EPILEPSIA

 

            Më shumë se 50 milionë njerëz vuajnë nga epilepsia në të gjithë botën.

Fjala “epilepsi” vjen nga greqishtja dhe do të thotë “i surprizuar, ose i kapur pa e pasur mendjen”. Të vuash nga epilepsia, do të thotë të vuash nga kriza konvulsive të ripërsëritura. Kushdo mund të preket nga epilepsia dhe kjo mund të ndodhë, nëse truri ekspozohet ndaj një stimuli me intensitet mjaftueshëm të fortë.

Kriza Epileptike

Në trurin tonë ndodhin gjithë kohës aktivitete elektrike. Kriza ndodh kur truri ka një aktivitet elektrik intensiv si pasojë e të cilit provokohet aktiviteti epileptiform.

Truri është përgjegjës për të gjitha funksionet e trupit. Ajo ҫfarë ndodh në trupin tuaj gjatë krizës epileptike varet nga zona e trurit ku ka nisur aktiviteti epileptik. Për këtë arsye, kemi forma të ndryshme të paraqitjes së krizës konvulsive.

Shkaqet

Epilepsia nuk është një sëmundje e vetme, por janë shumë sindroma epileptike që ndryshojnë në varësi të moshës së shfaqjes së simptomave, të dhënave elektroencefalografike dhe ndryshimeve imazherike. Sindromat epileptike mund të fillojnë qysh në moshën e të porsalindurit dhe mund të shfaqen në varësi të llojit në çdo moshë.

Shkaku i epilepsisë në disa raste është i paqarte, megjithatë zhvillimet e gjenetikës kanë rritur gjithnjë e më shumë percaktimin e shkaktarit dhe përmiresimin e trajtimit.

Shkaqet e epilepsive janë strukturale, gjenetike, metabolike, infeksioze, imune por edhe të panjohura.

Në çdo 6 nga 10 pacientë, mjekët nuk arrijnë të gjejnë shkakun e vërtetë të epilepsisë. Për shumë nga këta pacientë, përjetimi i situatave epileptike është i ndryshëm dhe nuk ka ngjashmëri krahasimi me një pacient tjetër; ose nëse njëri ka më shumë gjasa se tjetri .

Diagnostikimi

Përcaktimi i diagnozës për Epilepsinë kërkon eksperiencë dhe trajnim të vazhdueshëm të mjekut specialist. Për vendosjen e diagnozës rëndësi kanë të dhënat klinike, elektroencefalografike, imazherike, analizat metabolike dhe gjenetike.

 

Trajtimi i Epilepsisë

Epilepsia zakonisht trajtohet me mjekime kundër epilepsisë të cilat veprojnë në tru duke reduktuar mundësitë e goditjeve epileptike, ose parandalimin e goditjes epileptike. Shumë njerëz të cilët marrin mjekimin e duhur kanë më pak, ose aspak goditje epileptike.

Trajtime të tjera të Epilepsisë

Nëse barnat e përdorura për mjekimin e epilepsisë nuk japin rezultat, atëherë ka edhe mënyra të tjera trajtimi të cilat mund të ndihmojnë, siç janë:

  • Ndërhyrja kirurgjikale në tru
  • Stimulimi i nervit vagus
  • Dieta ketogjenike

Në shumicën e rasteve Epilepsia është një sëmundje trajtueshme dhe e shërueshme. Megjithatë, një rol të rëndësishëm ka dhe mënyra e menaxhimit të krizës epileptike si emegjencë në shtëpi. Për këtë mjeku kurues duhet t’ju japë informacionet dhe këshillat përkatëse.