Dita Botërore Pa Duhan, 2024.
Që prej vitit 1987, çdo 31 Maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën Botërore Pa Duhan.
Qëllimi i kësaj dite është rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës lidhur me rreziqet që sjellë duhanpirja, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e prodhimit dhe përdorimit të tij.
DITA veç të tjerash, informon publikun mbi praktikat e biznesit të kompanive të duhanit; çfarë po bën OBSH-ja për të luftuar këtë epidemi dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit në mbarë botën për të kërkuar të drejtën e tyre për më tepër siguri dhe jetë të shëndetshme, si dhe për të mbrojtur brezat e ardhshëm.
Dita Botërore Pa Duhan – 2024, synon t’u japë zë të rinjve anembanë botës, thirrjeve të tyre që industria e duhanit të mos i targetojë ata me produkte që janë të dëmshme për shëndetin e tyre, si edhe për të qenë të mbrojtur nga praktikat manipuluese, duke përfshirë marketingun e pamëshirshëm përmes mediave sociale dhe platformave të tjera të transmetimit. Sot fëmijët përdorin cigare elektronike me ritme më të larta se të rriturit në të gjitha rajonet dhe globalisht, rreth 37 milionë të rinj të moshës 13-15 vjeç përdorin duhan.
Tema e Ditës Botërore Pa Duhan – 2024, është: “Të mbrojmë fëmijët nga praktikat manipuluese të industrisë së duhanit”. Kjo nismë ka një rëndësi të madhe dhe jetike, në luftën kundër këtij fenomeni të dëmshëm me impakt shoqëror. Disa nga arsyet janë:
Për dekada të tëra, industria e duhanit është përballur me rënie të normave të shitjeve në vendet e zhvilluara për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për rreziqet shëndetësore që lidhen me pirjen e duhanit. Kjo i ka shtyrë ata të synojnë në mënyrë agresive tregje të reja dhe joshjen e konsumatorëve, kryesisht të rinjve.
Taktikat e tyre janë më të sofistikuara. Cigaret elektronike me aromë me emra të ngjashëm me karamele dhe dizajne të hijshme janë krijuar posaçërisht për këtë qëllim. Algoritmet e mediave sociale i mbajnë përdoruesit të angazhuar me përmbajtje të synuar, duke normalizuar dhe minimizuar rreziqet e përdorimit të duhanit.
Rezultatet janë alarmante. Sondazhet globale tregojnë një tendencë në rritje të përdorimit të duhanit dhe produkteve të nikotinës tek adoleshentët e moshës 13-15 vjeç. Kjo jo vetëm që kërcënon shëndetin e tyre, por gjithashtu, krijon varësi dhe komplikime të mundshme, afatgjata për jetën.
Pse ka rëndësi mbrojtja e të rinjve?
Pasojat e përdorimit të duhanit tek të rinjtë janë të frikshme. Nikotina krijon varësi dhe ekspozimi i hershëm rrit gjasat për ruajtjen e trendit edhe në moshën madhore. Kjo situatë mund të çojë në një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë:
Sëmundjet respiratore: Përdorimi i duhanit dëmton mushkëritë, duke rritur rrezikun e sëmundjes kronike obstruktive pulmonare (COPD), astmës dhe kancerit të mushkërive.
Sëmundjet kardiovaskulare: Përdorimi i duhanit është një faktor rreziku kryesor për sulmet në zemër, goditjet në tru dhe komplikime të tjera kardiovaskulare.
Kanceri: Përdorimi i duhanit nuk lidhet vetëm me kancerin e mushkërive, por gjithashtu rrit rrezikun e kancerit të gojës, fytit, ezofagut, fshikëzës dhe pankreasit.
Çështjet e shëndetit mendor: Ka një numër në rritje të provave që lidhin përdorimin e duhanit me depresionin, ankthin dhe probleme të tjera të ngjashme.
Përtej efekteve të menjëhershme shëndetësore, përdorimi i duhanit për të rinjtë përbën një barrë të konsiderueshme ekonomike. Ndërhyrja e hershme dhe përpjekjet parandaluese nga sistemet e kujdesit shëndetësor janë thelbësore për të mbrojtur brezat e ardhshëm dhe për të siguruar një të nesërme më premtuese.
Rëndësia e Ditës Botërore Pa Duhan
Rritje e ndërgjegjësimit: DITA shërben si një platformë për të rritur ndërgjegjësimin për efektet e dëmshme të përdorimit të duhanit në shëndet. Nëpërmjet fushatave edukative, komunikimit në media dhe ngjarjeve në komunitet, publiku informohet për sëmundjet e ndryshme të shkaktuara nga konsumimi i duhanit, duke përfshirë: kancerin, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e frymëmarrjes etj.
Parandalimi i aktit/fillimit: Për shumë individë, varësia ndaj duhanit fillon gjatë adoleshencës ose në stadet e para të moshës madhore. Dita Botërore Pa Duhan synon të parandalojë të pirët në moshën e hershme dhe të dekurajojë eksperimentimin me produktet e duhanit. Ndërhyrja dhe edukimi bazik, koherent mund të ndihmojnë në formimin e sjelljeve dhe stileve të jetesës më të shëndetshme midis brezave të ardhshëm.
Mbështetja e përpjekjeve për lënien e duhanit: Dita Botërore Pa Duhan thekson gjithashtu, rëndësinë e mbështetjes së përdoruesve të duhanit në udhëtimin e tyre të ndërprerjes ose “heqjes dorë”. Shumë njerëz luftojnë për të lënë duhanin ose përdorimin e produkteve të tjera të ngjashme për shkak të varësisë nga nikotina dhe faktorëve të ndryshëm. Nëpërmjet promovimit të burimeve të “ndërprerjes”, të tilla si: shërbimet e këshillimit, linjat e ndihmës dhe terapia e zëvendësimit të nikotinës, synohet inkurajimi i individëve që të kërkojnë ndihmë dhe të ndërmarrin hapa drejt lënies përfundimtare të duhanit.
Mbështetja për ndryshimin e politikave: Një aspekt tjetër kritik i DITËS është mbrojtja e politikave dhe rregulloreve të bazuara në prova për të reduktuar konsumin e duhanit. Nga ligjet kundër duhanit dhe taksat ndaj tij, te ndalimet e reklamave dhe rregulloret e paketimit, ndërhyrjet e politikave koherente luajnë një rol jetik në përpjekjet për ta pasur situatën nën kontroll. Duke theksuar efektivitetin e këtyre masave dhe duke bërë thirrje për zbatueshmërinë në shkallë globale, ky respektim përforcon zërin e avokatëve dhe politikëbërësve të shëndetit publik.
Nxitja e Bashkëpunimit Global: Dita Botërore Pa Duhan shërben si një kujtesë për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në trajtimin e kësaj “epidemie”. Nëpërmjet bashkëpunimit midis qeverive, organizatave të shëndetit publik, organizatave joqeveritare (OJQ) dhe palëve të tjera të interesuara, vendet mund të ndajnë praktikat më të mira, të shkëmbejnë njohuri dhe të punojnë së bashku për të zhvilluar strategji gjithëpërfshirëse të kontrollit të duhanit. Solidariteti midis kombeve është thelbësor për adresimin e sfidave ndërkufitare të paraqitura nga industria e duhanit; për tu siguruar që të gjithë të kenë akses në mjetet dhe burimet e nevojshme për “një jetë pa duhan”
Ndërsa përkujtojmë Ditën Botërore Pa Duhan -2024, le të riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien, për një të ardhme më dinjitoze dhe premtuese për brezat që vijnë, drejt një bote ku duhani nuk na “rrëmben” jetën dhe vitalitetin.
Disa fakte:
- Ka 1.3 miliardë përdorues të duhanit në mbarë botën.
- Duhani vret rreth 8 milion njerëz çdo vit (më shumë se 7 milion duhanpirës aktivë dhe mbi 1 milion joduhanpirës të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë), duke përfshirë 1 milion në Amerikë.
- Jetëgjatësia e duhanpirësve është të paktën dhjetë vjet më pak se ajo e joduhanpirësve.
- Kompanitë e duhanit shpenzuan mbi 8 miliardë dollarë për marketing dhe reklama.
- Fëmijët dhe adoleshentët që përdorin cigare elektronike të paktën dyfishojnë mundësinë e tyre për të pirë cigare më vonë në jetë.
- Duhanpirja e dorës së dytë shkakton 1.2 milionë vdekje në vit.
- 65,000 fëmijë vdesin çdo vit për shkak të sëmundjeve dytësore të lidhura me duhanin.