1 Dhjetor 2013
Me rastin e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS, në mjediset e Hotel Tirana, u zhvillua një konferencë për shtyp me pjesëmarrjen e Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, përfaqësueses të Kombeve të Bashkuara zj. Zineb Touimi-Benjelloun si dhe drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik z. Arjan Bregu.
Në fjalën e tij, Ministri i Shëndetësisë duke paraqitur panoramën dhe problematikat e situatës së infeksionit HIV në Shqipëri, theksoi angazhimin e strukturave shtetërore në luftën kundër HIV/AIDS në përputhje me moton e fushatës ndërgjegjësuese të këtij viti:
Le të shkojmë drejt Zeros!
Zero infeksione të reja me HIV!
Zero vdekje nga SIDA!
Zero Diskriminimit!
Aktiviteti shënoi dhe përmbylljen e një seri aktivitesh ndërgjegjësuese të organizuara në mbarë vendin, në bashkëpunim me strukturat shëndetësore dhe të arsimit në rrethe, si dhe me Organizatat Jofitimprurëse aktive, në luftën kundër HIV/AIDS.
Nga data 22 -29 Nëntor edhe Shqipëria iu bashkua Javës Evropiane të Testimit për HIV. Qëllimi i saj është ndërgjegjësimi i sa më shumë njerëzve, për të njohur statusin e tyre për infeksionin HIV dhe reduktuar diagnozën e vonshme, nëpërmjet komunikimit të përfitimeve të testimit për HIV.
Në kuadër të kësaj jave Instituti i Shëndetit Publik, Programi Kombëtar HIV/AIDS në bashkëpunim me Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar dhe Konfidencial në rrethe, me Mnistrinë e Arsimit dhe mbështetjen e Agjensive të Kombeve të Bashkuara organizoi një sër aktivitesh informuese dhe ndërgjegjësuese.
Në menyrë të veçantë në qendrat universitare të 4 rretheve, Tiranë (Qyteti Studenti), Vlorë, Korçë dhe Shkodër, krahas promovimit të testimit për HIV, u bë i mundur dhe ofrimi i testimit për HIV. Testimi u ofrua dhe u krye në mjedise të përshtatshme brenda universiteteve, dhe në përputhje me standartet e këshillimit dhe testimit.