Dita Botërore e Parkinsonit
Sëmundja e Parkinsonit: Shkaqet, Shenjat, Faktorët e rrezikut dhe Trajtimi.
Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim progresiv, kronik që prek sistemin nervor dhe pjesët e trupit të kontrolluara prej tij. Klasifikohet si një “çrregullim i lëvizjes” për shkak se dëmi që i shkaktohet trurit ndikon në aftësinë për të lëvizur pjesë të trupit, me apo pa dëshirën tuaj.
Diagnoza “Parkinson” i dedikohet mjekut anglez James Parkinson, i cili në vitin 1817 raportoi gjashtë persona të prekur nga kjo sëmundje.
Në çdo 11 prill, që përkon edhe me ditën e lindjes së tij, duke filluar nga viti 1997 në të gjithë botën organizohen fushata sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi, dhe si simbol i sëmundjes së Parkinsonit është zgjedhur tulipani i kuq.
Shkaqet
Për shkak të sëmundjes së Parkinsonit, disa qeliza nervore (neurone) në tru gradualisht “prishen” ose vdesin. Shumë nga simptomat vijnë si rrjedhojë e humbjes së neuroneve që prodhojnë dopaminë. Shkaku i Parkinsonit është i panjohur, por disa faktorë vlerësohen se luajnë një rol në zhvillimin e kësaj sëmundjeje. Ato përfshijnë:
- Studiuesit e fushës kanë identifikuar ndryshime specifike gjenetike që mund të shkaktojnë sëmundjen e Parkinsonit. Po ashtu, raste kur ka shumë anëtarë të familjes të prekur me “Parkinson”, duket se ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes tek pasardhësit.
- Shkaktarët mjedisorë. Ekspozimi ndaj disa toksinave ose faktorëve mjedisorë mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së Parkinsonit.
Faktorët e rrezikut
Faktorët e rrezikut për sëmundjen e Parkinsonit përfshijnë:
- Zakonisht sëmundja fillon në moshë të mesme ose të vonë dhe rreziku rritet me kalimin e viteve. Sëmundja zhvillohet zakonisht tek personat e moshave rreth 60 vjeç ose më shumë, por edhe të rinjtë mund të preken.
- Trashëgimia gjenetike. Pasja e një të afërmi me sëmundjen e Parkinsonit rrit shanset që ju të zhvilloni sëmundjen. Në rast të kundërt risku është i vogël.
- Burrat kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Parkinsonit sesa gratë.
- Ekspozimi ndaj toksinave. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj herbicideve dhe pesticideve mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së Parkinsonit.
Simptomat
Simptomat fillojnë gradualisht. Shenjat e hershme mund të jenë të lehta dhe të kalojnë pa u vënë re. Simptoma e parë mund të jetë një dridhje mezi e dukshme në njërën dorë. Në fazat e hershme të sëmundjes së Parkinsonit, fytyra e personit mund të tregojë pak ose aspak shprehi. Krahët mund të mos lëkunden gjatë ecjes. E folura bëhet si nën zë, ose e paqartë. Simptomat e sëmundjes së Parkinsonit përkeqësohen me kalimin e kohës. Simptomat shpesh fillojnë në njërën anë të trupit ku zakonisht mbeten më të theksuara, edhe pasi nga sëmundja preken gjymtyrët e tjera. Me kalimin e kohës, çrregullimi gjithashtu, mund të shkaktojë ngurtësi ose ngadalësim të lëvizjes.
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes së Parkinsonit mund të jenë të ndryshme; variojnë nga personi në person.
Simptomat e Parkinsonit mund të përfshijnë:
- Dridhje që zakonisht fillon në një gjymtyrë, shpesh në dorë ose gishta. Mund të fillojë si nevojë për fërkuar gishtin e madh dhe gishtin tregues para dhe mbrapa. Po ashtu, dora juaj mund të dridhet më shumë kur nuk është në lëvizje dhe më pak kur jeni duke kryer diçka.
- Ngadalësimi i lëvizjes. Me kalimin e kohës, sëmundja e Parkinsonit mund të ngadalësojë lëvizjen tuaj, duke i bërë detyrat e thjeshta të vështira. Mund të filloni të bëni hapa më të shkurtër kur ecni. Mund të jetë e vështirë të ngriheni nga një karrige ose mund të tërhiqni/ngatërroni këmbët ndërsa përpiqeni të ecni.
- Qëndrimi dhe ekuilibri i dëmtuar. Në fazat e mëvonshme të sëmundjes, qëndrimi juaj në pozicionin natyral mund të përkeqësohet. Po ashtu, mund të rrëzoheni ose të keni probleme të ekuilibrit.
- Muskujt e ngurtë. Ngurtësia e muskujve mund të ndodhë në çdo pjesë të trupit tuaj. Muskujt e ngurtësuar mund të jenë të dhimbshëm dhe të kufizojnë gamën e lëvizjeve. Teksa sëmundja përparon fytyra e pacientit bëhet më pak ekspresive duke ulur aftësitë e të shprehurit të emocioneve. Dikush që buzëqeshte shpesh, mund të mos jetë në gjendje të shprehë më si dikur emocionet e tij.
- Humbja e aftësive motorike. Teksa sëmundja përparon, mund ta keni të vështirë të përkulni duart, këmbët dhe pjesën e kurrizit. Kjo e bën paksa të vështirë që ju të kryeni aktivitete të përditshmërisë me të njëjtën lehtësi si dikur. Në përgjithësi, sëmundja e Parkinsoni shkakton dhimbje dhe lodhje në muskujt tuaj.
- Ndryshimet e të folurit. Mund të flisni me zë të ulët, shpejt, ose të shprehni hezitim përpara çdo bisede. E folura juaj mund të jetë më monotone se normalisht.
- Ndryshimet e shkrimit. Mund të hasni vështirësi në të shkruar.
Simptoma të tjera
Simptoma të tjera të zakonshme të sëmundjes së Parkinsonit janë simptoma jomotore: problemet neuropsikiatrike (p.sh. depresioni, ankthi, lodhje), dhimbje, çrregullime të ritmit gjumë-zgjim dhe ato shqisore. Çrregullime të tjera përfshijnë: dobësim të ndienjës së nuhatjes, vështirësi në gëlltitje, kostipacion etj.
Trajtimet për sëmundjen e Parkinsonit
Trajtimi i duhur varet nga diagnoza e hershme, prandaj është e rëndësishme të merren parasysh dhe të vlerësohen simptomat e Parkinsonit dhe të kërkoni këshilla mjekësore nga mjeku i familjes sa më shpejt të jetë e mundur.
Për vendosjen e diagnozës së sëmundjes së Parkinsonit vlerën më të madhe e ka vizita me mjekun specialist neurolog, i cili ndihmohet nga historia e shfaqjes së shenjave, observimi i vëmendshëm i këtyre shenjave, si dhe ekzaminimi neurologjik objektiv i kujdesshëm. Analizat dhe ekzaminimet e tjera imazherike kanë më shumë vlerë për të përjashtuar sëmundje të tjera me simptomatologji të ngjashme.
Megjithëse sëmundja e Parkinsonit nuk mund të shërohet, medikamentet dhe trajtimet e tjera, përmirësojnë ndjeshëm simptomat. Në disa raste, mjeku mund të sugjerojë kirurgji për zona të caktuara të trurit tuaj për të përmirësuar simptomat.
Ilaçet mund të ndihmojnë në trajtimin e simptomave të Parkinsonit duke:
- Rritur nivelit e dopaminës në tru;
- Duke pasur një efekt në kimikate të tjera të trurit, të tilla si neurotransmetuesit, të cilët transferojnë informacionin midis qelizave të trurit;
- Duke ndihmuar në kontrollin e simptomave të moslëvizjes.
Terapia me medikamente bazohet në përdorimin e antiparkinsonikëve, medikamente të cilat janë të rimbursueshme nga sistemi ynë shëndetësor. Levodopa/Karbidopa, një ilaç i kombinuar që rrit sasinë e dopaminës në tru, është medikamenti më i zakonshëm për trajtimin e Parkinsonit.
Njerëzit që jetojnë me sëmundjen e Parkinsonit nuk duhet të ndalojnë marrjen antiparkinsonikëve pa u konsultuar me mjekun e tyre. Ndërprerja e papritur e medikamentit mund të ketë efekte anësore serioze për këtë kategori pacientësh.
Kirurgji
Për njerëzit me sëmundjen e Parkinsonit dhe që nuk reagojnë mirë ndaj ilaçeve, mjeku specialist mund të rekomandojë procedurë kirurgjikale, në mënyrë që të ndihmojë në ndalimin e shumë prej simptomave të Parkinsonit të lidhura me lëvizjen, të tilla si: dridhja, ngadalësia e lëvizjes dhe ngurtësia.
Terapi të tjera
Terapitë e tjera që mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave të Parkinsonit përfshijnë:
- Terapitë fizike, profesionale dhe të të folurit, të cilat mund të ndihmojnë në çrregullimet e zërit, ecjes, dridhjeve, ngurtësisë dhe rënies së funksioneve mendore.
- Dietë të shëndetshme për mirëqenien e përgjithshme.
- Ushtrime fizike për të forcuar muskujt dhe për të përmirësuar ekuilibrin, fleksibilitetin dhe koordinimin.
- Masazhe dhe joga për të reduktuar tensionin, rritur shtrirjen dhe fleksibilitetin.
Këto terapi mund të ndihmojnë në përmirësimin e funksionimit dhe cilësisë së jetës për njerëzit që vuajnë nga Parkinsoni.
Komplikacioni më i madh që sjell sëmundja e Parkinsonit, është humbja e funksioneve të aktivitetit të përditshëm. Pra, një person fillon të mos ecë normalisht, të mos vishet vetë, të mos ushqehet dot; pikërisht, këto janë arsyet që e bëjnë sëmundjen e Parkinsonit të vështirë dhe të sikletshme, jo vetëm për personin që vuan, por edhe për njerëzit të cilët jetojnë me të.
Rreth 10 milionë njerëz në mbarë botën janë të prekur nga sëmundja e Parkinsonit, e cila vlerësohet si sindromi neurologjik me rritjen më të shpejtë në botë. Ekspertët parashikojnë që ky numër të dyfishohet deri në vitin 2050.
Për çdo shenjë/simptomë të pazakontë që mund të vëreni te vetja juaj, gjithmonë konsultohuni me mjekun e familjes.
Shëndeti është primar!