Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të Paligjshëm,26 qershor 2022

26 qershor
Dita Ndërkombëtare Kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të Paligjshëm

Adresimi i sfidave të drogës në krizat shëndetësore dhe humanitare

Me rezolutën 42/112 të 7 dhjetorit 1987, Asambleja e Përgjithshme vendosi të shënojë 26 qershorin si Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës, si shprehje e vendosmërisë së saj për të forcuar veprimin dhe bashkëpunimin me individë, komunitete dhe organizata të ndryshme në të gjithë botën, për të arritur këtë qëllim madhor për gjithë njerëzimin.
Kjo Ditë në thelb, synon të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun real që i kanoset shoqërisë nga drogat
ilegale.
Nga zonat e luftës te kampet e refugjatëve, te komunitetet e ndara nga dhuna, njerëzit në të gjitha pjesët e botës janë në nevojë të madhe. Një pandemi, një krizë klimatike, një krizë ushqimore, një krizë energjie dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit kanë rritur vuajtjet dhe na kanë çuar në prag të recesionit global.
Me fushatën # CareInCrisis , UNODC-ja u bën thirrje qeverive, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe të gjithë palëve të interesuara që të ndërmarrin veprime urgjente për të mbrojtur njerëzit, duke përfshirë forcimin e parandalimit, të trajtimit të përdorimit dhe ndaj tregtisë së paligjshme të drogës.
Fushata nxjerr në pah të dhënat e nxjerra nga Raporti vjetor i UNODC-së për Drogën Botërore, duke ofruar fakte dhe zgjidhje praktike për problemin aktual, për të arritur një vizion të shëndetit për të gjithë, bazuar në shkencë.
Dita Botërore e Drogës shërben për të shkëmbyer gjetjet e kërkimit, të dhënat e bazuara në prova dhe zgjidhjet, për të jetësuar një marrëdhënie të përbashkët solidariteti.
Fushata i fton të gjithë të bëjnë pjesën e tyre, duke u kujdesur edhe në kohë krize.
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Rreth 275 milionë njerëz kanë përdorur drogë në mbarë botën vitin e kaluar, ndërsa mbi 36 milionë njerëz kanë vuajtur nga çrregullimet e përdorimit të drogës, sipas Raportit Botëror të Drogës 2021, të publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Raporti më tej, vuri në dukje se në 24 vitet e fundit fuqia (potenciali) e kanabisit ishte rritur deri në katër herë në pjesë të botës, edhe pse përqindja e adoleshentëve që e perceptonin drogën si të dëmshme ra deri në 40 për qind, pavarësisht dëshmive që përdorimi i kanabisit shoqërohet me një sërë dëmesh shëndetësore, veçanërisht në mesin e përdoruesve të rregullt afatgjatë.
Sipas Raportit, përqindja e THC – komponenti kryesor psikoaktiv në kanabis – është rritur nga rreth 6 për qind në më shumë se 11 për qind në Evropë ndërmjet viteve 2002-2019 dhe rreth katër për qind në 16 për qind në Shtetet e Bashkuara midis 1995-2019, ndërsa përqindja e adoleshentëve që e perceptonin kanabisin si të dëmshëm ra me 40 për qind në Shtetet e Bashkuara dhe me 25 për qind në Evropë.
Për më tepër, shumica e vendeve kanë raportuar një rritje të përdorimit të kanabisit gjatë pandemisë. Në anketat e profesionistëve shëndetësorë në 77 vende, 42 për qind pohuan se përdorimi i kanabisit ishte rritur. Një rritje e përdorimit jomjekësor të barnave farmaceutike është vërejtur gjithashtu në të njëjtën periudhë.
Përdorimi i drogës në rritje, por trajtimi i bazuar në shkencë është më i disponueshëm
Midis 2010-2019 numri i njerëzve që përdorin drogë u rrit me 22 për qind, pjesërisht për shkak të rritjes së popullsisë globale. Bazuar vetëm në ndryshimet demografike, parashikimet aktuale sugjerojnë një rritje prej 11 për qind të numrit të njerëzve që përdorin drogë në nivel global deri në vitin 2030 -dhe një rritje të dukshme prej 40 për qind në Afrikë, për shkak të popullsisë së saj në rritje të shpejtë dhe të re.
Sipas vlerësimeve të fundit globale, rreth 5.5 për qind e popullsisë së moshës 15 deri në 64 vjeç kanë përdorur drogë të paktën një herë në vitin e kaluar, ndërsa 36.3 milionë njerëz, ose 13 për qind e numrit total të personave që përdorin drogë, vuajnë nga çrregullimet e përdorimit të drogës.
Në nivel global, vlerësohet se mbi 11 milionë njerëz injektojnë drogë, gjysma e të cilëve jetojnë me hepatitin C. Opioidet vazhdojnë të përbëjnë barrën më të madhe të sëmundjes që i atribuohet përdorimit të drogës.
Dy opioidet farmaceutike që përdoren më së shpeshti për të trajtuar njerëzit me çrregullime të përdorimit të opioideve, metadoni dhe buprenorfina, janë bërë gjithnjë e më të aksesueshme gjatë dy dekadave të fundit. Sasia e disponueshme për përdorim mjekësor është gjashtëfishuar që nga viti 1999, nga 557 milionë doza ditore në 3,317 milionë deri në vitin 2019, duke treguar se trajtimi farmakologjik i bazuar në shkencë është më i disponueshëm tani sesa në të kaluarën.
Rreziqet e drogës, zhvillime të reja të nxitura nga pandemia
COVID-19 ka nxitur risi dhe përshtatje në shërbimet e parandalimit dhe trajtimit të drogës përmes modeleve më fleksibël të ofrimit të shërbimeve. Shumë vende kanë prezantuar ose zgjeruar shërbimet e telemjekësisë për shkak të pandemisë, që për përdoruesit e drogës do të thotë se punonjësit e kujdesit shëndetësor tani mund të ofrojnë këshillim ose vlerësime fillestare përmes telefonit dhe të përdorin sisteme elektronike për të përshkruar substanca të kontrolluara.
Ndërsa ndikimi i COVID-19 në sfidat e drogës nuk dihet ende plotësisht, analiza sugjeron se pandemia ka sjellë vështirësi ekonomike në rritje që ka të ngjarë ta bëjë kultivimin e paligjshëm të drogës më tërheqës për komunitetet e brishta rurale. Ndikimi social i pandemisë – duke nxitur një rritje të pabarazisë, varfërisë dhe kushteve të shëndetit mendor, veçanërisht midis popullatave tashmë të cenueshme – përfaqësojnë faktorë që mund të shtyjnë më shumë njerëz drejt përdorimit të drogës.
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Çfarë është varësia ndaj drogës?
Varësia përkufizohet si një çrregullim kronik, i përsëritur, i karakterizuar nga kërkimi dhe përdorimi kompulsiv i drogës pavarësisht nga pasojat negative. Konsiderohet një çrregullim i trurit, sepse përfshin ndryshime funksionale në qarqet e trurit të përfshirë në shpërblim, stres dhe vetëkontroll. Këto ndryshime mund të zgjasin një kohë të gjatë pasi një person ka ndërprerë marrjen e drogës.
Varësia i ngjan shumë sëmundjeve të tjera, si sëmundjet e zemrës. Të dyja përfshijnë funksionimin normal dhe të shëndetshëm të një organi në trup, të dyja kanë efekte serioze të dëmshme dhe të dyja, në shumë raste, janë të parandalueshme dhe të trajtueshme. Nëse nuk trajtohen, ato mund të zgjasin gjithë jetën dhe mund të çojnë në vdekje.

Pse njerëzit marrin drogë?
Në përgjithësi, njerëzit marrin drogë për disa arsye:
• Për t’u ndierë mirë. Droga mund të prodhojë ndjenja të forta kënaqësie. Kjo eufori fillestare pasohet nga efekte të tjera, të cilat ndryshojnë nga lloji i drogës së përdorur. Për shembull, me stimulues të tillë si kokaina, ndjenja e euforisë pasohet nga ndjenja e fuqisë, vetëbesimi dhe rritja e energjisë. Në të kundërt, euforia e shkaktuar nga opioidet si heroina, ndiqet nga ndjenja e relaksimit dhe kënaqësisë.
• Për t’u ndierë më mirë. Disa njerëz që vuajnë nga ankthi social, stresi dhe depresioni fillojnë të përdorin drogë, në përpjekje të ndihen më pak të shqetësuar. Stresi mund të luajë një rol të madh në fillimin dhe vazhdimin e përdorimit të drogës, si dhe rikthimin në gjendjen fillestare (si përdorues) në pacientët që shërohen nga varësia.
• Për të rritur performancën e tyre. Disa njerëz ndiejnë presion për të përmirësuar fokusin e tyre në shkollë ose në punë, ose aftësitë në sport. Kjo mund të luajë një rol në tentativat e vazhdimit të përdorimit të drogave, të tilla si stimuluesit me recetë ose kokainën.
• Kurioziteti dhe presioni social. Në këtë drejtim, adoleshentët janë veçanërisht të rrezikuar sepse presioni i bashkëmoshatarëve mund të jetë shumë i fortë. Adoleshenca është një periudhë zhvillimi gjatë së cilës prania e faktorëve të rrezikut (ndikimi i bashkëmoshatarëve, përdorues të drogës), mund të çojë në përdorimin e substancave.

Nëse marrja e drogës i bën njerëzit të ndihen mirë ose më mirë, cili është problemi?
Kur përdorin për herë të parë një drogë, njerëzit mund të perceptojnë ato që duken të jenë efekte pozitive. Ata gjithashtu mund të besojnë se mund të kontrollojnë përdorimin e tyre. Por droga mund të pushtojë shpejt jetën e një personi. Me kalimin e kohës, nëse përdorimi i drogës vazhdon, aktivitetet e tjera të këndshme bëhen më pak të këndshme dhe personi duhet ta marrë drogën vetëm që të ndihet “normal”. Ata e kanë të vështirë të kontrollojnë nevojën e tyre për të marrë drogë edhe pse kjo shkakton shumë probleme për veten dhe të dashurit e tyre. Disa njerëz mund të fillojnë të ndiejnë nevojën për të marrë më shumë se një drogë ose ta marrin atë më shpesh, qysh në fazat e hershme të përdorimit. Këto janë shenjat e një varësie.
Edhe përdorimi relativisht i moderuar i drogës paraqet rreziqe. Konsideroni se si një alkoolist social mund të dehet, të drejtojë një makinë dhe ta kthejë shpejt një aktivitet të këndshëm, në një tragjedi që prek shumë jetë. Përdorimi i rastësishëm i drogës (si p.sh.: i një opioidi për t’u ndierë i relaksuar), mund të ketë efekte të ngjashme katastrofike, duke përfshirë paaftësinë e drejtimit të automjetit dhe mbidozën.

A zgjedhin njerëzit të vazhdojnë të përdorin drogë?
Vendimi fillestar për të marrë drogë është zakonisht vullnetar. Por me përdorim të vazhdueshëm, aftësia e një personi për të ushtruar vetëkontroll mund të dëmtohet seriozisht. Ky dëmtim i vetëkontrollit është shenjë dalluese e varësisë.
Studimet e imazhit të trurit të njerëzve me varësi, tregojnë ndryshime fizike në zonat e trurit që janë kritike për gjykimin, vendimmarrjen, të mësuarit, kujtesën dhe kontrollin e sjelljes. Këto ndryshime ndihmojnë në shpjegimin e natyrës kompulsive të varësisë.
Pse disa njerëz bëhen të varur nga droga, ndërsa të tjerët jo?
Ashtu si me sëmundjet dhe çrregullimet e tjera, gjasat e zhvillimit të një varësie ndryshojnë nga personi në person dhe asnjë faktor i vetëm nuk përcakton nëse një person do të bëhet i varur nga droga. Në përgjithësi, sa më shumë faktorë rreziku të ketë një person (në mungesë të faktorëve mbrojtës) aq më e madhe është mundësia për të qenë përdorues i drogës dhe krijuar varësi prej saj.
Faktorët e rrezikut dhe mbrojtës mund të jenë mjedisorë ose biologjikë:
• Faktorët biologjikë që mund të ndikojnë në rrezikun e varësisë së një personi përfshijnë gjenet, fazën e zhvillimit, madje edhe gjininë ose përkatësinë etnike. Shkencëtarët vlerësojnë se gjenet, duke përfshirë efektet që faktorët mjedisorë kanë në shprehjen e gjeneve të një personi, të quajtura epigjenetikë, përbëjnë ndërmjet 40 dhe 60 për qind të rrezikut të varësisë së një personi. Gjithashtu, adoleshentët dhe njerëzit me çrregullime mendore janë në rrezik më të madh të përdorimit të drogës dhe varësisë se të tjerët.
• Faktorët mjedisorë lidhen me familjen, shkollën dhe lagjen. Faktorët që mund të rrisin rrezikun e një personi përfshijnë si më poshtë:
• Shtëpia dhe Familja. Mjedisi në shtëpi, veçanërisht gjatë fëmijërisë, është një faktor shumë i rëndësishëm. Prindërit ose anëtarët më të vjetër të familjes që përdorin drogë ose keqpërdorin alkool, ose që shkelin ligjin, mund të rrisin rrezikun e fëmijëve për problemet e ardhshme të drogës.
• Bashkëmoshatarët dhe shkolla. Miqtë dhe bashkëmoshatarët e tjerë mund të kenë një ndikim gjithnjë e më të fortë gjatë viteve të adoleshencës. Adoleshentët që përdorin drogë mund t’i shtyjnë edhe ata pa faktorë rreziku të provojnë drogën për herë të parë. Përpjekjet në shkollë ose aftësitë e dobëta sociale mund ta vënë një fëmijë në rrezik të mëtejshëm për përdorimin ose varësinë nga droga.
Cilët faktorë të tjerë rrisin rrezikun e varësisë?
Përdorimi i hershëm. Edhe pse marrja e drogës në çdo moshë mund të çojë në varësi, hulumtimet tregojnë se sa më herët njerëzit fillojnë të përdorin drogë, aq më shumë ka gjasa që ata të kenë probleme serioze. Kjo mund të jetë për shkak të efektit të dëmshëm që droga mund të ketë në trurin dhe në zhvillimin e tij. Gjithashtu, mund të rezultojë nga një përzierje e faktorëve të rrezikut të hershëm social dhe biologjik, duke përfshirë mungesën e një shtëpie ose familjeje të qëndrueshme, ekspozimin ndaj abuzimit fizik ose seksual, gjeneve ose sëmundjeve mendore. Prapëseprapë, fakti mbetet se përdorimi i hershëm është një tregues i fortë i problemeve në të ardhmen, duke përfshirë varësinë.
Mënyra si merret (adminsitrohet) droga. Marrja e një droge nëpërmjet thithjes -rrugëve të frymëmarrjes ose injektimi i saj në një venë rrit potencialin për varësi. Të dyja mënyrat e marrjes së drogave hyjnë në tru brenda sekondave, duke prodhuar një efekt të fuqishëm kënaqësie. Megjithatë, ky reagim intensiv euforie mund të zbehet brenda pak minutash. Shkencëtarët besojnë se ky kontrast i fuqishëm i shtyn disa njerëz të përdorin në mënyrë të përsëritur drogë për të rimarrë gjendjen e këndshme kalimtare.
Truri vazhdon të zhvillohet në moshën madhore dhe pëson ndryshime dramatike gjatë adoleshencës.
Një nga zonat e trurit që ende piqet gjatë adoleshencës është korteksi paraballor – pjesa e trurit që i lejon njerëzit të vlerësojnë situatat, të marrin vendime të duhura dhe të mbajnë nën kontroll emocionet dhe dëshirat. Fakti që kjo pjesë kritike e trurit të një adoleshenti është ende duke u zhvilluar, i vë ata në rrezik të shtuar për të provuar drogën ose për të vazhduar marrjen e saj. Përdorimi i drogave gjatë kësaj periudhe zhvillimi mund të shkaktojë ndryshime në tru që kanë pasoja të thella dhe afatgjata.
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
Cilat janë pasojat e tjera shëndetësore të varësisë nga droga?
Njerëzit me varësi nga drogat shpesh kanë një ose më shumë probleme shëndetësore të lidhura, të cilat mund të përfshijnë sëmundje të mushkërive ose të zemrës, goditje në tru, kancer ose gjendje të shëndetit mendor. Skanimet imazherike, rrezet X të gjoksit dhe analizat e gjakut mund të tregojnë efektet e dëmshme të përdorimit afatgjatë të drogës në të gjithë trupin.
Për shembull, tashmë dihet mirë se tymi i duhanit mund të shkaktojë shumë kancere, metamfetamina mund të shkaktojë probleme të rënda dentare, dhe se opioidet mund të çojnë në mbidozë dhe vdekje. Përveç kësaj, disa ilaçe, të tilla si inhalatorët, mund të dëmtojnë ose shkatërrojnë qelizat nervore, qoftë në tru ose në sistemin nervor periferik (sistemi nervor jashtë trurit dhe palcës kurrizore).
Përdorimi i drogës gjithashtu mund të rrisë rrezikun e infektimit nga HIV dhe hepatiti C (një sëmundje serioze e mëlçisë), e cila mund të ndodhë nga përdorimi i përbashkët i pajisjeve të injeksionit ose nga praktikat e pasigurta, si seks i pambrojtur. Infeksioni i zemrës dhe valvulave të saj (endokarditi) dhe infeksioni i lëkurës (celuliti) mund të ndodhin pas ekspozimit ndaj baktereve nga përdorimi i drogës me injeksion.
Përdorimi i drogës dhe sëmundje të tjera mendore shpesh bashkekzistojnë. Në disa raste, çrregullimet mendore si ankthi, depresioni ose skizofrenia mund të zhvillohen përpara varësisë. Në raste të tjera, përdorimi i drogës mund të shkaktojë ose përkeqësojë ato gjendje të shëndetit mendor, veçanërisht te njerëzit me cënueshmëri specifike.
Disa njerëz me çrregullime si ankthi ose depresioni, mund të përdorin drogë në një përpjekje për të lehtësuar simptomat psikiatrike. Kjo mund të përkeqësojë çrregullimin e tyre mendor në aspektin afatgjatë, si dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të varësisë. Trajtimi për të gjitha gjendjet shëndetësore, si ekzistenca e varësisë dhe problemeve të shëndetit mendor, duhet të bëhet njëkohësisht.
Si mund të dëmtojë varësia njerëzit e tjerë?
Ndikimi në shëndet i varësisë mund të jetë i gjerë
• Sëmundje kardiovaskulare
• Goditja në tru
• Kanceri
• HIV/AIDS
• Hepatiti B dhe C
• Sëmundje e mushkërive
• Çrregullime mendore
Përtej pasojave të dëmshme për personin me varësi, përdorimi i drogës mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore për të tjerët. Disa nga pasojat më të rënda të varësisë janë:
Efektet negative të përdorimit të drogës gjatë shtatzënisë ose ushqyerjes me gji
Përdorimi i substancave ose ilaçeve nga një nënë gjatë shtatzënisë mund të bëjë që foshnja e saj të përjetojë simptomat e tërheqjes pasi të lindë, e cila quhet sindroma e abstinencës neonatale (NAS). Simptomat do të ndryshojnë në varësi të substancës së përdorur, por mund të përfshijnë dridhje, probleme me gjumin dhe ushqyerjen, madje edhe kriza. Disa foshnja të ekspozuar ndaj drogës do të kenë probleme zhvillimi me sjelljen, vëmendjen dhe të menduarit. Hulumtimet e vazhdueshme priren të kuptojnë nëse këto efekte në tru dhe sjellje shtrihen deri në vitet e adoleshencës, duke shkaktuar probleme të vazhdueshme zhvillimi. Përveç kësaj, disa substanca mund të hyjnë në qumështin e gjirit të nënës. Shkencëtarët ende po mësojnë për efektet afatgjata te një fëmijë i cili është i ekspozuar ndaj drogës nëpërmjet ushqyerjes me gji.
Rritja e përhapjes së sëmundjeve infektive.
Injektimi i drogave përbën 1 në 10 raste të HIV-it. Përdorimi i drogës me injeksion është gjithashtu një faktor kryesor në përhapjen e hepatitit C dhe mund të jetë shkaku i endokarditit dhe celulitit. Përdorimi i drogës me injeksion nuk është mënyra e vetme që kontribuon në përhapjen e sëmundjeve infektive. Drogat që keqpërdoren mund të shkaktojnë dehje, e cila pengon gjykimin dhe rrit mundësinë e sjelljeve seksuale të rrezikshme, siç është seksi i pambrojtur.
Rritja e rrezikut të aksidenteve të automjeteve motorike.
Përdorimi i drogave të paligjshme ose keqpërdorimi i barnave me recetë mund ta bëjë të pasigurt drejtimin e një makine – njësoj si ngarja pasi keni pirë alkool. Drejtimi i mjetit nën efektin e drogave vë në rrezik shoferin, pasagjerët dhe të tjerët që ndajnë rrugën. Pas alkoolit, marihuana është droga që lidhet më shpesh me drejtimin e makinës nën efektin e substancave. Studimet kërkimore kanë treguar efekte negative të marihuanës tek drejtuesit e mjeteve, duke përfshirë një rritje në kalimin në “korsinë e gabuar”, kohën e dobët të reagimit dhe ndryshimin e vëmendjes ndaj rrugës.