Ditën e Hënë në datë 06 Mars 2017, në sallën e mbledhjeve të ASHR-së Tiranë, u organizua një takim sensibilizues në kuadër të Ditës Botërore të Veshkave. Ky takim u realizua me bashkëpunimin e ISHP, Shërbimit të Nefrologjisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Shoqatës Nefrologjisë Shqiptare, dhe ASHR-së së qytetit të Tiranës, në të cilin morën pjesë rreth 60 mjekë shkollash. Takimi ishte i rëndësishëm dhe u ndoq me interes nga të gjithë pjesmarrësit, të cilët nuk hezituan të japin edhe përvojën e tyre gjatë pyetjeve apo edhe diskutimeve që u bënë.
Dita Botërore e këtij viti trajtojnte temën “Sëmundja e Veshkave dhe Obeziteti” dhe logoja bën thirje për “Stil Jetese të Shëndetshëm për Veshka të Shëndetshme”.
Në takim u theksua se obeziteti është përcaktuar si grumbullim jonormal i yndyrës që mund të dëmtojë shëndetin. Në 2014 kishte rreth 600 milion të rritur obezë në të gjithë botën.
Obeziteti është një faktor potencial rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të veshkave. Ai shton rrezikun e zhvillimit të faktorëve madhor të rrezikut për Sëmundjen Kronike të Veshkave (SKV), si diabeti dhe hipertensioni dhe ka një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e SKV dhe fundin e stadit renal të sëmundjes. Në personat e prekur nga obeziteti, veshkat duhet të punojnë më shumë, duke filtruar më shumë gjak se normalisht për të arritur kërkesat metabolike në rritje të peshës së trupit. Sforcimi në realizimin e funksioneve mund të dëmtojë veshkën dhe të shtojë rrezikun e zhvillimit të SKV për një kohë të gjatë.
Lajmi i mirë është që obeziteti ashtu si edhe SKV është lehtësisht i parandalueshëm. Edukimi dhe ndërgjegjësimi për rreziqet e obezitetit dhe një jetë e shëndetshme, përfshirë ushqimin e duhur dhe ushtrimet fizike, mund të ndihmojnë fuqimisht në parandalimin e obezitetit dhe sëmundjes së veshkave.
Këtë vit Dita Botërore e Veshkave promovon edukimin rreth pasojave të dëmshme të obezitetit dhe asocimit të tij me sëmundjen e veshkave, duke bërë thirje për stil jete të shëndetshëm dhe masa të politikave të shëndetshme që i bëjnë sjelljet parandaluese një opsion të arsyeshëm.
Lidhja midis Sëmundjes së Veshkave dhe Obezitetit
Sëmundja e veshkave është më e zhvilluar tek njerëzit obezë duke përfshirë edhe ata që janë me diabet dhe hipertension.
Në vitin 2025, obeziteti do të prekë 18% të burrave dhe mbi 21% të grave në të gjithë botën, dhe obeziteti i tepërt do të prekë 6% të burrave dhe 9% të grave në botë. Në disa vende, obeziteti është pothuaj prezent në më shumë se 1/3 të popullsisë së rritur dhe kontribuon në mënyrë të dukshme në shëndetin e varfër dhe në kostot vjetore mjeksore të larta.
Obeziteti mund të çojë në Sëmundjen Kronike të Veshkave indirekt duke rritur 2 tipet e diabetit, hipertensionin dhe sëmundjen e zemrës, dhe gjithashtu duke shkaktuar direkt dëme në veshka përmes rritjes së punës së veshkave dhe mekanizmave të tjerë.
Reduktimi i obezitetit mund të na kursejë ose të zvogëlojë progresin e SKV.
Në fund të takimit mjekëve të shkollave iu kërkua që të organizojnë takime me të njëjtën tematikë edhe në shkollat ku ata punojnë, duke mobilizuar dhe sensibilizuar një numër gjithmonë e më të madh nxënësish.
Engjëll MIHALI