Dita Botërore e Sëmundjes Pulmonare Obstruktive (SPOK) 2023
Tema e vitit 2023 për Ditën Botërore të SPOK është: “Mbroni mushkëritë tuaja – Veproni sa nuk është vonë” e cila do të zhvillohet më 15 nëntor.
Tema e këtij viti synon të nxjerrë në pah rëndësinë e shëndetit të hershëm të mushkërive, diagnostikimit dhe ndërhyrjeve të hershme.
Mbajtja e mushkërive shëndetshëm është shumë e rëndësishme për shëndetin tonë. Tashmë dihet se ka shumë faktorë të tjerë përveç duhanpirjes, që mund të kontribuojnë në SPOK, dhe se ai mund të fillojë herët në jetë dhe të ndikojë tek të rinjtë. Sot, mund të ofrohen mundësi të reja për diagnostikim të hershëm dhe trajtim të menjëhershëm.
Kjo fushatë do të fokusohet në nënvizimin e rëndësisë së shëndetit të hershëm të mushkërive që përfshin: parandalimin e faktorëve të rrezikut të hershëm, monitorimin e shëndetit të mushkërive që nga lindja, diagnostikimin e SPOK-ut në fillesat e tij dhe ofrimin e trajtimit të menjëhershëm.
Faktet kryesore
- Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK) është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në mbarë botën, duke shkaktuar 3.23 milionë vdekje në vitin 2019.
- Gati 90% e vdekjeve nga SPOK-u tek pacientët nën 70 vjeç ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
- SPOK-u është shkaku i shtatë kryesor i shëndetit të dobët në mbarë botën.
- Duhanpirja është përgjegjëse në mbi 70% të rasteve të SPOK-ut në vendet me të ardhura të larta. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duhanpirja është përgjegjëse në 30-40% të rasteve të SPOK-ut, gjithashtu dhe ndotja e ajrit nga tymi i duhanit është një faktor kryesor rreziku.
Vështrim i përgjithshëm
SPOK-u është një sëmundje e zakonshme e mushkërive që shkakton kufizim të qarkullimit të ajrit dhe probleme me frymëmarrjen. Nganjëherë quhet emfizemë, ose bronkit kronik.
Tek njerëzit me SPOK mushkëritë mund të dëmtohen, ose të bllokohen me gëlbazë. Simptomat përfshijnë kollën (ndonjëherë me gëlbazë), vështirësi në frymëmarrje dhe lodhje.
Duhanpirja dhe ndotja e ajrit janë shkaktarët më të zakonshëm të SPOK-ut. Njerëzit me SPOK janë në rrezik më të lartë për problemeve të tjera shëndetësore.
SPOK-u nuk shërohet por simptomat mund të përmirësohen, nëse shmangni duhanin, ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit. Mund të trajtohet me ilaçe, oksigjen dhe rehabilitim pulmonar.
Simptomat
Simptomat më të zakonshme të SPOK-ut janë: vështirësia në frymëmarrje, kolla kronike (nganjëherë me gëlbazë) dhe ndjenja e lodhjes.
Simptomat e SPOK-ut mund të përkeqësohen shpejt. Këto quhen shpërthime, zakonisht zgjasin për disa ditë dhe shpesh kërkojnë ilaçe shtesë.
Njerëzit me SPOK gjithashtu kanë një rrezik më të lartë për probleme të tjera shëndetësore. Kjo përfshin:
- infeksione të mushkërive (gripi ose pneumonia)
- kancer në mushkëri
- probleme me zemrën
- muskuj të dobët dhe kocka të brishta
- depresion dhe ankth.
Shkaqet
SPOK-u zhvillohet gradualisht me kalimin e kohës, shpesh si rezultat i një kombinimi të faktorëve të rrezikut siç janë:
- ekspozimi ndaj duhanit nga pirja aktive e tij, ose ekspozimi pasiv ndaj tymit;
- ekspozimi në punë ndaj pluhurave, tymrave ose kimikateve;
- ndotja e ajrit në ambiente të brendshme nga: djegia e druve, plehrave të kafshëve, mbetjeve të të korrave, qymyrit që përdoret shpesh për gatim dhe ngrohje (në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare – me nivele të larta të ekspozimit ndaj tymit);
- ngjarjet e hershme të jetës si: rritja e dobët në mitër, prematuriteti, infeksionet e shpeshta ose të rënda të frymëmarrjes në fëmijëri;
- astma në fëmijëri;
Mjekimi
SPOK nuk është i shërueshëm por mund të përmirësohet duke mos pirë duhan, duke shmangur ndotjen e ajrit dhe duke u vaksinuar. Mund të trajtohet me ilaçe, oksigjen dhe rehabilitim pulmonar.
Ka disa trajtime për SPOK-un.
Ilaçet inhalatore -që hapin dhe zvogëlojnë ënjtjen në rrugët e frymëmarrjes- janë trajtimet kryesore.
Inhalatorët bronkodilator janë ilaçet më të rëndësishme për trajtimin e SPOK. Ata relaksojnë rrugët e frymëmarrjes për t’i mbajtur ato të hapura.
Bronkodilatorët me veprim të shkurtër fillojnë të veprojnë në disa sekonda dhe mund të zgjasin 4-6 orë. Këto përdoren shpesh gjatë shpërthimeve.
Bronkodilatorët me veprim të gjatë kërkojnë më shumë kohë për të filluar punën, por zgjasin më shumë.
Të jetosh me SPOK
Ndryshimet e stilit të jetesës mund të ndihmojnë në përmirësimin e simptomave të SPOK-ut.
Lëreni duhanin. Kjo është më e rëndësishmja për t’u bërë. Edhe nëse e keni pirë duhanin për shumë vite, lënia e tij përsëri mund të ndihmojë.
Shmangni tymin nga gatimi në ambientet brendshme.
Qëndroni fizikisht aktiv
Personave që jetojnë me SPOK duhet t’u jepet informacion nga mjeku i familjes për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin dhe vetëkujdesin për t’i ndihmuar, që të qëndrojnë sa më aktiv dhe të shëndetshëm.