Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave shënohet çdo vit më 25 nëntor. Kjo ditë është vendosur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin global mbi dhunën ndaj grave, një problem i rëndë dhe i përhapur që prek miliona gra dhe vajza në mbarë botën.
Dita shënon fillimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Sipas UN WOMEN: ÇDO 10 MINUTA VRITET NJË GRUA.
Rreth 736 milionë gra (në nivel global) ,pothuajse një në tre, i janë nënshtruar dhunës fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim; dhunës seksuale nga jopartneri ose të dyja, të paktën një herë në jetën e tyre. Kjo shifër nuk përfshin ngacmimet seksuale.
Një studim i kryer në Bashkimin Evropian zbuloi se gratë që vuajnë forma të shumta të diskriminimit përballen me një rrezik më të lartë të dhunës dhe janë më të prekshme ndaj pasojave të saj:
- Pabarazia gjinore dhe normat patriarkale që promovojnë dominimin mashkullor.
- Gratë me aftësi të kufizuara, të cilat përballen me dhunë më të lartë.
- Krizat klimatike dhe humanitare, që rrisin rrezikun e martesave të fëmijëve, trafikimit dhe dhunës.
Në pjesën më të madhe dhuna ndaj grave kryhet nga bashkëshortët ose partnerët intimë aktualë ose të mëparshëm. Më shumë se 640 milionë gra të moshës 15 vjeç e lart i janë nënshtruar dhunës nga partneri intim.
Vajzat adoleshente janë kategoria më e rrezikuar nga dhuna nga partneri intim sesa gratë në përgjithësi. Deri në moshën 19-vjeçare, pothuajse 1 në 4 vajza adoleshente që kanë qenë në një lidhje, janë abuzuar fizikisht, seksualisht ose psikologjikisht nga një partner.
Dhuna seksuale nga jopartneri: Rreth 15 milionë vajza adoleshente në mbarë botën, të moshës 15-19 vjeç, kanë përjetuar seks të detyruar nga një bashkëshort, partner ose i dashuri aktual ose i mëparshëm.
-Globalisht, 6% e grave raportojnë se i janë nënshtruar dhunës seksuale nga dikush tjetër, përveç burrit apo partnerit të tyre. Megjithatë, prevalenca e vërtetë e dhunës seksuale nga jopartneri ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë, duke marrë parasysh stigmën e veçantë për raportim që rrethon këtë formë të dhunës.
Bazuar në të dhënat nga 30 vende, vetëm një për qind ka kërkuar ndonjëherë ndihmë profesionale
– Globalisht, një në tre studentë, të moshës 11-15 vjeç, janë ngacmuar nga bashkëmoshatarët e tyre në shkollë të paktën një herë në muajin e kaluar – vajza apo djem kanë po aq të ngjarë të përjetojnë bullizëm. Ndërsa djemtë përjetojnë më së shumti ngacmim fizik, vajzat kanë gjasa të përjetojnë ngacmim psikologjik; ato raportojnë se bëhen objekt talljeje për shkak të fizikut të tyre (pamjes së fytyrës apo trupit).
–Një në 10 gra në Bashkimin Evropian raportojnë se kanë përjetuar ngacmime kibernetike që në moshën 15-vjeçare. Kjo përfshin marrjen e emaileve ose mesazheve SMS të padëshiruara dhe/ose fyese – seksualisht eksplicite, të papërshtatshme në faqet e rrjeteve sociale.
–Gratë në jetën publike, duke përfshirë parlamentarët dhe gazetarët, përballen me nivele të larta të dhunës psikologjike, ngacmimeve dhe kërcënimeve, shpesh të lidhura me gjininë e tyre. Këto forma të dhunës jo vetëm që kërcënojnë sigurinë e tyre personale, por edhe pengojnë barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen demokratike.
Gratë që kanë përjetuar dhunë kanë më shumë gjasa të vuajnë nga depresioni, çrregullimet e ankthit, shtatzënitë e paplanifikuara, infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe HIV, me pasoja afatgjata.
ÇDO 10 MINUTA VRITET NJË GRUA. #ASNJËJUSTIFIKIM. #BASHKOHUNI PËR T’I DHËNË FUND DHUNËS NDAJ GRAVE
SHENJAT E ABUZIMIT NË MARRËDHËNIE DHE SI TË NDIHMONI
Dhuna ndaj grave është një shkelje e të drejtave të njeriut që ndodh çdo ditë në mbarë botën. Ndërsa dhuna dhe abuzimi në familje ndonjëherë fshihen, nëse i dimë shenjat e një marrëdhënieje abuzive, mund të jemi në gjendje ta njohim atë më mirë dhe të kërkojmë ose ofrojmë ndihmë.
Shenjat e abuzimit në një marrëdhënie mund të përfshijnë:
- Sjellje kontrolluese: Partneri përpiqet të kontrollojë çdo aspekt të jetës suaj, si veshjet, aktivitetet ose vendimet.
- Kërcënimet: Frikësimi përmes kërcënimeve verbale ose veprimeve për të ushtruar kontroll.
- Izolimi nga miqtë dhe familja: Përpjekje për t’ju larguar nga rrjeti juaj mbështetës, duke kufizuar kontaktet tuaja me të tjerët.
- Fyerjet dhe poshtërimet: Përdorimi i fjalëve ofenduese për të ulur vetëvlerësimin tuaj dhe për t’ju bërë të ndiheni të pavlerë.
- Abuzimi emocional dhe fizik: Përfshirja në sjellje që lëndojnë emocionalisht ose fizikisht, duke përfshirë sulmet fizike, manipulimin dhe kontrollin emocional.
*Nëse vëreni ndonjë nga këto shenja, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë dhe mbështetje nga profesionistë, duke telefonuar ALO116/117 ose nga njerëz të besuar.
CILAT JANË DISA KËSHILLA SIGURIE NËSE PO PËRJETOJ ABUZIM?
Nëse mendoni se jeni duke u abuzuar, kërkoni ndihmë. Këto këshilla ofrojnë udhëzimet e duhura.
- Merrni parasysh të ndani shqetësimet tuaja me një mik, anëtar të familjes ose fqinj të besuar. Punoni me ta për të zhvilluar një plan kur keni nevojë për ndihmë. Ky plan mund të përfshijë, për shembull, krijimin e një kodi sekret, fjalëve, fjalive ose emoji-ve të shumta; kod që do t’ju ndihmonte të komunikonit me ta më të sigurt.
- Zhvilloni një strategji “arratisjeje”, si p.sh. të thoni se duhet të shkoni në farmaci ose dyqan ushqimesh dhe, pasi të jeni atje, të kërkoni të përdorni telefonin për të thirrur për ndihmë. Mendoni për disa arsye të besueshme për t’u larguar nga shtëpia në periudha të ndryshme të ditës ose natës në rast se e keni të nevojshme.
- Nëse është e mundur, mbani një telefon gjithmonë të karikuar dhe të aksesueshëm; të dini se cilët numra duhet të telefononi për ndihmë: një mik, një anëtar të familjes ose policinë. Nëse jeta juaj është në rrezik, telefononi policinë nëse besoni se është e sigurt për ta bërë këtë.
- Përpiquni të identifikoni modelet në përdorimin dhe nivelin e dhunës nga partneri juaj. Kjo mund t’ju ndihmojë të parashikoni se kur abuzimi mund të përshkallëzohet.
ÇFARË MUND TË BËJ PËR TË NDIHMUAR DIKË QË NJOH QË PO PËRJETON ABUZIM?
- Nëse jeni të shqetësuar për një mik që mund të jetë duke përjetuar dhunë ose abuzim në familje ose ndihet i pasigurt pranë dikujt, rishikoni këto këshilla se si t’i ndihmoni ata të gjejnë siguri dhe mbështetje.
- Nëse jeni të shqetësuar për sigurinë e një shoku, qëndroni në kontakt dhe jini krijues. Shmangni ta bëni abuzuesin të dyshimtë në mënyrë që linjat e komunikimit të qëndrojnë të hapura. Nëse të dy keni fëmijë, për shembull, mund të sugjeroni telefonata të përbashkëta mes jush dhe fëmijëve. Ju mund të krijoni fjalë të kodit sekret për t’i përdorur në biseda që mund t’ju ndihmojnë të komunikoni më të sigurt.
- Pyesni miqtë tuaj se si preferojnë të lidhen. Është e rëndësishme të krijohet një kanal komunikimi i sigurt pasi ata, në shumë raste, do të jenë fizikisht afër abuzuesit që mund të monitorojë bisedat. Pyetini ata nëse preferojnë një mesazh të menjëhershëm ose tekst në vend të një telefonate dhe nëse ka një platformë ose aplikacion specifik që ata preferojnë të përdorin.
- Jini mbështetës dhe besojini ata. Sigurojini se nuk janë vetëm dhe se ndihma dhe mbështetja janë përherë të disponueshme. Kuptoni se mund të jetë e vështirë për ta të flasin për abuzimin. Nëse duan të flasin, dëgjoni me kujdes dhe jini empatikë.
- Ndihmojini të mendojnë se si të qëndrojnë të sigurt gjatë bllokimeve. Ndihmoni mikun tuaj të krijojë një plan për situatat e bllokimit. A kanë miq apo familje të tjera me të cilët mund të qëndrojnë gjatë kësaj kohe? Merrni parasysh t’i ndihmoni ata që të kontaktojnë këta njerëz për të bërë një plan.
- Respektoni të drejtën e tyre për pëlqim. Nëse nuk besoni fuqimisht se jeta e shokut tuaj është në rrezik dhe nuk gjeni mirëkuptimin e duhur, shmangni veprimet arbitrare. Ata i dinë më së miri rreziqet e sigurisë – për rrjedhojë, duhet të marrin vendime në lidhje me abuzimin që po përjetojnë.
- Respektoni privatësinë e tyre. Për shkak të çështjeve të sigurisë, stigmës, ndjenjave të turpit dhe fajësimit të viktimave me të cilat përballen shpesh të mbijetuarit, është thelbësore që përvojat dhe identiteti i tyre të mbeten konfidenciale, përveç rasteve kur japin pëlqimin e qartë për t’i zbuluar ato.
- Ofroni ndihmë praktike dhe ndani burimet. Njoftoni mikun tuaj se doni të ndihmoni. Nëse jeni në gjendje, ofrojini një vend të sigurt për të qëndruar, transport ose forma të tjera mbështetjeje që mund të rrisin sigurinë e tyre.
PËR MIJËRA GRA, CIKLI I DHUNËS ME BAZË GJINORE PËRFUNDOI ME NJË AKT PËRFUNDIMTAR DHE BRUTAL – VRASJEN E TYRE NGA PARTNERËT DHE ANËTARËT E FAMILJES.
#ASNJËJUSTIFIKIM. #BASHKOHUNI PËR T’I DHËNË FUND DHUNËS NDAJ GRAVE
*Burimi: UNWOMEN