HIV priren të jenë më infektues në muajt e parë, shumë prej tyre nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre HIV pozitiv deri në fazat e mëvonshme. Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë shenjë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin si ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit si: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, ethe/temperaturë, diarre e vazhdueshme, kollë. Pa trajtim mund të shfaqen edhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste.
Transmetimi i HIV
Transmetimi i HIV mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.
Disa nga sjelljet dhe kushtet që vënë individët në rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:
- Marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura.
- Pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore.
- Shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara si gjilpëra, shiringa e pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës.
- Marrja e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, transplanti i organeve, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara.
- Shpimet aksidentale me gjilpërë (përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor).
Individët nuk mund të infektohen me HIV nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm si puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit, etj.
Diagnoza e HIV dhe AIDS
Është e rëndësishme të theksohet se, testet që përdoren pë vendosjen e diagnozës zbulojnë antitrupa të prodhuara nga sistemi imunitar i një individi për të luftuar patogjenët e huaj, dhe jo zbulimin e drejtpërdrejtë të vetë HIV. Sot janë në dispozicion teste të ndryshme që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV. Shumica e individëve i zhvillojnë këto antitrupa brenda 28 ditësh nga infektimi, dhe për këtë arsye antitrupat mund të mos kapen menjëherë pas infeksionit. Kjo periudhë e hershme përfaqëson kohën e rrezikut më të madh për transmetimin e infeksionit, megjithëse transmetimi i HIV mund të ndodhë gjatë gjithë fazave të infeksionit. Ritestimi i individëve që diagnostikohen me HIV është praktikë e mirë për të përjashtuar çdo gabim të mundshëm testimi apo raportimi.
Shërbimet e testimit për HIV
Testimi për HIV duhet të jetë vullnetar, ndërsa testimi i detyrueshëm nuk është i pranueshëm sepse dëmton praktikat e mira të shëndetit publik dhe shkel të drejtat e njeriut.
Disa vende kanë futur apo janë duke e konsideruar vetëtestimin si një mundësi për të inkurajuar diagnozën e HIV. Vetëtestimi për HIV është procesi ku një person i cili dëshiron të dijë statusin e tij/të saj HIV merr një mostër, kryen një test dhe interpreton rezultatet e testimit në mënyrë private. Vetëtestimi për HIV nuk jep një diagnozë definitive HIV pozitiv; vetëtestimi është një test i parë i cili kërkon analiza të mëtejshme nga stafi shëndetësor.
Partnerët seksualë të personave të diagnostikuar me infeksion HIV kanë një probabilitet më të madh për të qenë HIV pozitiv. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon shërbime për të arritur këta partnerë.
Të gjitha shërbimet e testimit të HIV duhet të ndjekin parimet e rekomanduara nga OBSH: miratim i informuar, konfidencialitet, këshillim, rezultate të sakta të testimit dhe lidhje me kujdesin, trajtimin dhe shërbimet e tjera.
Parandalimi i HIV
Individët mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV, të cilat shpesh përdoren në kombinim me njëra-tjetrën përfshijnë: përdorimin e prezervativit, testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST të tjera, rrethprerjen mashkullore mjekësore vullnetare (syneti), përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim, reduktimin e dëmit për përdoruesit e drogave intravenoze, eliminimin e transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija.
Trajtimi i AIDS
Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet.
Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.