Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, 12 Qershor 2023

Tema e këtij viti: “Drejtësi sociale për të gjithë. Dhënia fund e  punës së fëmijëve!”

12 qershori është caktuar nga  Kombet e Bashkuara si Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve dhe synon të shërbejë si një katalizator dhe inkurajim për lëvizjen globale në mbrojtje të të drejtave të kësaj shtrese vulnerabël të shoqërisë.

DITA e vë theksin tek lidhja koherente midis drejtësisë sociale dhe dhënies fund të punës së fëmijëve.

Përpjekjet tona të përbashkëta në trajtimin e kësaj çështjeje sensitive gjatë tre dekadave të fundit, kanë treguar se puna e fëmijëve mund të eliminohet nëse adresohen shkaqet kryesore. Më shumë se kurrë, është e domosdoshme që të gjithë ne të kontribuojmë për të sjellë zgjidhje për problemet e përditshme të njerëzve dhe puna e fëmijëve mbetet problemi kryesor.

Prandaj, ne e konsiderojmë Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve 2023, si një moment për të reflektuar, demonstruar përkushtim, vullnet, vendosmëri, me bindjen se ndryshimi mund të arrihet nga përpjekjet tona të përbashkëta, për të qenë të përgatitur për çdo situatë emergjente.

 

Apeli ynë në këtë Ditë të veçantë, të këtij  12 Qershor 2023 është:

  • Ripërtëritja e veprimit ndërkombëtar në kuadrin e parashikuar të Koalicionit Global për Drejtësi Sociale, në lidhje me eliminimin e punës së fëmijëve si një nga elementët e tij më të rëndësishëm;
  • Ratifikimi universal i Konventës së ONP-s nr. 138 ‘Për moshën minimale’, e cila, së bashku me ratifikimin universal të Konventës nr. 182 ‘Për format më të këqija të punës së fëmijëve’ të arritur në vitin 2020, do t’u siguronte të gjithë fëmijëve mbrojtje ligjore kundër të gjitha formave të punës dhe shfrytëzimit.

Prevalenca e punës së fëmijëve.

Që nga viti 2000, për gati dy dekada, bota kishte bërë përparim të qëndrueshëm në reduktimin e punës së fëmijëve. Por gjatë viteve të fundit, konfliktet, krizat dhe pandemia COVID-19, kanë zhytur më shumë familje në varfëri dhe kanë detyruar miliona fëmijë të përfshihen në punë. Rritja ekonomike nuk ka qenë e mjaftueshme dhe as gjithëpërfshirëse për të lehtësuar presionin që shumë familje dhe komunitete ndiejnë dhe që i bën ata të përdorin punën e fëmijëve. Sot, 160 milionë fëmijë janë ende të angazhuar në punë. Kjo është pothuajse një në dhjetë fëmijë në mbarë botën.

Afrika renditet e para midis rajoneve si në përqindjen e fëmijëve në punën – një e pesta – dhe numrin absolut të fëmijëve në punë – 72 milionë. Azia dhe Paqësori renditen në vendin e dytë ku 7% e të gjithë fëmijëve dhe 62 milionë në terma absolutë janë në punë në këtë rajon.

Rajonet e Afrikës, të Azisë dhe të Paqësorit së bashku përbëjnë pothuajse 90% e fëmijëve punë në mbarë botën. Popullsia e mbetur është e ndarë midis Amerikës (11 milionë), Evropës dhe Azisë Qendrore (6 milionë) dhe Shteteve Arabe (1 milionë). Për sa i përket incidencës, 5% e fëmijëve janë në punë në Amerikë, 4% në Evropë dhe Azinë Qendrore dhe 3% në Shtetet Arabe.

Ndërsa përqindja e fëmijëve në punë është më e larta në vendet me të ardhura të ulëta, numri i tyre është në fakt më i madh në vendet me të ardhura mesatare. 9% e të gjithë fëmijëve në vendet me të ardhura të mesme të ulëta dhe 7% e të gjithë fëmijëve në vendet me të ardhura të mesme të larta janë në punë. Statistikat mbi numrin absolut të fëmijëve në punë në secilin grup të të ardhurave kombëtare, tregojnë se 84 milionë fëmijë në punë, që përbëjnë 56% të të gjithë atyre që punojnë, jetojnë aktualisht në vende me të ardhura mesatare dhe 2 milionë të tjerë jetojnë në vendet me të ardhura të larta.