DITA BOTËRORE E NDËRGJEGJËSIMIT NDAJ ABUZIMIT ME TË MOSHUARIT, 15 Qershor 2022.

DITA BOTËRORE E NDËRGJEGJËSIMIT NDAJ ABUZIMIT ME TË MOSHUARIT

Abuzimi me të moshuarit është një çështje sociale globale që ndikon në shëndetin dhe të drejtat e personave të moshuar në mbarë botën, prandaj meriton vëmendjen e të gjithëve.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në rezolutën e saj 66/127, caktoi datën 15 qershor si Ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj të Moshuarve.
Abuzimi me të moshuarit është një formë dhune që përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i rasteve të abuzimit me të moshuarit parashikohet të rritet sepse shumë vende kanë popullsi me plakje të shpejtë. Është parashikuar që deri në vitin 2050, popullsia globale e njerëzve të moshës 60 vjeç e lart do të jetë më shumë se dyfish, nga 900 milionë në vitin 2015 në rreth 2 miliardë, me shumicën dërrmuese të të moshuarve që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Nëse përqindja e viktimave të abuzimit me të moshuarit mbetet konstante, numri i viktimave do të rritet shpejt për shkak të plakjes së popullsisë, duke arritur në 320 milionë viktima deri në vitin 2050.

Format e abuzimit me të moshuarit

Abuzimi fizik ndaj personave të moshuar përfshin lëndimet e qëllimshme kundrejt këtyre personave, të cilat shkaktojnë dhimbje fizike ose dëmtime. Shpeshherë këta persona nuk raportojnë për problemet që kanë me fëmijët apo të afërmit e tyre, pasi druhen se ata mund të përballen me ligjin.
Abuzimi emocional shprehet nëpërmjet ushtrimit të presionit, frikësimit ose kërcënimeve. Shpeshherë personat e moshuar mund të përballen me poshtërime dhe tallje nga personat me të cilët jetojnë.
Abuzimi psikologjik. Personat e moshuar injorohen nga pjesëtarët e familjes ose nga punonjësit e qendrave ku ata strehohen, kjo grup-moshë përballet edhe me izolimin nga miqtë dhe nga komuniteti ku ata jetojnë.
Neglizhimi, braktisja. Personat e moshuar si pasojë e problemeve të tyre fizike neglizhojnë higjienën e tyre, marrjen e medikamenteve, kryerjen e nevojave personale etj. Si pasojë e migrimit një pjesë e madhe e këtyre personave përballen dhe me braktisjen nga ana e familjarëve.
Abuzimi seksual. Personat e moshuar mund të përballen me abuzimin seksual, i kryer nga të afërm ose persona të panjohur. Viktimat e abuzimit seksual kanë më pak gjasa që të tjerët t’i besojnë, veçanërisht nëse nuk kanë shenja të traumës në trup.
Abuzimi financiar me të moshuarit përfshin keqpërdorimin e burimeve financiare, shkaktuar nga persona të familjes ose kujdestarë të tyre. 5 deri në 10 për qind e njerëzve të moshuar në nivel global mund të përjetojnë një lloj shfrytëzimi financiar. Ky abuzim shpesh nuk raportohet për shkak të ndrojtjes së viktimave ose paaftësisë së tyre për ta raportuar atë.

Faktoret e rrezikut

Faktorët e rrezikut që mund të rrisin potencialin e abuzimit të një personi të moshuar mund të identifikohen në nivele individuale, marrëdhënie, komuniteti dhe socio-kulturore.

Individual

Rreziqet në nivelin individual përfshijnë shëndet fizik dhe mendor të dobët të viktimës, abuzim me alkoolin dhe substanca të ndryshme. Faktorë tjerë në nivelin individual që mund të rrisin rrezikun e abuzimit është dhe gjinia e viktimës. Burrat e moshuar kanë të njëjtin rrezik abuzimi si gratë, në disa kultura, gratë e moshuara janë më të rrezikuara nga neglizhenca dhe abuzimi financiar (të tilla si konfiskimi i pasurisë së tyre) kur janë të veja. Gratë gjithashtu mund të jenë në rrezik më të lartë të formave të rënda të abuzimit të vazhdueshme dhe dëmtimeve.

Marrëdhënia

Një situatë e përbashkët jetese është një faktor rreziku për abuzimin e të moshuarve. Ende nuk është e qartë nëse bashkëshortët ose fëmijët e rritur të njerëzve të moshuar kanë më shumë gjasa të kryejnë abuzime. Varësia e një abuzuesi (shpesh financiar) nga personi i moshuar gjithashtu rrit rrezikun e abuzimit. Në disa raste, një histori e gjatë e marrëdhënieve të dobëta familjare mund të përkeqësohet si rezultat i stresit kur personi i moshuar kërkon më shumë kujdes.

Komuniteti

Izolimi social i personave të moshuar me kujdestarët, mungesa e mbështetjes shoqërore, është një faktor i rëndësishëm rreziku për abuzimin e të moshuarve nga kujdestarët. Shumë të moshuar janë të izoluar për shkak të humbjes së aftësisë fizike, mendore, humbjes së anëtarëve të familjes ose miqëve.

Socio-kulturore

Faktorët social-kulturorë që mund të ndikojnë në rrezikun e abuzimit të të moshuarve përfshijnë:
• paragjykimi për shkak të moshës, të moshuarit janë përshkruar si të dobët, të varur;
• problemet familjare midis brezave ;
• probleme financiare, trashëgimia, që ndikojnë në shpërndarjen e të mirave materiale brenda
familjeve;
• migrimi i çifteve të reja, duke i lënë prindërit e moshuar vetëm;
• mungesa e fondeve për të paguar kujdesin social dhe shëndetësor.

Parandalimi i abuzimit me të moshuarit

Janë zbatuar shumë strategji për të parandaluar abuzimin e personave të moshuar, për të ndërmarrë veprime kundër këtij fenomeni dhe për të zbutur pasojat e tij. Ndërhyrjet që janë zbatuar për parandalimin e abuzimit, kryesisht në vendet me të ardhura të larta, përfshijnë:
• Fushatat e ndërgjegjësimit.
• Shqyrtimin e viktimave të abuzuara.
• Programet ndërgjegjësuese në shkolla.
• Ndërhyrjet mbështetëse të kujdestarit, përfshirë menaxhimin e stresit dhe kujdesin afatgjatë.
• Politikat e kujdesit rezidencial për përcaktimin dhe përmirësimin e standardeve të kujdesit.
• Trajnimin e kujdestarëve.

Abuzimi dhe neglizhimi mund të parandalohet

• Kontaktet e shpeshta me të moshuarit mund të ndihmojnë anëtarët e familjes të vlerësojnë statusin e tyre shëndetësor, kushtet e jetesës, cilësinë e kujdesit dhe mirëqenien emocionale. Në disa raste duhet të kryeni vizita çdo ditë, dhe në pamundësi të vizitave mund të kryeni telefonata.
• Mësoni faktet rreth abuzimit me të moshuarit.
• Inkurajoni personat e moshuar të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme që kërkojnë kontakte me të tjerët.
• Inkurajoni personat e moshuar që të zhvillojnë një rrjet të mbështetjes sociale. Njerëzit e moshuar duhet të kenë kontakt të përditshëm me familjen, miqtë ose fqinjët.
• Ofroni transport për të moshuarit.
• Nëse e dini ose dyshoni se një person i moshuar është abuzuar, neglizhuar ose nuk është duke marrë kujdesin e duhur, raportoni në institucionet përkatëse që merren me parandalimin e abuzimit të këtyre personave.
• Ofrojuni ndihmë personave të moshuar; ata janë të gatshëm të pranojnë këtë ndihmë.