DITA BOTËRORE E PARANDALIMIT TË VETËVRASJEVE
STATISTIKA GLOBALE TË VETËVRASJEVE
- Rreth 703.000 njerëz vdesin çdo vit nga vetëvrasja në mbarë botën.
- Për vitin 2019 një në çdo 100 vdekje (1.3%) ishin pasojë e vetëvrasjes.
- Shkalla globale e vetëvrasjeve është dy herë më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat.
- Mbi gjysma (58%) e të gjitha vdekjeve nga vetëvrasja ndodhin para moshës 50 vjeçare.
- Mbi 3/4 (77%) e vetëvrasjeve globale për vitin 2019 kanë ndodhur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
- Një individ që vuan nga depresioni, ka njëzet herë më shumë gjasa të vdesë nga vetëvrasja sesa një individ tjetër pa këtë çrregullim.
STATISTIKAT MBI VETËVRASJET NË SHQIPËRI
Sipas INSTAT për vitin 2022 vetëm 0.8 % e totalit të vdekjeve është shkaktuar nga vetëvrasjet në Shqipëri. Përafërsisht 130 vdekje janë shkaktuar si pasojë e sëmundjeve mendore, ku numrin më të lartë të vetëvrasjeve e zë grup-mosha 20-44 vjeç, e ndjekur nga 45-64 vjeç dhe 65-79 vjeç. Përsa i përket grup-moshës nën 20 vjeç për 2022 nuk ka asnjë vdekje si pasojë e sëmundjeve mendore.
Një tjetër tregues i rëndësishëm demografik është shkalla e vdekshmërisë nga vetëvrasjet. Në vitin 2015, numri i vdekjeve nga vetëvrasjet për çdo 100.000 banorë ka qënë 5, ndërkohë që në vitin 2019 ky numër ka zbritur në 4.8. Numri më i lartë i vetëvrasjeve ka qënë gjatë viteve 2016 dhe 2017 përkatësisht nga 5.4 vdekje për 100.000, kurse ai më i ulët ka qenë në vitin 2018 me 4.5 vdekje për 100.000 banorë.
KUSH ËSHTË NË RREZIK?
Në vendet me të ardhura të larta vihet re lidhja midis vetëvrasjeve dhe çrregullimeve mendore (depresionit dhe çrregullimeve nga përdorimi i alkoolit). Shumë vetëvrasje ndodhin në mënyrë impulsive si: në momente krize, gjatë një ndarje, mospërballimit të streseve të jetës, problemeve financiare, ndërprerjes së marrëdhënieve ose sëmundje të ndryshme.
Për më tepër përjetimi i konfliktit, fatkeqësisë, dhunës, abuzimit ose humbjes dhe ndjenja e izolimit janë të lidhura fort me sjelljet vetëvrasëse. Shkalla e vetëvrasjeve është gjithashtu e lartë tek grupet vulnerabël që përjetojnë diskriminim si: refugjatët dhe emigrantët; komunitetet rome dhe egjiptiane; homoseksualët, biseksualët, transgjinorët, interseksualët dhe aseksualët (LGBTQIA+); të burgosurit. Deri tani, faktori më i fortë i rrezikut për vetëvrasje është një përpjekje e mëparshme për vetëvrasje.
PARANDALIMI DHE KONTROLLI
Vetëvrasjet janë të parandalueshme. Ekzistojnë një sërë masash që mund të merren në nivel popullate dhe individuale për të parandaluar vetëvrasjet dhe tentativat për vetëvrasje. OBSH rekomandon ndërhyrje efektive, si më poshtë:
- Kufizimi i aksesit të mjeteve vetëvrasëse (pesticide, armë zjarri, medikamente të caktuara);
- Ndërveprimi me mediat për raportim të përgjegjshëm të rasteve;
- Nxitja e aftësive socio-emocionale të jetës tek adoleshentët;
- Identifikimi, vlerësimi, menaxhimi dhe ndjekja herët për këdo që preket nga sjelljet vetëvrasëse.
Këto duhet të shkojnë krah për krah me shtyllat themelore të mëposhtme: analiza e situatës, bashkëpunimi multisektorial, ndërgjegjësimi, ngritja e kapaciteteve, financimi, mbikëqyrja, monitorimi dhe vlerësimi.
Përpjekjet për parandalimin e vetëvrasjeve kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim midis sektorëve të shumtë të shoqërisë si: shëndetësia, arsimi, punësimi, bujqësia, biznesi, drejtësia, zbatimi i ligjit, politika dhe media. Këto përpjekje duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të integruara, pasi asnjë qasje e vetme nuk mund të ndikojë në një çështje kaq komplekse sa vetëvrasja.
KRIJIMI I SHPRESËS PËRMES VEPRIMIT
Një në çdo 100 vdekje është rezultat i vetëvrasjes në botë.
Vetëvrasja mund t’i prekë të gjithë. Çdo vetëvrasje është shkatërruese.
Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar veprime përmes të cilave do të zvogëlohet numri i vetëvrasjeve dhe tentativave në nivel global.
Krijimi i Shpresës Përmes Veprimit na kujton se ka një alternativë ndaj vetëvrasjes, që synon të sjellë besim tek ne; që veprimet tona pavarësisht të mëdha apo të vogla, mund t’ju japin shpresë atyre që po luftojnë. Parandalimi i vetëvrasjes është shpesh i mundur dhe ju jeni një lojtar kyç në parandalimin e saj. Nëpërmjet veprimit, ju mund të bëni një ndryshim për dikë në momentet e tij më të errëta – si anëtar i shoqërisë, si fëmijë, si prind, si mik, si koleg apo si fqinj. Ne të gjithë mund të luajmë një rol në mbështetjen e atyre që përjetojnë një krizë vetëvrasëse.
GJENI KOHË PËR TË BISEDUAR ME DIKË QË VUAN
Duke kontaktuar dikë në komunitetin tuaj – një anëtar të familjes, mik, koleg apo edhe një të huaj –ju jepni shpresë, tregoni se kujdeseni, ose ndihmoni duke i ndryshuar rrjedhën e jetës. Të gjithë mund të luajmë rol, sado i vogël qoftë. Ne mund të mos e dimë se çfarë bën ndryshimin por duke ju kushtuar kohë, dëgjuar dikë për shqetësimet e tij/saj, ose mendimet për vetëvrasje i ndihmojmë. Biseda të shkurtra mund të shpëtojnë jetë dhe të krijojnë një ndjenjë shprese tek dikush që mund të jetë në vështirësi.
Kujdesuni për ata që po përballen me vështirësi
Shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes përfshijnë: dëshpërimin, tërbimin, zemërimin e pakontrolluar, kërkimin e hakmarrjes, përfshirjen në aktivitete të rrezikshme, ndjenjën e bllokimit sikur nuk ka rrugëdalje, rritjen e përdorimit të alkoolit ose drogës, largimin nga miqtë, familja dhe shoqëria, ankthin, pamundësinë për të fjetur, gjumë gjatë gjithë kohës dhe ndryshime dramatike të humorit.
S’mund t’i dini të gjitha përgjigjet
Njerëzit shpesh hezitojnë të ndërhyjnë për shumë arsye si frika, pasi s’dinë çfarë të thonë.
Mbani mend, nuk ka një formulë specifike.
Individët në ankth, shpesh nuk kërkojnë këshilla specifike. Empatia, dhembshuria, shqetësimi i vërtetë, dëshira për të ndihmuar janë çelësi për të parandaluar një tragjedi. Ata që i kanë mbijetuar një tentative për vetëvrasje kanë shumë për të na mësuar, se si fjalët dhe veprimet e të tjerëve i ndihmojnë të rimëkëmben.
Mos hezitoni të pyesni dikë nëse ka mendime apo qëllime për vetëvrasje
Një faktor që pengon individët të ndërhyjnë, është shqetësimi për përkeqësimin e situatës. Ky hezitim është i kuptueshëm, pasi vetëvrasja është e vështirë për t’u trajtuar. Një vesh që i dëgjon, që shpreh dhembshuri, ndjeshmëri, jo gjykues, që i inkurajon të tregojnë historinë e tyre, ndihmon në rivendosjen e shpresës duke i mbështetur e ulur shqetësimin e tyre.
Ky gjest i vogël ndihmon shumë.
Gjeni kohë për të vënë re se çfarë po ndodh me ju, familjen, miqtë dhe kolegët tuaj. Duke qëndruar afër, jini të vetëdijshëm për njerëzit rreth jush që kanë nevojë për ndihmë.
Gjeni kohë për të filluar një bisedë, nëse vëreni se diçka nuk shkon. Duke qëndruar afër, mund t’i inkurajoni individët me mendime vetëvrasëse, që të flasin me ju dhe të kërkojnë ndihmë.
Gjeni kohë për të zbuluar se çfarë ndihmë keni në dispozicion ju edhe të tjerët. Duke qëndruar afër mund të mbështesni njerëzit në nevojë duke kuptuar dhimbjen e tyre.