DITA BOTËRORE E NDIHMËS SË PARË

Dita Botërore e Ndihmës së Parë është një ngjarje e përvitshme që promovon rëndësinë e ndihmës së parë dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin, që ky shërbim të shpëtojë jetë.
Ajo inkurajon publikun të mësojë, si të praktikojë teknikat bazë të ndihmës së parë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të dinë ç’duhet të bëjnë në rast emergjence.
Kjo Ditë e koordinuar nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), kremtohet në mbarë botën përmes një larmie aktivitetesh, për të mundësuar që kjo ndihmë të jetë e prekshme për të gjithë.
Dita Botërore e Ndihmës së Parë mbahet gjithmonë të shtunën e dytë të shtatorit, pra për këtë vit është në 14 shtator 2024.
Tema e Ditës Botërore të Ndihmës së Parë për këtë vit është:
“Ndihma e Parë edhe në botën digjitale”.
Teknologjia digjitale ka një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave të jenë më të vetëdijshëm për ndihmën e parë.
Ka mjaftueshëm burime, që mund t’i ndihmojnë njerëzit të njohin teknikat bazë të ndihmës së parë, që nga kurset dhe faqet në internet tek videot në YouTube, podkastet, etj.
Një nga avantazhet është se njerëzit aty mund të mësojnë për ndihmën e parë me ritmin e tyre, duke u përshtatur edhe me oraret.
Nëse për të mësuar rreth ndihmës së parë, çdo dite do t’i merrnim vetëm një minutë nga koha që kalojmë në internet, ne mund të aftësohemi për t’u ofruar njerëzve ndihmën e shpejtë, madje të shpëtojmë edhe jetë.
Përdorimi i teknologjisë digjitale është mjaft efikas për promovimin e një prej synimeve kryesore të Ditës Botërore të Ndihmës së Parë, që është:
-Ndihma e parë të mundësohet për të gjithë.