1 DHJETOR 2016, DITA BOTËRORE KUNDËR HIV dhe AIDS

Loading Events
  • This event has passed.
Description

1 DHJETOR 2016 

DITA BOTËRORE KUNDËR HIV dhe AIDS

 

Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV dhe AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV dhe AIDS, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV dhe AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.

 

Të dhëna të përditësuara për HIV dhe AIDS, 2016

Fakte kryesore

  • HIV vazhdon të mbetet një problem i madh i shëndetit publik në nivel global. Më shumë se 35 milionë njerëz kanë vdekur deri tani nga shkaqe të lidhura me HIV, 1.1 milionë vetëm në vitin 2015.
  • Në nivel global, deri në fund të vitit 2015 kishte afërsisht 36.7 milionë njerëz që jetonin me HIV, me 2.1 milionë njerëz të infektuar rishtaz në vitin 2015.
  • Afrika Sub-Sahariane është rajoni më i prekur me 25.6 milionë raste në vitin 2015, që përbën dy të tretat e totalit global të infeksioneve të reja me HIV.
  • HIV diagnostikohet shpesh përmes testeve të shpejta diagnostike, të cilat zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave HIV. Shpesh këto teste japin rezultate brenda ditës; esenciale për diagnozën, trajtimin dhe kujdesin e hershëm në të njëjtën ditë.
  • Për infeksionin HIV nuk ka shërim. Megjithatë, medikamentet efektive antiretrovirale (ARV) ndihmojnë për të kontrolluar virusin dhe për të parandaluar transmetimin, në mënyrë që njerëzit me HIV si dhe ata në rrezik të konsiderueshëm, të mund të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
  • Është vlerësuar se aktualisht vetëm 54% e njerëzve me HIV e dinë statusin e tyre.
  • Deri në fund të vitit 2015, globalisht 17 milionë njerëz që jetojnë me HIV kanë marrë terapi antiretrovirale.
  • Ndërmjet viteve 2000-2015, infeksionet e reja me HIV kanë rënë me 35%, numri i vdekjeve që lidhen me AIDS ka rënë me 28%, dhe rreth 7.8 milionë jetë janë shpëtuar si rezultat i përpjekjeve ndërkombëtare.
  • Zgjerimi i mjekimit antiretroviral për të gjithë njerëzit që jetojnë me HIV dhe zgjerimi i masave parandaluese mund të ndihmojë që të shmangen 21 milionë vdekje që lidhen me AIDS dhe 28 milionë infeksione të reja të vlerësuara nëvitin 2030.

___________________________________________________________________________

 

Çfarë është HIV

 

HIV është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Shkatërrimi dhe dëmtimi gradual i funksionit të qelizave të imunitetit i bën individët e infektuar gradualisht pacientë imunodeficient, të ndjeshmëm për një gamë të gjerë të infeksionesh dhe sëmundjesh. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimin të qelizave të quajtura CD4.

Faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, që mund të marrë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar në varësi të individit. AIDS (apo SIDA siç e njohin disa) është përcaktuar si zhvillimi i kancereve të ndryshëm, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS. Një person i infektuar me virusin HIV, jo domosdoshmërisht është i sëmurë me AIDS; ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.

Shenjat e AIDS 

Simptomat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit. Megjithëse njerëzit që jetojnë me HIV priren të jenë më infektiv në muajt e parë, shumë prej tyre nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre HIV pozitiv deri në fazat e mëvonshme. Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë shenjë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin si ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit si: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, ethe/temperaturë, diarre e vazhdueshme, kollë dhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste të cilat nuk dominohen nga mjekimi.

Transmetimi i HIV

Transmetimi i HIV mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.

Disa nga faktorët e rrezikut për t’u infektuar me HIV janë:

  • Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura, vaginale ose anale.
  • Infeksionet seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore.
  • Shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara si gjilpëra, shiringa e pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës.
  • Marrja e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara.
  • Shpimet aksidentale me gjilpërë, përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor.

Individët nuk mund të infektohen nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm si puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit, etj.

Diagnoza e HIV dhe AIDS 

Sot janë në dispozicion teste të ndryshme që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV. Shumica e individëve i zhvillojnë këto antitrupa brenda 28 ditësh, dhe për këtë arsye antitrupat mund të mos kapen menjëherë pas infeksionit. Kjo periudhë e hershme përfaqëson kohën e rrezikut më të madh për transmetimin e infeksionit, megjithëse transmetimi i HIV mund të ndodhë gjatë gjithë fazave të infeksionit. Ritestimi i individëve që diagnostikohen me HIV është praktikë e mirë për të përjashtuar çdo gabim të mundshëm testimi apo raportimi 

Testimi për HIV

Testimi për HIV duhet të jetë vullnetar dhe e drejta për testimin duhet të njihet. Testimi i detyrueshëm nuk është i pranueshëm sepse dëmton praktikat e mira të shëndetit publik dhe shkel të drejtat e njeriut. Disa vende kanë futur ose janë duke konsideruar vetëtestimin si një mundësi. Vetëtestimi për HIV është procesi ku një person i cili dëshiron të dijë statusin e tij/të saj HIV merr një mostër, kryen një test dhe interpreton rezultatet e testimit në mënyrë private. Vetëtestimi për HIV nuk jep një diagnozë definitive; vetëtestimi është një test i parë i cili kërkon analiza të mëtejshme nga stafi shëndetësor nëpërmjet testeve të tjera kombëtare të vërtetuara.

 

Parandalimi i HIV

 

Rreziku i infektimit me HIV mund të zvogëlohet duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it përfshijnë:

  1. Përdorimin e prezervativit

Përdorimi korrekt i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale vaginale ose anale mbron nga përhapja e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV. Studimet tregojnë se prezervativi mashkullor ka efekt të madh mbrojtës kundër HIV-it dhe IST-ve të tjera.

  1. Testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST të tjera

Testimi për HIV dhe IST të tjera këshillohet për të gjithë personat e ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut. Në këtë mënyrë ata mësojnë shpejt dhe pa u vonuar statusin e tyre të infeksionit, mënyrat parandaluese të nevojshme dhe shërbimet e trajtimit. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon ofrimin e testimit edhe për bashkëshortët apo partnerët e personave të ekspozuar.

Tuberkulozi është sëmundja më e zakonshme që ndeshet te njerëzit me HIV. Tuberkulozi është shkaku kryesor i vdekjes në mesin e njerëzve me HIV, përgjegjës për 1 në çdo 3 vdekje të lidhura me HIV-in. Zbulimi i hershëm i tuberkulozit, trajtimi i shpejtë i tij dhe përdorimi i mjekimit antiretroviral mund të parandalojnë këto vdekje. Prandaj këshillohet me forcë që shërbimet e testimit për HIV të integrojnë edhe testimin për tuberkuloz.

  1. Rrethprerjen mashkullore mjekësore vullnetare

Rrethprerja mashkullore mjekësore (syneti), kur bëhet në mënyrë të sigurt nga profesionistë shëndetësor të trajnuar mirë, zvogëlon rrezikun e infektimit te meshkuj me rreth 60%. Kjo është një ndërhyrje kyç në vendet me prevalencë të lartë të HIV-it.

  1. Përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim

4.1 Terapia antiretrovirale si parandalim. Studimet kanë konfirmuar se nëse një person HIV pozitiv i përmbahet një trajtimi efektiv antiretroviral, rreziku i transmetimit të HIV-it te partneri i tij seksual i painfektuar mund të reduktohet me 96%. Rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetit për të filluar mjekimin antiretroviral te të gjithë njerëzit që jetojnë me HIV, do të kontribuojë ndjeshëm në reduktimin e transmetimit të HIV-it.

4.2 Profilaksia para ekspozimit për partnerët HIV negativ. Profilaksia para ekspozimit është përdorimi i përditshëm i barnave nga persona të painfektuar për të penguar marrjen e HIV-it. Në shtator 2015, Organizata Botërore e Shëndetit ka publikuar udhëzuesin për fillimin e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë para ekspozimit të HIV-it, i cili rekomandon përdorimin e terapisë për njerëzit në rrezik të konsiderueshëm infektimi, si pjesë e metodave të parandalimit.

4.3 Profilaksia pas ekspozimit për HIV është përdorimi i barnave antiretrovirale brenda 72 orëve të ekspozimit ndaj HIV-it për të parandaluar infeksionin. Profilaksia pas ekspozimit përfshin këshillimin, testimin për HIV dhe marrjen për 28 ditë të barnave antiretrovirale me një ndjekje të kujdesshme.

  1. Reduktimin e dëmit për përdoruesit intravenoz të drogës

Personat të cilët injektojnë droga mund të marrin masa paraprake kundër infektimit me HIV duke përdorur pajisjet sterile injektuese, përfshirë age dhe shiringa për çdo injeksion.

  1. Eliminimin e transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija

Transmetimi i HIV nga një nënë HIV pozitiv tek fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes apo ushqyerjes me gji quhet transmetim vertikal, apo nga nëna tek fëmija. Transmetimi i HIV nga një nënë HIV pozitiv tek fëmija mund të parandalohet gati plotësisht në qoftë se nëna dhe fëmija marrin barna antiretrovirale. Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon mundësitë për parandalimin e transmetimit nga nëna tek fëmija, të cilat përfshijnë sigurimin e mjekimit antiretroviral për nënat dhe foshnjat gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes, si dhe trajtimin gjatë gjithë jetës për gratë HIV pozitiv, pavarësisht nga niveli i CD4.

 

Trajtimi i AIDS

Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të individit të fuqizojë kapacitetin për të luftuar infeksionet.

Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

Start Date - End Date

Nov 30, 2016 - Dec 31, 2016

Start Time - End Time

11:00 pm - 11:00 am

Event Location

Adresa: Tirane Albania

Organizer

Organizer

Phone

Tel: 374 756 Fax: 370 058

Share This