Dita Botërore e SPOK
“Njihni si funksionojnë mushkëritë tuaja”
Sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK) është një sëmundje e parandalueshme dhe e trajtueshme që shkakton vështirësi në frymëmarrje, prodhim të gëlbazës dhe kollë. SPOK është aktualisht një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën dhe shumë i përhapur në popullatë, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta ekonomike. Rreth tre milionë njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit për shkak të SPOK. Ky numër pritet të rritet për shkak të plakjes së popullsisë së botës dhe ekspozimit të vazhdueshëm ndaj faktorëve të rrezikut si tymi i duhanit. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit, grimcave dhe gazrave të tjerë toksikë të thithura, janë faktorët kryesorë të rrezikut për SPOK. Hulumtimet e fundit tregojnë, se SPOK shkaktohet nga një kombinim i faktorëve të rrezikut gjenetik dhe mjedisor që ndodhin gjatë gjithë jetës, duke filluar që në embrion, duke vazhduar gjatë foshnjërisë dhe adoleshencës.
Qëllimi i Ditës Botërore të SPOK është të rrisë ndërgjegjësimin dhe të paraqesë njohuri dhe strategji të reja terapeutike për SPOK në mbarë botën.
Po ndërmerren në mbarë botën, nisma për të reduktuar barrën e SPOK, duke promovuar shëndetin e mushkërive që përfshijnë: programet e lënies së duhanit, luftën kundër ndotjes së ajrit si brenda dhe në ambientet e jashme, duke ekzaminuar faktorët e pafavorshëm të fëmijërisë.
Megjithëse nuk ka asnjë kurë aktuale për SPOK, veprimet për ta parandaluar atë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës, mund të kryhen vazhdimisht. Punëdhënësit mund të krijojnë mjedise të ajrosura, qytetarët mund të tregojnë kujdes për pastërtinë e ajrit. Pacientët ashtu si dhe familjet mund të ndihmojnë për të mbështetur më shumë kërkimet për këtë sëmundje, si dhe për të pasur akses më të mirë në kujdesin shëndetësor duke përfshirë: barnat, ekzaminimet rutinë të spirometrisë (spirometria – është testi më i zakonshëm i funksionit të mushkërive që mat sasinë dhe shpejtësinë e thithjes dhe nxjerrjes së ajrit); trajtime të tjera si aksesi në teleshëndet për pacientët. Përveç kësaj, ofruesit dhe politikëbërësit mund të punojnë së bashku për të përmirësuar aksesin në spirometri, që është i rëndësishëm për diagnostikimin e sëmundjeve të mushkërive.